Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Çeshtja Terrusi dhe oktavat e krimeve te komunizmit

Publikuar me : 28.10.2011 Ne : Kulture - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Diskutimi publik që hap Aldo Renato Terrusi, autori i librit “Kthimi në vendin e shqiponjave” është një rast i mirë e i plotë për Institutin e Studimeve mbi Krimet e mbi Pasojat e Komunizmit.

Ka një rezultat konkret, përkundër fjalimeve të ngarkuara që u mbajtën dje, në prezantimin e librit të Terrusit në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Falë kërkimeve të Institutit, Aldo Terrusi ka në dorë dëshmitë që çuan në burg të atin, Giuseppe Terrusi, drejtor i bankës së Vlorës deri në kohën e LDB.

Dihej me fjalë që mbi specialistin italian kishte rënduar akuza për vjedhje të pasurisë së popullit shqiptar. E tani Terrusi, biri, ka në dorë dokumentet e gjyqit pa avokat të vitit 1945. Është një kompleks ndjenjash të kundërta që provon tani. Nga njëra anë zemërim që i ati është çuar drejt vdekjes nga një gjyq farsë, nga ana tjetër një lehtësim ngaqë i lind e drejta e natyrshme të kërkojë rehabilitimin e figurës së Giuseppe Terrusit, i çuar drejt burgut të vdekjes pa prova të fajit.

Në këtë mënyrë Aldo Terrusi e lë atje ku është historinë e paskuintës, për të cilën nëse nuk do duhej të thurej një histori rozë, do të ishte: hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj një italianeje të bukur që jetonte komshi me të në Gjirokastrën e viteve 1920-’30.

Pikërisht këtë tregoi dje një akademik si Kolec Topallai, përfaqësues i Institutit të Studimeve mbi Krimet dhe mbi Pasojat e Komunizmit: një diktator hakmarrës me gratë që e kishin refuzuar, një “skifter paranojak” që nuk harronte t’ua nxirrte inatin grave të bukura e inteligjente si Sabiha Kasimati, Musine Kokalari e “kushedi sa të tjera”.

Oktava e dr. Pjetër Pepës, që referoi dje në emër të Institutit, mbërrin këtu:Edhe me qumësht ta ushqesh gjarprin ai nxjerr vetëm helm: kështu diktatori Enver Hoxha do t’i shtonte turpit shqiptar edhe martirin italian të burgut të Burrelit që vdiq më 2 mars 1952, në moshën 52-vjeçare. Diktatorët kujtojnë se shkruajnë historinë. Por historia bën veten. Ne nuk na mbetet veç ta shkruajmë atë, madje në qoftë se jemi të ndershëm e të aftë, ta shkruajmë atë drejt. Këtë provon ‘Kthimi në vendin e Shqiponjave’.”

Dr. Pjetër Pepa, autor i “Dosja e diktaturës” në dy vëllime, ka propozuar në këtë mënyrë termat “martir” dhe “martir i demokracisë”, me të cilat ka cilësuar pa dallim edhe klerikët e dënuar e të ekzekutuar nën diktaturë:Dhe emri i tyre do të vihet në piedestalin që i takon, në atë të martirëve të demokracisë.”

Në fjalën e një përfaqësuesi tjetër të Institutit, dr. Agron Tufa, merret në konsideratë sjellja e diktaturës ndaj të huajve dhe ndaj grave në veçanti. Tufa rikujtoi rastin e gjeologut polak Stanislav Zuber i dënuar me vdekje më 1947, i nderuar së fundi nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nënë Tereza”. Ai tha që Instituti akoma nuk ka të dhëna të sakta për të huajt që janë dënuar, por ka fakte për fatin e grave të huaja të cilat i janë nënshtruar një dhune të planifikuar “të turpshme”, siç është përdhunimi si masë e thyerjes në çdo lloj rezistence. “Për këto aspekte të turpshme duhet folur haptazi dhe me fakte nëse duhet të distancohemi nga krime të tilla që na rëndojnë në ndërgjegje… Tragjeditë e tyre na bëjnë të na vijë turp që jemi shqiptarë sepse shteti komunist u soll me të njëjtin absurditet njëlloj si me shtetasit shqiptarë”, thotë Tufa.

Ai njoftoi se “Kthimi në vendin e shqiponjave” i Aldo Renato Terrusit së shpejti vjen në shqip. Instituti ka ndërmend të botojë një kolonë të librave të të mbijetuarve nga pesha e dhunës.

Ishte i gjatë takimi me Aldo Renato Terrusin, një burrë i drojtur por gjithë sy e vesh për grimcat e informacionit që sillnin të pranishmit. Ai e mbylli me një shpjegim të koleksionit fotografik të familjes Poselli-Terrusi dhe një përshkrim tronditës nëpërmjet imazheve që kishte shkrepur në Shqipërinë e vitit 1993.

Pas kësaj dha këtë intervistë për “Shekullin”.

 

 

Intervista me Aldo Renato Terrusin

 Nëna një grua e bukur, babai drejtor banke, daja portier e kombëtares në një vend të huaj. Deri këtu ishte fantastike, por historia mbetej përgjysmë në mjegull. Zoti Terrusi, me kaq fjalë ju keni dhënë motiv për një film.

E kam thënë dhe herë tjetër. Kjo është një histori e vërtetë që i ngjan një romani. Po, ka filluar të ngjizet vërtet një projekt filmik. Skenaristi dhe regjisori është shqiptar. Nuk mund të them më shumë.

 

Kjo histori u kap sot nga disa këndvështrime. U tha këtu që nëna juaj shkon në Komitetin Qendror të kërkojë amnisti për të shoqin.

Aurelia shkoi në Komitetin Qendror të takonte Enver Hoxhën për t’i kërkuar falje për babain. Ka ndodhur ndërmjet vitit 1948-1949. Enver Hoxha nuk e priti, sepse do ta refuzonte sidoqoftë. Atëherë preferoi të mos e takonte me justifikimet e njërit dhe të tjetrit person që i kërkonin kësaj gruaje diçka në këmbim për të mbërritur deri te udhëheqësi.

 

U fol shumë për refuzimin që Aurelia Poselli i bëri dikur Enver Hoxhës, si shkak i dënimit të babait tuaj. Ju e mbroni i bindur këtë?

Jo, dënimi i Giuseppe Terrusit nuk ka ndodhur për këtë motiv. Por me rëndësi ka qenë fakti që Enver Hoxha nuk bëri asnjë ndërhyrje babain e dënuar dhe besoj që i vetmi njeri që akuzoi tim at në Vlorë ishte i  komanduar.

 

Cili ishte ky person?

Doni emrin?

 

Meqenëse keni parë dëshmitë që u përdorën kundër babait tuaj në një gjyq pa avokat, mund të na njihni me to?

Këto janë dokumentet origjinale që ka gjetur Instituti i Studimeve mbi Dënimin e Krimeve dhe mbi Pasojat e Komunizmit. Mund ta lexoni vetë, sepse letra është në shqip dhe në italisht. Këtu keni emrin, Shefit Muharremi i cili dëshmon se Giuseppe Terrusi ka qenë fashist i vendosur dhe si i tillë është dërguar nga Italia me shërbim në Shqipëri në favor të organizatës fashiste; duke qenë drejtor i Bankës i ofroi ushtrisë naziste që po largohej të hollat me qëllim që të mos i dorëzonte në duart e ushtrisë shqiptare…

 

Atëherë kjo është akuza për vjedhjen e pasurisë së popullit që e dënoi Terrusin?

Po, dhe akuza e tretë: “Me çlirimin e Shqipërisë, i përmenduri ka bërë mbledhje të ndryshme në bashkëpunim me shokët si Arturo Orlandi për dërgimin e ushtarëve italianëve që ndodheshin në rreshtat e ushtrisë në Italinë e okupuar prej nazizmit.”

Të gjitha këto akuza janë të rreme sepse. Babai nuk i ka pranuar. Këtu ndodhen të gjitha dëshmitë, dosja ku ai vetë thotë se asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë. Pastaj janë letrat e babait që janë shkruar para procesit në të cilat ai thotë: e urrej fashizmin, i urrej nazistët. Pra në letra thuhet krejt e kundërta e akuzave që po e futën në burg ngaqë nuk iu dha paratë nazistëve.

Këto letra janë para procesit dhe i janë dërguar motrës Kiara, në shtëpinë tonë në Kastelaneta.

 

Me këto dokumente keni për qëllim të kërkoni njëfarë rehabilitimi të babait?

Po, pikërisht, sigurisht që këtë kërkoj dhe nëse e mundur të gjej eshtrat e tim eti për t’i kthyer në Itali apo qoftë edhe një grusht dhé në atë varrë ku mund ta kenë futur.

 

Kini shpresë se do ta gjeni varrin?

Unë nuk kisha shpresë as të gjeja dokumentet, e them vërtet këtë. Po ja që dikush i gjeti. Ku i dihet, ndoshta dikush do të më ndihmojë (ngre sytë nga qielli).

 

Mungoi në këtë histori një përshkrim i udhëtimit të riatdhesimit më 1949: nga porti i Vlorës drejt Brindizit.

Unë kujtoj vetëm flash-e. Isha shumë i vogël për të marrë vesh ç’po ndodhte. Por dy pamje i kam të sakta në kokë. Në njërën kujtoj veten pranë parmakut të vaporit duke parë detin. Ishte i pastër. Kishte një litar nën ujë që më dukej si një gjarpër. Kështu ka mbetur në fantazinë time. Një tjetër imazh që kam në kokë kur mbërritëm në Brindizi, ishin dritat e qytetit që më dukej si diçka fantastiko-shkencore, përtej normales. Por më mizorja e atyre flasheve është vetmja ime në duart e dajës që më çoi në një dhomë për t’u dezinfektuar. Kishte ujë të rrjedhshëm ndërkohë shumë tym dilte nga vapori, e kështu më dukej sikur po hyja në ferr.

 

Morët sende të babait me vete?

Objektet që morëm me vete janë fotografi, penat e tij.

 

Kur ndërroi jetë Aurelia?

Më 2000.

 

Në këtë kërkim keni gjetur histori të tjera të italianëve të pafat?

Kishim informacion për tre-katër italianë që kanë pasur probleme. Por unë isha shumë i vogël atëherë për t’u lidhur me ta dikur. Pak vjet kam që po merrem me këto çështje, për shkak të punës, edhe për shkak se kisha menduar që këto gjëra do të fashiteshin, por…

 

Çfarë ndjeni tani?

E pranoj që ndihem shumë nervoz, ndihem i shokuar, sepse kur lexova procesin e babait, më kapi një tërbim: pashë sa false ishte ajo akuzë. Dëshmia e 1945, tregon se si sistemet totalitare e kanë trajtuar jetën e njerëzve. Në rastin e tim eti, ka mjaftuar vetëm akuza e një njeriu të dehur që e ka çuar në vdekje një njeri.

Dhe kjo të dhëmbë, të dhëmbë. Por, por për sa i përket miqësisë dhe përzemërsisë që më ka rrethuar në këto ardhje të miat, më duhet të them se jam ndjerë si në shtëpi.

 

 

Historia dhe personazhet:

Aldo Renato Terrusi, fizikan në pension, u lind në Vlorë më 1945, nga prindër italianë, Aurelia dhe Giuseppe Terrusi drejtor u Bankës së Vlorës. Për shkak të konfliktit italo-grek, Aurelia me familjen emigrante që ndodhej në Selanik, zhvendoset në Gjirokastër.

Ndërkohë Giuseppe Terrusi dërgohet nga ana e Kastelanetës, qyteti i tij i lindjes në Shqipëri si zëvendësdrejtor i Bankës Italiane në Gjirokastër rreth vitit 1930 e më pas drejtor i Bankës italo-shqiptare në Vlorë, filial i Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Giuseppe dhe Aurelia njihen dhe martohen shumë shpejt, më 1936. Lind djali i tyre Aldo më 1945. Në kohën e turbullt të pasluftës, me arrestimet dhe dënimet në masë të “armiqve të popullit”, burgoset dhe Giuseppe Terrusi “me urdhër të Enver Hoxhës”. Giacomo, vëllai i nënës Aurelia, ishte portier i Kombëtares shqiptare që fiton “Ballkaniadën” më 1946. Më 1949, pas shumë peripecish, familjet Poselli e Terrusi riatdhesohen. Giuseppe vdes në burgun e Burrelit më 1952.

I biri Aldo Renato Terrusi vjen bashkë me dajën në Shqipëri më 1993 të kërkojë eshtrat e të atit. Nga dëshmitë e bashkëvuajtëse Ëngjëll Kokoshi dhe Petrit Velaj, Aldo ndërton historinë e jetës së atit mbetur përgjithmonë në Shqipëri.

 

 

Dedikimi i Enver Hoxhës për Aurelian

Terrusi tregoi dje të vetmin dokument që dëshmon një miqësi të nënës së tij Aurelia Terrusi me Enver Hoxhës: “Kanë qenë komshinj në Gjirokastër. Prej nënës kam marrë vetëm këtë përcaktim: ishte një djalë i bukur, simpatik por  ndoshta me një karakter shumë të fortë. E vetmja gjë që kishte prej tij ishte libri “Cent vue de Paris” me dedikimin e Enver Hoxhës, i vitit 1930. Enveri i dërgonte mesazhe të shkruara Aurelias nëpërmjet motrës së saj të vogël. Por nuk kam dëshmi, sepse nëna i shkatërroi. Nuk ishin mesazhe dashurie, por kërkesa për ta takuar. Mua më është treguar në familje që Enver Hoxha ka dashur të lidhet me nënën time dhe kur kthehet nga Parisi me idetë e tij komuniste, nëna u largua më shumë prej tij. Atëherë Enveri ishte 22 vjeç dhe ajo 17.

Kur idetë politike ishin më të forta tek ai, atëherë s’mbetej më vend.

Nëna nuk u martua më asnjëherë. Ishte një grua shumë e bukur, por dashuria e saj për Giuseppen ishte absolute. Ka qenë një ideal për të.”

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Lamtumire maestro!

Publikuar me : 18.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 46 here.
Lamtumire maestro!"Zhizel i Fundit", puna e fundit e Agron Aliajt, dhjetor 2011 Valeria Dedaj Elsa Demo   Mëngjesin e së enjtes, në repartin e reanimacionit të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” u nda nga jeta koreografi shqiptar Agron Aliaj në moshën 79-vjeçare. Lajmin e bënë të ditur të afërm të familjes Aliaj të cilët prej 7 marsit, kur maestroja u aksidentua, e kanë shoqëruar nga një spital në tjetrin. Kohët e fundit Aliaj, në gjendje të paralizuar kishte lënë...Lexo te gjithe artikullin »


» Underground
» Viti i dyte vazhdon me shlyerjen e borxheve
» Nje kengetar ne gjuhen latine per Carl Orff-in
» Kuaj dhe bicikleta. Po viti ’97?
» Vlore, mbyllet Aulona Folk
» “Orient Expresto”, jazz nga Kroacia
» Jeta dhe dashuria ne komunitetin gay
» Koncert premiere nga William Walton
» Rona Nishliu, mjaft mire si fillim
» Shekspiri nga Ballkani, mire dhe keq

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit