Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Çfare presidenti kane ne mendje?

Publikuar me : 05.01.2012 Ne : Kuriozitete - 28 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Prec Zogaj


Nga  Preç Zogaj

Askush nuk i ka numrat

Në kalendarin e brishtë të vitit 2012, Zgjedhja e Presidentit të Republikës pritet të jetë një nga ngjarjet e rralla që mund të sjellë përpushje, lëvizje dhe risi në spektrin e ngrirë politik të vendit. E gjithë kjo nëse subjektet politike parlamentare, sidomos forcat e treta apo deputetët e parreshtuar politikisht, do të kenë një qëndrim të tyrin aktiv dhe koherent. Zgjedhja e Presidentit kësaj here vjen si një lojë e mundësive të hapura për protagonizëm nga çdo subjekt politik parlamentar.

Për herë të parë në historinë e tranzicionit post-komunist, asnjë parti politike dhe asnjë koalicion i votuar nga zgjedhësit shqiptarë nuk ka një shumicë prej 71 deputetësh, pra nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin me “forcat e veta”. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që u bënë për të shmangur nevojën e konsensusit të madh, nuk kanë shmangur dot domosdoshmërinë e konsensusit të vogël. Të gjithë kanë nevojë për dikë. Ose, të gjithë kanë nevojë për të gjithë. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet qysh tani se çfarë presidenti ka në mendje njëri dhe tjetri për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë.

 

“Një president për të mos qenë”

Berisha, personi që ka më shumë deputetë se të tjerët, ka thënë se do të investohet për një president politik, i cili do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Theksimi vend e pa vend “sipas Kushtetutës” është një gjë e kotë, pasi presidenti nuk mund të zgjidhet ndryshe, nuk mund të zgjidhet jashtë Kushtetutës, edhe nëse palët do të merreshin vesh në tryezë për një kandidat konsensual. Procedura parlamentare nuk lëviz në asnjë rast. Votimi i fshehtë gjithashtu. Tryezat në rastin më të mirë nxjerrin kandidatë. Presidentin e nxjerr vetëm Kuvendi. Kjo gjë elementare është sqaruar sa e sa herë.

Ndërkaq, me Berishën protagonist nuk ka rëndësi a do të jetë politik apo konsensual procesi. Ai e ka shndërruar në një lojë fjalësh boshe këtë diskutim; sjellja e tij ka qenë e njëjtë, kofliktuale, si me “Presidentin konsensual” Alfred Moisiu, ashtu edhe me “Presidentin politik” Bamir Topi. Kjo përvojë, përtej procedurës ligjore që do të ndiqet në zgjedhjen e Presidentit të ri, ngre pyetjen domethënëse se çfarë kupton Berisha me president politik?

Thjesht zgjedhjen në Kuvend me votat e shumicës qeveritare të një kandidati të qëmtuar nga radhët e kësaj shumice? Kjo përgjigje nuk thotë më asgjë për arsye se vetë presidenti në detyrë Bamir Topi është zgjedhur si një kandidat politik, madje tepër politik, sepse ka qenë kryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe nënkryetar i saj. Argumenti se Topi ndryshoi gjatë ushtrimit të mandatit, edhe nëse e marrim të mirëqenë, nuk ka asnjë vlerë korrigjuese, përderisa askush mbi tokë nuk mund ta dijë se edhe Politiku tjetër nuk do të bëjë të njëjtën gjë.

Berisha ka detyrimin politik, etik dhe moral t’u shpalosë hapur shqiptarëve vizionin e tij për presidentin politik. Le ta zgjedhë nga partia e tij! Le ta zgjedhë drejt e në Kuvend, pa i dhënë asnjë shenjë përfshirjeje opozitës. Është e drejta e tij. Për ketë u bënë ndryshimet kushtetuese. Për këtë u varros konsensualisht konsensusi relativ që impononte kushtetuta para ndryshimit të saj.

Për të thjeshtuar procesin. I mbetem mendimit se ka qenë i vetmi ndryshim i drejtë, që nuk duhet të vajtohet me pendesë nga askush që e ka votuar. Le ta zgjedhë pra Berisha presidentin e ri me shtatëdhjetë e një vota deputetësh, por të shprehet, nëse mundet, si e mendon profilin e këtij presidenti politik.

Një ide si e do mund ta krijojmë duke u nisur nga ajo se si nuk e do. Ai foli para vitit të ri përse nuk kishte ndërmend ta rikandidonte për një mandat të dytë zotin Topi. Argumentet që paraqiti ishin evazivë dhe shumë të dobët. Mendoj se është penduar që zbriti në fushën e shkretë të argumenteve. Ishte më mirë kur e gjykonte si nga Olimpi.

Ndërsa i duhej të ruhej për të mos dalë hapur se preferencat e tij shkojnë për një president kukull, që nuk bën gjë tjetër veçse noterizon vullnetin e Berishës, nuk arriti të formulonte asgjë bindëse përse duhej siluruar politikisht zoti Topi. Përmendi vetëm një rast konkret të një divergjencë vërtetë parimore midis tij dhe Topit, mosfirmosjen nga ky i fundit të ligjit të përsëdytur mbi kontrollin e figurës së zyrtarit në lidhje me krimet e kryera gjatë regjimit komunist, duke harruar se ketë ligj, ashtu siç ishte hartuar, Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e kanë hedhur poshtë si një ligj antikushtetues dhe antidemokratik.

Duke mos firmosur këtë ligj, Topi tregoi in anticipo se ishte më afër filozofisë së Komisionit të Venecias se sa filozofisë së Berishës. Në këtë rast, po të ishte puna për të dalë në aeropagun e demokracisë europiane, kjo do t’i njihej si vlerë dhe epërsi.

Është interesante të shënohet se ndërsa Berisha nuk gjen diçka politikisht dhe juridikisht bindëse për të mbështetur zhgënjimin e tij ndaj Topit, çdo vëzhgues i vëmendshëm politik mund të përmendë shembuj të bujshëm të anësisë apo favorizimit të Kryeministrit nga Presidenti. Të sjellim vetëm dy të tillë. Në janar të vitit 2010, për shkak të protestave të mëdha të opozitës, komuniteti ndërkombëtar investoi njëzëri figurën e Bamir Topit për zgjidhjen e krizës.

Atëherë Berisha ishte në një pozitë mjaft të vështirë. Një fjalë e Topit për hapjen e kutive, qoftë edhe e rrumbullakosur, do të formulohej si detyrë shtëpie për qeverinë në të gjitha deklaratat dhe rezolutat euroamerikane për Shqipërinë. Për trishtimin dhe dëshpërimin e madh të opozitës, Topi nuk e tha kurrë atë fjalë. Ai qëndroi pothuajse pa folur, me diskrecionin e më të riut, në krye të tryezës ku merrte pjesë lideri historik i partisë që e kishte lancuar në karrierë.

Shembulli tjetër i përket 21 janarit, vrasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të katër demonstruesve opozitarë. Berisha e ka sulmuar dhe fyer Presidentin për ekui-distancën dhe deklaratat e vakëta që ka mbajtur atë ditë tragjike dhe më vonë. Ndërkohë, i njëjti qëndrim ka lënë të zhgënjyer palën e dëmtuar, opozitën politike dhe para së gjithash familjarët e të vrarëve. Këta kanë pritur e presin shumë më tepër nga Presidenti i Republikës për dënimin e vrasjeve.

Nga Topi nuk është kërkuar më shumë se ajo që ka thënë Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, kur në përgjigje të pyetjes për vrasjet në Tiranë ka nënvizuar se “në asnjë demokraci ne nuk mund të tolerojmë përdorimin e forcave të armatosura që qëllojnë me plumba të vërtetë kundër demonstruesve”. Nuk e ka bërë ende një deklaratë të tillë.

Në pamje të parë duket sikur është kompleksuar nga sulmet. Mendoj se edhe ka dashur të kompleksohet. Ndërsa nuk ka qenë asnjëherë servil i shumicës, Topi është rezervuar ta dëmtojë atë, kur ka pasur rastin ta dëmtojë, sikur është rezervuar të potencojë opozitën kur i ka ardhur rasti ta potencojë.

Në të vërtetë vendimi i Berishës për të mos e rikandiduar Topin mbështetet në një arsye që pak ka të bëjnë me bilancin e punës së Presidentit. Nuk ka qenë preferenca e tij as herën e parë. Atëherë nuk e kishte në dorë ta ndalonte pa rrezikuar shumë. Tani mendon se mund ta ndalojë. Pra, thjesht po i mohon një gjë që nuk ka mundur t’ia mohojë herën e parë.

Berisha është fleksibël kur nuk i ka gjërat në dorën e vet. Të propozon si më të mirin për Kryetar Kuvendi, për President Republike, për çdo detyrë tjetër të lartë, duke e ditur se nuk i ka numrat për të të nxjerrë fitues. Ama, kur gjithçka e ka vetë në dorë, ndryshon plotësisht, më saktë shfaqet ai që është: ithtar i vlerave modeste, promovues i konformizmit. Kur ka gurin dhe arrën, ai zbaton kriterin e tij më të dashur që është: të vësh në një post dikë që nuk do të jetë, të bësh kryetar dikë që nuk do të bëhet dot kryetar, të emërosh ministër dikë që do të ulet në karrige me psikologjinë e zëvendësministrit.

Këtë kriter nuk mund ta zbatonte në vitin 2007 për Presidentin. Por mendon se mund ta zbatojë në vitin 2012. Ja ku, pa pasur nevojën e shpjegimeve, që do të jenë demagogjike gjithsesi, arritëm në pikën prej nga mund të shohim profilin e presidentit politik, siç e ka në mendje zoti kryeministër: një president që nuk do të jetë President. Nuk ka rëndësi nëse do të zgjidhet për të bërë një qokë apo për vetëmbrojtje, domethënë për të marrë në dorë Prokurorinë dhe çfarë ka mbetur pa u marrë nga fusha e zezë e drejtësisë. Rëndësi ka që ai të mos jetë realisht President.

Është shumë e rëndë që interesat vetjake apo detyrimet meskine të përcaktojnë profilin e presidentit të Republikës. Duhet ta themi ndërkaq se kriteri për të venë në poste zyrtarë kukulla përdoret me sukses kryesisht në dorovitjen berishiane të posteve partiake dhe ministrore. Por ka pak shanse që ky kriter të jetë i suksesshëm edhe në rastin e Presidentit të Republikës. Presidentin, sapo bëhet, e “marrin” të tjerë: e “merr” ligji, kushtetuta, autoriteti i funksionit, ndërkombëtarët.

Kjo është objektive. Berisha do të përplaset pashmangshëm me Presidentin e Republikës. Edhe po të çojë në atë post krahun e tij të djathtë. Shkaku në thelb nuk ka të bëjë me personat konkretë, por me mendësinë e zotit Berisha: ai nuk e njeh pavarësinë si pozicion. E konsideron pavarësinë kundër. Ja pse është i dënuar të jetë në konflikt me çdo president dhe çdo president është i dënuar të punojë në gjendje konflikti me ketë politikan. Sepse nuk mund të ketë President që të mos i referohet Kushtetutës dhe të mos nderojë në punën e tij karrigen ku është ulur.

Në këto kushte, presidenti militant do ta afishonte edhe më shumë si të pangopur para publikut, por nuk do të zgjidhte asgjë nga ato që ka ndërmend kryeministri. PD-së dhe vendit do t’u interesonte një President politik me personalitet që nuk del nga oborri berishian. Pra, më mirë dikush që afrohet drejt qeverisë duke respektuar ligjin, se sa një militant që largohet prej saj duke respektuar ligjin. Por, gjithsesi, PD dhe Berisha nuk e kanë krejt në dorë këtë ekuacion.

Rebusi presidencial njeh disa protagonistë të tjerë, siç janë shefi i opozitës, zoti Rama, kreu i LSI-së, zoti Meta, kreu i PDIU-së, zoti Idrizi, kreu i PBDNJ-së, zoti Dule, deputetin e shpallur në mbështetje të Topit, zotin Oketa, dhe padyshim edhe vetë zotin Topi. Çdo të bëjnë ata?

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Xhuxhi i shtate i KQZ-se

Publikuar me : 18.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 37 here.
Andi Kananaj Xhuxhi i 7 duhet do të jetë viktimë e numrit që mban mbi krye. Ai duhet të jetë mrekullia e 7, pasi të kalojë 7 male me vota, për t’u kthyer në një Qeros të denjë për përrallën e vet. Magjia e numrit 7, do të jetë garancia që zgjedhjet nuk do të vidhen si 7 herët e mëparshme. Përzgjedhja nuk duhet të jetë qesharake si emisioni 7×7, dhe nuk do të tregojë për martesën e lumtur me princin, pas seksit me shtatë burra shtatshkurtër. Xhuxhi i 7, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Imuniteti i gjyqtareve, pengese apo justifikim
» Rinia perballe krizes
» Teopolitika dhe kandidatja e Vatikanit
» Reforma e notave ne arsim, urgjente
» Partia e Ekremit, antikushtetuese
» Klima e biznesit te huaj dhe pasiguria
» Diploma pa dije
» Kujdes me termat e ligjit!
» Lojerat e fatit dhe nje debat i munguar
» PD-PS, lufte per te vjedhur pushtetin

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit