Publikuar me : 15.09.2011 Ne :
Kronike - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Në kuadrin e hetimeve mbi vrasjen shokuese të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, është zbuluar se Task-Forca e prokurorisë së Tiranës dhe ajo e Durrësit, prej disa muajve kishte nisur hetimet për “falsifikim të dokumenteve” për trashëgimtarët e familjes së Shallvarit (ku përfshihet i ndjeri Konomi) dhe asaj të Toptanëve, bazuar në kallëzimet që dy përfaqësuesit e këtyre familjeve i kanë bërë njëri-tjetrit.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, kallëzimet janë bërë në kohë të ndryshme nga të dy palët. Sipas këtyre burimeve, fillimisht kanë qenë trashëgimtarët e familjes Shallvari, mes tyre edhe familja e gjyqtarit tashmë të ndjerë Skerdilajd Konomi që kanë depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP-së), Zyrës Rajonale të Kthimit e Kompensimit të Pronave (ZRKKP-së), ndaj ish/drejtuesit të këtij institucioni Klodi Beja dhe trashëgimtarëve të familjes Toptani.
Sipas prokurorisë, objekti i këtij kallëzimi është “falsifikimi i dokumenteve” mbi bazën e të cilës kanë rrjedhur pasojat e përfitimit të rreth 270 hektarëve tokë nga familja Toptani. Kjo familje, mësohet se përfaqësohej nga avokati Dilaver Rexhepi dhe përfaqësuesi i familjes Toptani në këtë kallzim është shtetasi Qemal Molla.
Por me të dorëzuar kallëzimin trashëgimtarët e familjes Shallvari, përfaqësuesi i familjes Toptani depoziton në prokurorin e Durrësit një kallëzim penal po për falsifikim të dokumenteve ndaj trashëgimtarët e Shallvari, mes tyre edhe ndaj familjes së gjyqtarit Konomi.
Të dy këto kallëzime tashmë janë regjistruar dhe ndodhen në fazë hetimi pa ndonjë konkluzion konkret. Sipas të dhënave nga prokuroria, hetimet kanë ngecur në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili u zbardh vetëm pak ditë më parë dhe i dha të drejtë trashëgimtarëve të familjes Shallvari, duke i cilësuar vendimet e ZRKKP-së si të paligjshme.
Sipas këtyre kallëzimeve, mësohet se bëhet fjalë vetëm për rreth 270 hektar tokë, ku të dy përfaqësuesit e familjes Toptani dhe asaj Shallvari pretendojnë për pronësi. Këtu ka lindur mosmarrëveshja mes tyre, pasi për një palë të caktuar të trashëgimtarëve të familjes Toptan, Qoralli e Dibra trashëgimtarët e familjes Shallvari ishin marrë vesh paraprakisht, duke arritur edhe marrëveshje kompromisi. Mes të përfituarve në këto marrëveshje, sipas prokurorisë, janë edhe gazetari i njohur Blendi Fevziu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra.
Në total, mësohet se trashëgimtarët e familjes Shallvari sipas vendimit të Gjykatës së Lartë janë pronar të 900 hektarëve tokë vetëm në bregdet, duke filluar nga fshati Rrushkull, Hamallaj, Gjiri i Lalzit dhe Shën Pjetri ndërsa rreth 2000 hektar tjera janë në këtë zonë por në vijën e dytë, jo pranë bregut të detit. Sipas prokurorisë, nga 900 hektar tokë që trashëgimtarët e familjes Shallvari kanë marrë, vetëm për rreth 270 hektarë kanë pasur mos marrëveshje, pikërisht zona për të cilën janë bërë dy kallzimet e sipërpërmendura.
Konflikti mes pasardhësve Shallvari-Toptani, nga një firmë e korrikut 2009
TIRANË – Sipas dosjes që institucioni i akuzës ka administruar mësohet se gjithçka ka nisur në korrik të 2009, kur ish-drejtori i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave z.Klodi Beja, vetëm pak ditë para mbylljes së zyrës në Durrës, ka firmosur kalimin e rreth 270 hektar tokë në favor të familjes Toptani. Deri në këtë kohë, trashëgimtarët e familjes Shallvari po silleshin nëpër procese gjyqësore për dëshmitë e trashëgimisë dhe proceseve civile me palë të treta, që kishin uzurpuar pronat e tyre. Pas këtij vendimi të ZRKKP-së, trashëgimtarët e familjes Shallvari i drejtohen Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës duke kërkuar anulimin e këtij vendimi të ZRKKP-së.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor kjo Gjykatë i jep të drejtë trashëgimtarëve të familjes Shallvari mes tyre edhe gjyqtarit tashmë të ndjerë Skerdilajd Konomi, duke ia njohur si trashëgimtar të pronës së çifligut të Shallvarit me një sipërfaqe prej 29000 hektar tokë. Vetëm në bregdet, pronat e Shallvarit kapin një sipërfaqe prej 900 hektar tokë për të cilët kishin pretendime palë të ndryshme, mes tyre trashëgimtar të familjes Toptani, Qoraliu dhe Dibra.
Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i jep të drejtë trashëgimtarëve të familjes Shallvari, avokati i shtetit që përfaqësonte AKKP-në dhe ZRKKP-në ankimon vendimin në Gjykatën e Apelit. Treshja gjykuese e kësaj gjykate, vendos prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë AKKP-së dhe ZRKKP-së, njëherazi duke i njohur si pronar një pjesë të familjes Toptani që përfaqësohej nga shtetasi Qemal Molla. Për, këtë vendim të Gjykatës së Apelit, trashëgimtarët e familjes Shallvari i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë.
Kjo e fundit pas një seancave gjyqësore, vendosi të shfuqizoj vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, duke i njohur gjithashtu si trashëgimtar të 2900 hektarëve tokë trashëgimtarët e familjes Shallvari, mes tyre edhe familjen e gjyqtarit Konomi.
Kolegët: KLD-ja, inspektim Konomit kur nisi gjyqi. KLD: Kontrolli ishte për të gjithë
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë vetëm pak muaj para vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ka nisur drejt qytetit bregdetar të Vlorës një grup inspektorësh për të inspektuar punën e tij me motivacionin e neglizhencës në detyrë. Ky fakt bëhet i ditur nga gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dhe koleg juristësh që ishin të afërm me gjyqtarin Konomi. Sipas tyre, ishte i çuditshëm fakti që ky kontroll me inspektorët e KLD-së u dërgua vetëm pak ditë para se të hapej seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Lartë, ku trashëgimtarët e familjes Shallvari me në krye gjyqtarin Konomi kishin bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit.
Por koha e kontrollit përkon edhe me një fakt tjetër sipas kolegëve të tij: gjyqtari Konomi në këtë kohë kishte nënshkruar marrëveshjen edhe me palën tjetër të familjes Qorali, Toptani dhe Dibra.
Të pyetur për këtë fakt, inspektor të KLD-së u shprehen se kontrolli ka qenë për të gjithë gjyqtarët dhe gjithë Gjykatat e Shkallës së Parë dhe atyre të Apeleve në vend dhe jo vetëm për të ndjerin Skerdilajd Konomi. Për këtë fakt, burimet nga KLD-ja i referuan edhe deklaratës për shtyp të datës 6 Maj 2011, ku është cilësuar inspektimi tematik në të gjithë Gjykata me objekt “respektimin e disiplinës në punë të gjyqtarëve, ku pasqyrohen hyrjet dhe daljet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditëve të punës”.
Ndërkohë, këtë pretendim kolegët e të ndjerit Konomi e hedhin poshtë, për faktin se sipas tyre, ai ndodhej nën presion nga shumë grupe interesi të cilëve i prishte punë po të fitonte procesin gjyqësor për pronat. Hidhen dyshime mbi ndikimin që mund të kenë pasur persona të caktuar për këtë proces, të interesuar që prona prej rreth 270 hektarëve tokë në bregdet të mos i kalonte trashëgimtarëve të familjes Shallvari por atyre të familjes Toptani. Një ditë më parë “Shekulli” publikoi se dy zyrtarë të lartë, një deputet dhe një ish-deputet interesoheshin gjithashtu për këtë çështje.
Pjesë nga deklarata e KLD-së e datës 6 Maj 2011
“…Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi realizimin e një inspektimi tjetër tematik në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e apelit, me objekt respektimin e disiplinës në punë të gjyqtarëve, ku pasqyrohen hyrjet dhe daljet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditëve të punës…”