Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
“Banda e Durresit”, vrasja e Viron Currit dhe Arjan Pajes

Publikuar me : 17.10.2011 Ne : Kronike - 57 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Materialet dhe dëshmitë e zbuluara në gjykatë për serialin e vrasjeve të “Bandës së Durrësit” hyjnë në një fazë të re. Përveç hakmarrjeve të vjetra mes grupit të Lulzim Berishës e Klodian Saliut me Marsel Sotirën dhe miqtë e tij, në skenë shfaqen emra të njohur të krimit në Tiranë si Denis Gina, Median Shehu e Ilir Bardhi, por edhe emra si Gaxhai i Vlorës. Në materialin që botohet sot tregohen atentati i dështuar ndaj punonjësit të doganave Marsel Sotira dhe vrasja e Viron Currit e Arjan Pajës.

Më poshtë materialet origjinale të lexuara në gjykatë:

 

* * *

Për grupimin kundërshtarë në të cilin bënte pjesë viktima Dritan Sallaku, i cili drejtohej nga shtetasi Marsel Sotira, ishte e qartë se pas vrasjes së Dritan Sallakut qëndronte i pandehuri Lulzim Berisha e bashkëpunëtorët e tij. Për këtë fakt grupimi i drejtuar nga Marsel Sotira në shenjë hakmarrje për vrasjen e Dritan Sallakut po përgatiste goditjen e radhës ndërsa nga organizata kriminale e drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu, të frikësuar nga Marsel Sotira e grupimi i tij, filluan projektimet për vrasjen e tij me çdo kusht.

Pas vrasjes së shtetasit Dritan Sallakut, rreth 3-4 ditë më pas, grupimi i drejtuar nga Marsel Sotira godet me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të afërt të Lulzim Berishës, siç ishte R.D. Kjo goditje ka ndodhur në afërsi të shtëpisë që ndërtonte i pandehuri Lulzim Berisha në hyrje të qytetit Durrës, ku me armë zjarri është qëlluar në drejtim të R.D, por pa pasoja pasi ai ka shpëtuar pa u goditur. Kjo goditje e menjëhershme, ku është dyshuar se njëri prej tyre ka qenë shtetasi Arben Paja bashkëpunëtorë i Marsel Sotirit, ka nxitur edhe më shumë organizatën kriminale të drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu të godasin në drejtim të Marsel Sotirit. Për këtë, ata fillimisht kanë menduar se mund ta godasin në Shkozet rrugës nacionale që vjen nga Tirana, pasi shtetasi Marsel Sotira punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe bënte përditë rrugën Durrës- Tiranë.

Fillimisht të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Adriatik (Dritan) Coli dhe shtetasit e vrarë Klodjan Saliu e Ilir Xhunga u zhvendosen nga shtëpitë e tyre ku rrinin për tek shtëpia e xhaxhait të të pandehurit Lulzim Berisha, dëshmitarit Sh.Berisha që ndodhet tek dogana në Shkozet dhe një herë tek shtëpia e shtetasit M.Saliu ( i vrarë në vitin 2000). Edhe pse në këto shtëpi kanë qëndruar dy-tre net të armatosur në ruajtje të ardhjes së shtetasit Marsel Sotira, nuk është bërë e mundur goditja e tij. Më pas drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu vendosin të qëndrojnë në banesën e xhaxhait tjetër të Lulzim Berishës, shtetasit S.Berisha që ndodhet tek Kodra e Rrushbullit në Durrës në një kodër, më pak se një kilometër larg nga rruga nacionale Tiranë-Durrës. Në këtë shtëpi drejtuesit e organizatës vendosin të qëndrojnë në pritje të sinjalizimeve për ardhjen e makinës së shtetasit Marsel Sotira nga Tirana e më pas të zbresin në rrugë e ta qëllojnë atë. Edhe në këtë rast si në rastin e vrasjes së shtetasit Dritan Sallaku, organizata kriminale përdor të njëjtën strategji dhe mekanizëm si për sigurimin e mjeteve të nevojshme për kryerjen e vrasjes ashtu dhe për realizimin e saj e largimin më pas

Të nesërmen e kësaj dite, më datë 29.10.1998 , 12 ditë pas vrasjes së Dritan Sallakut, rreth orës 16.00 drejtuesit e organizatës lajmërohen me telefon se shtetasi Marsel Sotira kishte kaluar Maminasin për në drejtim të Durrësit me makinën e tij të punës. Në këtë moment në shtëpinë e shtetasit S.Berisha, ose siç quhej ndryshe shtëpia e gjyshit të Lulzim Berishës, ndodheshin të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Adriatik Coli e shtetasit e vrarë Klodjan Saliu e Ilir Xhunga. Pas marrjes së lajmërimit të mësipërm, i pandehuri Lulzim Berisha organizon planin duke urdhëruar të pandehurin Adriatik Coli të lëvizte me makinën tip “Lançe” vetëm përpara tyre dhe t`i priste pas vrasjes tek unaza rrugës për në plazh afër shinave të trenit, ndërsa vetë me shokët e tjerë Plaurenti, Klodjani e Iliri hipën në makinën tip “Volksvagen Golf” pa dokumente të marrë në Kavajë, të cilës i vendosin targa të rreme me targa “DR 6104 A”. Në makinë marrin me vete katër armë automatike, tre kapele dhe një paruke. Si në vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, i pandehuri Lulzim Berisha hipën në timonin e makinës, Klodjan Saliu në vendin e parë të saj, ndërsa mbrapa i pandehruri Plaurent Dervishaj e shtetasi Ilir Xhunga.

Makina e drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha zbret nga shtëpia e xhaxhait të tij për në rrugën kryesore automobilistike Shijak–Durrës e pikërisht pranë kryqëzimit të rrugës automobilistike me linjën hekurudhore të fshatit Rrashbull, poshtë shtëpisë së shtetasit Tahir Dema. Pasi ndalojnë makinën në këtë vend i pandehuri Lulzim Berisha së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij Plaurent, Klodjan e Ilir zhvendosen pak metra sipër rrugës e zënë pozicione luftimi duke shfrytëzuar edhe disa ferra dhe faktin se shtëpia e shtetasit Tahir ishte në ndërtim e sipër. Pas pak çastesh në drejtim të tyre vjen makina tip “Nisan” me targa “TR 5926 A” me ngjyrë blu, në të cilën ndoheshin viktimat Viron Curri e Arjan Paja e shtetasi Marsel Sotira i ulur në sediljet e pasme. Menjëherë në drejtim të makinë së mësipërme qëllojnë me armë zjarri të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj e shtetasit Klodjan Saliu e Ilir Xhunga. Si rezultat i këtyre goditjeve gjejnë vdekjen e menjëhershme Viron Curri e Arjan Paja e plagoset rëndë Marsel Sotira.

Pas goditjes me armë zjarri dhe të bindur se shtetasi Marsel Sotira është vrarë të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj e shtetasit Klodjan Saliu e Ilir Xhunga largohen me makinë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për nga unaza e plazhit tek shinat e trenit ku sipas planit do ti priste i pandehuri Adriatik Coli me autoveturën tjetër tip ”Lançe”. Të pandehurit Adriatik Coli i kishte ngecur makina e për pasojë bashkëpunëtorët e tij me të mësuar këtë fakt largohen pa qëndruar dhe braktisin autoveturën e mësipërme në afërsi të gjykatës së Apelit në Durrës, ndërsa armët i hedhin kanaleve rrugës. Në makinën e braktisur policia mbrëmjen e datës 29.10.1998 gjen dhe sekuestron me cilësinë e provës materiale dy paruke një kapele, disa fije floku, një gjurmë papilare, etj. Viktimat Viron Curri e Arjan Paja të gjetur në makinën e Marsel Sotirës vdesin menjëherë, ndërsa shtetasi Marsel Sotira plagoset rëndë, por për shkak të ndërhyrjeve të specializuara mjekësore si brenda e jashtë Shqipërisë edhe me ndihmën e strukturave shtetërore ku punonte, arrin të shpëtojë duke vazhduar të ekzistojë si rrezik potencial për organizatën kriminale të drejtuar prej Lulzim Berishës e shtetasit të vrarë Klodjan Saliu.

 

 

Coli: Çfarë di për vrasjen e Currit dhe Pajës

Lidhur me këtë fakt Adriatik Coli ka thënë: “ …. pas vrasjes se Tanit (Dritan Sallakut) pas katër pesë ditësh, unë ndodhesha në shtëpinë time bashkë me Y.Sh. Merr Luli në telefon tek numri i shtëpisë dhe më thotë shko tek shtëpia që kishte me qera poshtë kishës, merr qenin dhe ma sill këtu tek shtëpia e babës Plaurentit. Bëhej fjalë per qenin e Lulit, i cili ishte i racës Pitbull. Shkoj me Yllin lart me makinën Golf ngjyre blu që përdorte Redi dhe Njaziu. E marr qenin dhe ja çoj Lulit tek shtëpia e babës së Plaurentit. Tek shtëpia gjeta gjithë familjarët: ishte nusja e Lulit, nëna e Redit, Redi, Plaurenti, isha unë, Y.Sh. Pasi luajti Luli me qenin, më tha merre çoje atje ku e more. Kur u nisem i ramë nga rruga e Shtypshkronjës, përballë me shtypshkronjën pamë një makinë anash apartamenteve që dolën nja katër çuna menjëherë, ne nuk i vumë rëndësi dhe ikëm. Ata dolën nga makina. Pas dhjetë minutash morëm vesh që i kishin shtirë R.D para apartamentit tek shtëpia e vet. Më mori në telefon Plaurenti ose Redi, njëri prej tyre, dhe shkuam atje prapë tek shtëpia e babës së Plaurentit. R.D i kishte qëlluar një çun që më pas mësuam që ishte Arjan Paja.

Atë natë fjetëm tek shtëpia e babës së Plaurentit. Ishim unë Y.Sh, Plaurenti, Luli dhe Redi. Të nesërmen Plaurenti, Luli, Klodian Saliu, Ilir Xhunga u takuan tek shtëpia e babës se Plaurentit dhe biseduan për ngjarjen që kishte qëlluar Arian Paja. Unë isha aty në oborr, por nuk isha prezent gjatë bisedës. Këtë e mora vesh më pas nga Plaurenti. Redi dhe Luli kishin marrë në telefon L.K nga Durrësi. Prej tij marrin vesh që i kishte qëlluar Arian Paja. Pas ngjarjes aktivizohet Lulzim Berisha, Klodian Saliu, Ilir Xhunga dhe Plaurent Dervishi, të shkojnë të qëllojnë me armë Marselin, sepse ai ishte koka, ishte i pari i grupit tyre.

Të nesërmen shkon Luli dhe të tjerët tek shtëpia e Sh.Berishës. Në atë kohë Marseli lëvizte me foristradën e policisë ishte me ngjyrë blu dhe sirena të gjata. Ai punonte tek dogana me Antidrogën. Për të ruajtur makinen e Marselit, pra foristradën e policisë, vendosën të lënë me celular Julian Meçen. Atij i caktuan vendin se ku rrinte, do ta ruante tek Dogana në Shkozet, sot quhet 50 lekësh-i. Atë ditë nuk u bë gjë nisen. Ka qenë Tetor i viti 1998. Shkova tek shtëpia e Shabës, kur hyra brenda këta ishin të gjithë në një dhomë: Lul Berisha, Plaurent Dervishi, Ilir Xhunga, Klodian Saliu, Mir Dervishi, dhe dy të tjerë, njeri prej tyre me shenjë në faqe. Pasi hyra unë ata fikën dritën. Unë nuk i njihja dy personat, më thanë se ishin nga Elbasani… Pas dy ditësh e panë se nuk bënë gjë aty dhe u shpërngulën nga shtëpia e Shabës. Luli bashkë me të tjerët shkuan tek shtëpia e S.Berishës, është xhaxhai i Lulit. Pas dy ditësh me merr Luli në telefon. Ishte pasdite dhe më thotë hajde. Kur shkova pashë se ishte Klodi, Ilir Xhunga, Mir Dervishi, Lul Berisha dhe Plaurenti. Po rrinim aty deri në orën tre – tre e gjysmë të pasdites sepse prisnin Marsel Sotirin të kthehej nga Tirana që ta gjuanin për ta vrarë…

Atë natë shkoj në shtëpi, të nesërmen më merr Luli dhe thotë hajde këtej lart tek gjyshi. Atje gjej Klodian Saliun, Ilir Xhunën, Plaurent Dervishin dhe Lulin. Po rrinin para oborrit. Thotë Plaurenti: Ishalla po vjen të kemi marrë ty se je me fat, e kishte fjalën për ardhjen e Marsel Sotirit për ta vrarë. Plaurenti me tha: Ishalla je me fat sot për të vrarë Marsel Sotirin. Unë i thashë që me fat jam. Ora ka qene 13.00 e tutje. Mësova se Julian Meçen e kishin lënë në Maminas me celular për të ruajtur.

Në atë kohë bie telefoni i Lulit dhe ai thotë: Shpejt se erdhi. Marrin katër automatikët, tre kapele dhe një paruke. Më thotë Luli: nisu para ti. Rruga ishte e pa asfaltuar, u nisa para me makinën Lancia. Ai me tha: Do më presësh tek unaza tek, shinat e trenit, rruga që të çon për në plazh. U nisa tek gjysma e rrugës me parakalon Luli, ishte me makinën Golf të bardhë që e mora në Kavajë. Luli ishte në timon, Klodi pasagjer, dhe Ilir Xhunga e Plaurent Dervishi ishin mbrapa ne makine. Ishin nja 10 metra para meje. Buzë rrugës Luli u kthye, aty ndodhej një kodër dhe ca ferra. Unë vazhdova rrugën drejt para shinave të trenit, por rashë në një pellg me ujë dhe makina u fik…

Unë shkova te shtëpia Redit dhe i thashë se çfarë ndodhi lidhur me makinën. Ai tha: Bo çfarë na ke bërë, më tha ndërrohu. U ndërrova tek shtëpia e Redit. Pas dy ditësh shkova përsëri tek shtëpia e Redit. Atje gjeta Klodian Saliun, Ilir Xhungën që rrinin tek kuzhina, Plaurentin Dervishin, Julian Meçen, Redin dhe Lulin. Luli, Plaurenti, Ilir Xhunga bisedonin e më thanë për vrasjen që i bënë Marselit. Kishin qëlluar të gjithë bashkë. Foristradën e Marselin e kishin nxjerrë jashtë rrugës, kur kishin gjuajtur dy të parët kishin qenë në foristradë Viron Curri dhe Arjan Paja, kurse Marseli kishte qenë mbrapa. Makina po vinte nga Tirana, sa kalon shinat e trenit ishte bërë goditja. Ishte një si tip ferre tek një kodër e vogël dhe aty ishin pozicionuar.

Ata po thoshin se dy të parët që ishin ulur para i kishin këputur menjëherë kurse Marseli që kishte qenë mbrapa kishte hapur derën. Mësova se kishte marrë një plumb në qafë dhe një në këmbë dy të tjerët ishin vrarë. Kur kishin qëlluar me armë përpara se të iknin ishte kthyer Ilir Xhunga dhe kishte parë se njeri kishte hapur derën dhe ishte varur. Ai i kishte thënë që të shkojë tek makina dhe të qëllojë, por Luli, Plaurenti dhe Klodi kishin thënë jo se ka vdekur. Aty mësoj se atë ditë që kishin shtirë me armë, në makinën e Marseli kishte drogë kokainë edhe 80 mijë marka. Në bisedë po thoshin se po ta kishin ditur një gjë të tillë do të ishin kthyer për t’i marrë…

 

Policia në vendin e ngjarjes

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe marrë me cilësinë e provës materiale këto sende:

Një autoveturë tip “Nisan” me targa “TR 5926 A” me ngjyrë blu në të errët

46 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm

1 (një) gëzhojë e kalibrit 9 mm me stampim “Geco -9mm- Para”

1 (një) fishek të kalibrit 9 mm me stampim “ Geco -9mm- Luger”

Një xhup meshini me ngjyrë të zezë së bashku me një çakmak.

37 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm

 

Brenda në makinë u gjetën:

2 gëzhoja të kalibrit 9 mm

1 pistoletë Belge me numër 79099, kalibër 9 mm

1 pistoletë tip “Zastava” me numër 17280, kalibër 9 mm

1 pistoletë tip” HS” me numër 85267, kalibër 9 mm

1 celularë tip “Motorola” me ngjyrë të zezë

Mjekët: Si u vranë Arjan Paja dhe Viron Curri

Në konkluzion të akt ekspertimi në kufomën e shtetasit Arjan Paja rezultojnë këto përfundime:

Në trupin e kufomës së shtetasit Arjan Paja konstatohen 7 (shtatë) plagë tejshkuese e si pasojë dëmtime të rënda të mushkërisë së djathtë, të stomakut, zorrëve e për rrjedhojë hemorragji masive të brendshme.

Këto dëmtime janë shkaktuar me armë zjarri.

Drejtimi i qitjes është nga para-prapa dhe pak nga e djathta në të majtë.

Distanca e qitjes është jashtë faktorëve plotësues.

Shkaku i vdekjes së shtetasit Arjan Paja është dëmtimi i rëndë i mushkërisë, stomakut e zorrëve nga predhat e armëve të zjarrit që kanë sjellë për rrjedhojë shokun e rëndë traumatiko-hemoragjik.

Në konkluzion të akt ekspertimi në kufomën e shtetasit Viron Curri rezultojnë këto përfundime:

Në trupin e kufomës së shtetasit Viron Curri u vërejtën 5 (pesë) plagë tejshkuese duke sjellë dëmtime të rënda të kockave të kafkës dhe mushkërive.

Këto dëmtime janë shkaktuar me armë zjarri.

Drejtimi i qitjes është nga e djathta në të majtë.

Distanca e qitjes është jashtë faktorëve plotësues.

Shkaku i vdekjes së shtetasit Viron Curri është dëmtimi i rëndë i kockave të kafkës, i trurit dhe mushkërive duke sjellë për rrjedhojë shokun e rëndë traumatiko-hemoragjik.

 

Paja ishte person në kërkim

Arjan Paja në momentin e vrasjes ka qenë person në kërkim pasi ishte i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit që nga marsi i vitit 1997. Viktima ishte i dënuar për veprën penale të vrasjes me dashje të shtetasit Pëllumb Merko në vitin 1994 në qytetin e Beratit. Si person në kërkim gjente strehë dhe shoqërohej prej shtetasit Marsel Sotira e bashkëpunëtorëve të tij.

 

Sotira dhe lidhja me të fortët e Tiranës

Nga hetimi rezulton se Marsel Sotira e Viron Curri, në mesin e vitit 1998, janë emëruar si inspektor pranë Degës së Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Ajo që të bien në sy është emërimi në të njëjtën ditë i dy shtetasve të mësipërm së bashku me shtetasit Ilir Bardhi e Alban Dani në atë kohë bashkëpunëtorë të ngushtë të shtetasit Denis Gina (shtetasi Denis Gina rezulton i interesuar lidhur me autorët e vrasjes së shtetasit Dritan Sallaku).

 

Saliu pagoi 40 mijë dollarë për të zhdukur provat

Pak pas vrasjes policia ka gjetur armën e krimit, por ajo është “zhdukur” në komisariat. Ndërkohë në makinën e krimit policia ka gjetur një gjurmë gishti të Klodian Saliut dhe një fije floku të tij. Në lidhje me këtë fakt Adriatik Coli ka thënë: “Klodin e mbajtën brenda 24 orë apo 48 orë dhe shkon Çim Saliu dhe pyet për çfarë po e mbani Klodin. Aty mëson se Klodi po i hapnin çështjen e kodrës së Rrushbullit ku ngeli i vrarë Vrion Curri, Arjan Paja dhe i plagosur Marsel Sotiri. Policia kishte gjetur dhe një gjurmë gishti, qime floku, dhe një automatik kallashnikov. Shkëlqimi i merr vesh me anë të njerëzve që kishte brenda në polici. Me çështjen e Klodian Saliut merrej i vëllai, Shkëlqimi dhe Av. A.H. Për zhdukjen e provave, është zhdukur qimja e flokut. E kam marrë vesh nga Çim Saliu. Shenjat e gishtave ja ngjisin Ilir Xhungës. Shenja e gishtit që u kap ta makina tip Golf. Kurse për armën kallashnikov e zëvendësojnë me një tjetër. U zëvendësua në Policinë e Durrësit. I kam marrë vesh nga Shkëlqim Saliu. Për të dalë nga burgu Klodjan Saliu në fillim ka paguar 40 mijë dollarë. Këtë e kam mësuar nga Shkëlqim Saliu. Më pas kam shkuar së bashku me Klodin ku kemi takuar dy persona. Klodi i njihte këto persona. I kemi takuar për çështjen që kishte Klodi në gjykim. Në dy tre raste Klodi ka paguar nga 40 mijë dollarë, si në Gjykatën e Apelit ashtu dhe në atë të Kasacionit. Kam qenë prezent aty. I kemi marrë lekët nga shtëpia e Klodit…”

 

Dëshmia e nënës së Arjan Pajës për vrasjen:

“Pas ceremonisë së varrimit, nga rrethi shoqëror i Arjanit mësova se vrasjen e kishte kryer Lulzim Berisha me grupin e tij. Me kujtohet se gjashtë muaj pas vrasjes së djalit më ka ardhur në shtëpi Marsel Sotiri së bashku me dy shokë të tij. Erdhën me një makinë policie. Në bisedë e sipër Marseli më tha se kishte dashur të vinte më përpara në shtëpinë time, por i vinte zor pasi nuk kishte marrë hak për vrasjen e Arjanit. Ai më tha që e kishte organizuar punën për vrasjen e Lulzim Berishës dhe grupit të tij. Me sa më kujtohet ka qenë muaji qershor i vitit 1999 kur unë kam mësuat nga gazeta se Gaxhai me Viktor Ymerin i kishin bërë atentat grupit të Lul Berishës. Disa ditë më vonë më ka marrë në telefon Marsel Sotiri, i cili më tha se kishin qëlluar kundër grupit të Lul Berishës, por nuk e kishin vrarë dot Lulin. Unë e pyeta Marselin nëse Gaxhai ishte kundra jush dhe ai me tha që Gaxhai ishte brenda grupit tonë…”.

 

Lulzim Berisha: S’kam lidhje me ngjarjen, ja provat e mia

Faktet e prezantuara nga prokuroria dhe dëshmia e Adriatik Colit në lidhje me këtë ngjarje janë kundërshtuar nga mbrojtja e Lulzim Berishës. “Shekulli” disponon një material të gjatë të hartuar nga avokatët mbrojtës të Lulzim Berishës, i cili i është dërguar pak kohë më parë kryeprokurores Ina Rama dhe krerëve të Prokurorisë së Krimeve të Rëndë. Në këtë material mbrotja e Berishës pretendon se asnjë nga të akuzuarit nuk ka lidhje me ngjarjen. Për të mbështetur këtë pretendim mbrojtja ka paraqitur një listë të gjatë me dëshmi të dhëna në gjykatë.

Sipas saj: Dëshmitari Eqerem Kazazi në dt. 26.04.2010 ka evidentuar faktin se nuk e njeh Lulzim Berishën dhe të pandehurit e tjerë. “Ajo që ka rëndësi është fakti se ky dëshmitar dëshmon se deklarimet që i janë marrë në fazën e hetimit paraprak në lidhje me këtë autoveturë i janë marrë me presion nga ana e policisë duke e kërcënuar”,- thuhet në materialin e mbrojtjes.

Dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes janë dy xhaxhallarët e Lulzim Berishës, Skënder dhe Shaban Berisha. Të dy kundërshtojnë Colin. Më pas mbrojtja ka rreshtuar dëshmitë e Osman Nikoçi, Ardian Abrazhda dhe Demlush Shala, dt. 06.01.2011 dhe 17.01.2011. Të dy këta dëshmitarë thonë se kanë parë disa djem të rinj nga 18 deri në 21 vjeç me armë dhe se asnjëri prej tyre nuk ka parë Lulzim Berishën ditën e vrasjes. Dëshmitari Artur Vaqo, i cili ka qëndruar me të plagosurin Marsel Sotira ka thënë në gjykatë se nuk ishte ai objektivi i atentatit, por një djalë nga Berati. Dëshmitari Arben Jupe, i cili ka mbetur i plagosur gjatë ngjarjes ka thënë se ishte me kurriz e nuk ka parë gjë. Dëshmitari Bajram Muka, polic tek mjetet e bllokuara në Durrës ka thënë se ka marrë automatikun e krimit dhe e ka regjistruar si provë, por më pas oficeri i policisë gjyqësore i ka thënë të ndërrojë numrin e armës. Në fund të dëshmive të mbrojtjes ndodhen edhe thëniet e babait të Viron Currit dhe nënës së Arjan Pajës, të cilët thonë se nuk kanë dijeni konkrete për ngjarjen.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Shembet ura, nxenesit rrezikojne mbytjen

Publikuar me : 18.05.2012 Ne kategorine : Kronike - Lexuar : 91 here.
Shembet ura, nxenesit rrezikojne mbytjenUra ku kalonin nxenesit para shembjes / Foto: Bardha Nergjoni GRAMSH – Një urë-pasarelë është shkëputur në mesditë duke bërë që dy nxënës të përfundojnë në ujë. Për fatin e tyre të mirë, ka pasur shumë lëvizje dhe dy nxënësit, 11 dhe 14 vjeç, janë nxjerrë nga uji nga banorët e zonës. Kryetari i Komunës Poroçan, Haki Llapushi, i kontaktuar nga “Shekulli”, tha se nxënësit kanë qenë rastësisht vetëm dy gjatë shembjes së urës, pasi aty kalojnë 40...Lexo te gjithe artikullin »


» Shembet ura, rrezikojne mbytjen nxenesit
» Shembet ura, 2 nxenes rrezikojne mbytjen
» Kanosi policin, procedohet penalisht
» Arrestohet per falsifikim shtetasi grek
» Muzeu i Lezhes, premtimi qe nuk u mbajt
» Muzeu i Lezhes, premtimi qe s’u mbajt
» Makina perplas motorin, plagoset nje person
» Arrestohet nje 22-vjecar per plagosje
» Arrestohet nje 22-vjecari per plagosje
» Ekstradohet nga Britania nje i kerkuar

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit