Publikuar me : 20.10.2011 Ne :
Kronike - 76 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme pritej që sot në Gjykatën e Tiranës të jepej pretenca e Prokurorisë për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, por mungesa e avokatëve mbrojtës të disa prej të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit bëri që Gjykata të shtyjë dhënien e pretencës së prokurorëve.
Gjatë seancës së sotme Prokurorët Genci Qano, Petrit Bica, Altin Dumani dhe Marjeta Zaimi duhej të vijojnë leximin e dosjes prej 500 faqesh. Në seancën e ditës së hënë prokurorët arritën të lexojnë vetëm 136 faqe, ku u shtjelluan me detaje si u ideua dhe u organizua ngritja e Gërdecit dhe më pas shpërthimi.
Argumentimi i konkluzioneve përfundimtare të prokurorisë u ndërpre pasi njëri nga avokatët pohoi se procesi nuk mund të vijonte jashtë orarit zyrtar, çka solli largimin e palëve nga gjykata.
Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, më 15 mars 2008, i mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosen, si dhe u shkatërruan mijëra banesa. Edhe pse shpërthimi ishte me përmasa tragjike, asnjë nga të pandehurit nuk gjendet pas hekurave, por të akuzuarit po gjykohen në arrest shtëpie.
Të akuzuar në këtë proces janë dhe ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.