Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
“Enver Hoxha” i Blendit

Publikuar me : 26.12.2011 Ne : Kuriozitete - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 

 

Mehmet Kraja*

 

Libri i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën mban nëntitullin “E para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, një fjali që do t’iu shkaktojë dëme të mëdha historianëve, sepse konsumon reklamën më përmbajtësore për një libër biografie, po të ishte e mbështetur. Për shkak të kësaj fjalie, lexuesi do të kalojë me durim orë të tëra, duke kërkuar nëpër faqet e këtij libri atë që është esenciale, pra dokumentet. Por, do të zhgënjehet shpejt, sepse libri nuk ka dokumente, ose i ka aq të paktë dhe aq të parëndësishëm, sa nuk dëshmojnë asgjë më shumë se të vërtetojnë gjërat e ditura. Teza e autorit se Enver Hoxha është “i keqi” nuk ka pasur nevojë të ekzagjerohet më shumë nga ç’ka qenë e ekzagjeruar, sepse edhe ashtu Enver Hoxha sillej, të thuash, në suazat e një legjende të frikshme; por ka pasur nevojë të vërtetohet, që domethënë të hiqet nga figura e tij mjegulla e legjendës, e rrëfimeve të tërthorta, e thashethemeve, e projeksioneve gjysmë-mistike dhe gjysmë-fantastike dhe të vendoset në një kuadër real, të dëshmuar dhe të dokumentuar. As ideja e autorit, herë e mbështetur më fuqishëm e herë e braktisur pavëmendshëm, se Enver Hoxha ka qenë më i keqi i sërës së tij, nuk kishte pse të theksohej aq shumë, sepse, nga ajo që ka qenë e njohur edhe më parë, nuk ishte punë e vështirë të vihej në përfundim se bëhej fjalë për një bandë kriminelësh, për një lahuni ujqërish, të cilët, në ritualin makabër të presë dhe të gjakut, shqyenin edhe njëri-tjetrin.

Thënë me një fjalë, problemet e diskursit historik të Fevziut, përveç tjerash, shfaqën në të kuptuarit e dëshmisë, të faktit të dokumentuar, gjë që nuk iu ndodhë historianëve të vërtetë; si dhe në mosdiferencimin e qartë të mediumit të librit nga mediumi i televizionit, që kanë specifika të dallueshme dhe nuk mund të përzihen me njëri-tjetrin. Dëshmia gojore, pra rrëfimi i dëshmitarëve ka vlerë në mediumin e televizionit, por nuk e ka atë peshë relevante në tekstin e shkruar, veçmas jo në libër. Prandaj libri i Blendi Fevziut, megjithëse i zhanrit të publicistikës historike, në shumë raste të ngjan me rrëfim dokumentar në TV, ose me një synop për një emision dokumentar: sipërfaqësor, trivial, propagandistik, komunikativ por i zbrazët.

Një libër për Enver Hoxhën, natyrisht, mund të jetë edhe i këtillë, vetëm se ai nuk duhej të mbante këtë nëntitull, veçmas jo pjesën e parë të tij: “E para biografi bazuar në dokumentet e arkivit personal…”, ndërkohë që “rrëfimet e atyre që e njohën” (kryesisht rrëfime të traumatizuarve nga dhuna e Enver Hoxhës dhe nga “dhuna” e kamerës televizive) janë mbështetja kryesore për autorin. Më anë tjetër për një kohë të gjatë do të na mbetet në mendje dëshmia, të cilën na e sjell vetë Blendi Fevziu: Enver Hoxha mbante shënime, një kohë ka mbajtur edhe ditar. Shënimet që nuk botoheshin, ndërkaq, “shtypeshin dhe kalonin në fondin e tij”, thotë Blendi Fevziu, duke shtuar, së fundi, edhe zbulimin që do ta entuziazmonte çdo historian apo biograf të Enver Hoxhës: “Ditarët e Hoxhës gjenden tanimë në Arkivin Qendror të Shtetit, të lidhur në disa dhjetëra vëllime” (“Enver Hoxha”, faqe 227.). Apo e dhëna tjetër edhe më grishëse: një kopje e shënimeve të Miladin Popoviqit, mbajtur me dorën e tij, gjatë tre vjetëve të qëndrimit në Shqipëri, shkruar me alfabet cirilik, “të papërkthyera”, po ashtu gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (Po aty, faqe 68.). Pikërisht, në këto dy zbulime të pashfrytëzuara të Blendi Fevziut qëndron libri i vërtetë i çdo biografie të Enver Hoxhës, dhe jo në dëshmi gojore, të thëna kurdo e sido; në citimet e gjata nga librat e Enver Hoxhës, apo të autorëve të njohur ose panjohur.

Meqë libri kishte synim edhe lexuesin e Kosovës, do vërejtur se lënda e ofruar nga Blendi Fevziu për lexuesin kosovar është shumë më e paktë nga ajo që e dinin njerëzit e zakonshëm në Kosovë për Enver Hoxhën, për kohën e luftës apo për periudhat e mëvonshme. Dëgjues të rregullt të Radio-Tiranës dhe të Radio-Kukësit, ndjekës të vëmendshëm të të gjitha fjalimeve të Enver Hoxhës dhe të zhvillimeve të tjera rreth Shqipërisë dhe Kosovës, kosovarët nuk kishin aq nevojë t’u rikthehej në vëmendje ai diskurs, sikundër që nuk kishin nevojë që për raportet e Enver Hoxhës me Kosovën të bëhej me dije çfarë thoshte Fadil Hoxha ose Vladimir Dedieri. Ata kishin nevojë të dinin gjëra të tjera, të pathëna deri më sot, të tilla që ka me shumicë, por që, për fat të keq, nuk do t’i gjejnë as në këtë libër.

 

 

 

*Ne një shkrim botuar ne gazeten Koha Ditore, shkrimtari dhe akademiku nga Kosova, Mehmet Kraja, u hedh nje veshtrim kritik tri librave te botuar ne Tirane, librit te Blendi Fevziut, Edi Rames dhe Ben Blushit. Duke u ndalur fillimisht tek libri i Fevziut, Kraja thekson se eshte siperfaqesor, pa dokumente te rendesishme, dhe per lexuesin kosovar shume i varfer, pasi ai ka lexuar shume me teper per Enver Hoxhen para se te botohej ky liber. Me lart, pjesa e plote per librin e Fevziut.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Xhuxhi i shtate i KQZ-se

Publikuar me : 18.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 37 here.
Andi Kananaj Xhuxhi i 7 duhet do të jetë viktimë e numrit që mban mbi krye. Ai duhet të jetë mrekullia e 7, pasi të kalojë 7 male me vota, për t’u kthyer në një Qeros të denjë për përrallën e vet. Magjia e numrit 7, do të jetë garancia që zgjedhjet nuk do të vidhen si 7 herët e mëparshme. Përzgjedhja nuk duhet të jetë qesharake si emisioni 7×7, dhe nuk do të tregojë për martesën e lumtur me princin, pas seksit me shtatë burra shtatshkurtër. Xhuxhi i 7, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Imuniteti i gjyqtareve, pengese apo justifikim
» Rinia perballe krizes
» Teopolitika dhe kandidatja e Vatikanit
» Reforma e notave ne arsim, urgjente
» Partia e Ekremit, antikushtetuese
» Klima e biznesit te huaj dhe pasiguria
» Diploma pa dije
» Kujdes me termat e ligjit!
» Lojerat e fatit dhe nje debat i munguar
» PD-PS, lufte per te vjedhur pushtetin

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit