Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 91 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Iliri realizon “manita” si Barcelona e Shpëtim Gjika
Alban Sejdini / Rubrika e së premtes Made In Albania
Ashtu si Barcelona ndaj Realit të Madridit, edhe Iliri realizoi një “Manita” në portën e skuadrës, e cila përfaqësoi të gjithë njerëzit që besojnë tek video-përgjimi me Dritan Priftin. Tifozët e skuadrës së Ilirit gëzuan e dëfryen me të madhe, duke brohoritur “Ilir Meta e Vërteta”, apo duke përgëzuar njëri-tjetrin për diçka që vetëm ata e kuptojnë. Të mbledhur në selinë-pallat të klubit politik të tretë më të madh në Shqipëri, gjithë ato vajza e djem harbuan në delir pas përfundimit të ndeshjes së fituar 5-0 nga skuadra e Ilirit përballë skuadrës së prokurorisë, e përkrahur nga njerëz që Ilirin do të parapëlqenin ta shikonin si luan në kafaz.
Koncepti i “la manita”-s u përfshi në fjalorin botëror, që kur yjet e Barcelonës e turpëruan Realin e Zhoze Murinjos me pesë gola pa pësuar asnjë më 29 nëntor 2010. Duke qenë se numri pesë është i barabartë me gishtat e dorës tek njeriu, fitorja mori emrin “la manita” dhe prej asaj kohe çdo sukses i arritur me rezultatin 5-0 konsiderohet si një shuplakë ndaj kundërshtarit. Shpëtim Gjika, kryetar i bashkisë së Vlorës dhe kryetifoz i Flamurtarit, fitoi me mbi 5000 vota diferencë ndaj demokratit sfidues, Ardian Kollozi, në zgjedhjet lokale të majit të kaluar. Si një ndjekës i zjarrtë i futbollit, i pari i qytetit bregdetar ngriti pëllëmbën e hapur drejt qiellit dhe bashkë me përkrahësit e tij i kujtoi kundërshtarit të humbur nëpërmjet gjithë televizioneve se edhe ai kishte realizuar një “manita”, njëlloj si Barcelona.
Ditën e hënë, kryetari i LSI-së priste rezultatin e ndeshjes së skuadrës së tij, që do të zhvillohej në stadiumin “Gjykata e Lartë” për Kupën e Drejtësisë kundër skuadrës së prokurorisë. Aq i sigurt ishte që nuk do të detyrohej ta ndërronte emrin nga Ilir në Iburgos, sa edhe Blendi Fevziu pati shpallur që tre ditë përpara se të hënën mbrëma do ta kishte në emisionin “Opinion”. Përballja nisi me pak vonesë dhe pa shumë emocione. Edhe kompanitë e basteve e kishin kuotuar me koefiçientë tepër të lartë fitoren e skuadrës kundërshtare të prokurorisë, pra suksesi i Ilirianëve ishte i pritshëm. Rastet për shënim nuk munguan nga të dyja palët, por skuadra e Ilirit u shfaq dukshëm më e vendosur dhe e kërkoi me ngulm fitoren deri në vërshëllimën e fundit të arbitrave, duke shënuar edhe pesë gola në portën e skuadrës kundërshtare. Gëzimi ishte i papërmbajtshëm për të gjithë mbështetësit e Ilirit dhe skuadrës së tij, ndërsa në fytyrat e palës tjetër nuk lexohej ndonjë zhgënjim i jashtëzakonshëm, sepse rezultati ishte i parashikueshëm përballë skuadrës së tretë më të fortë në kampionatin shqiptar. Megjithëse u përpoqën dhe shënuan dy gola, një për dy vite burg dhe një tjetër për 1 milion lek gjobë, skuadrës së prokurorisë iu anulluan golat nga arbitrat e ndeshjes për pozicion jashtë loje. Loja e tyre ishte dinjitoze, por nuk mund të bëhej asgjë përballë supremacisë së yjeve të skuadrës së Ilirit, që e dribluan thuajse rregullisht kundërshtarin falë shkathtësisë fizike dhe aftësive teknike tepër të larta.
Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit, Iliri nisi festën dhe organizoi për fitoren e Kupës së Drejtësisë më shumë ceremoni se ato dasmat e famshme shqiptare, që zgjatin shtatë ditë e shtatë net. Më kryesorja, natyrisht pas shfaqjes tek Fevzo të hënën mbrëma, ishte konferenca për shtyp përballë gazetarëve, për të falenderuar mamin, babin, të gjithë ata e ato që e duan, si dhe për të kujtuar se ai do të jetë një pjesëmarrës i përhershëm i kampionatit shqiptar. Pas tij gëlonin turmat e tifozëve të kënaqur për fitoren e skuadrës, klubit dhe presidentit të tyre. E gjithë godina e LSI-së buçiste nga thirrjet pro fitores, pro Ilirit, pro së vërtetës, duke vërtetuar se aty kishte ndonjë vit që gëzimi ishte ndalur, zbehur, zhdukur. Buzëqeshja, ngopja dhe rehati ia kishin lënë vendin ankthit për benefitet e vockla nga pushteti, frikës për të ardhmen personale, stresit për ecurinë e klubit që i punëson dhe natyrisht në fund, jo si ëmbëlsirë, por si burimi i vetëm i shpresës për të shijuar një jetë më të mirë, tmerrit për fundosjen apo jo të Ilirit.
Ky solidaritet i veçantë tifozë-Lëvizje e Socialistëve të Ilirit u instalua që prej vitit 2009, sepse mbështetet mbi një marrëdhënie të qartë bashkëpunimi të tipit “më jep-të të jap”. Klubi shpërdan ca poste e postiqe në administratën publike, tifozët japin votën personale, të familjarëve dhe mundësisht përpiqen t’i mbushin mendjen edhe të tjerëve që të votojnë për klubin e kuq. Presidenti bën mbi 190 telefonata brenda një viti me të njëjtin biznesmen, por ky biznesmen duhet të pohojë para prokurorisë se nuk e njeh presidentin dhe se ka më tepër mik Dritan Priftin, me të cilin flet nja 15 herë në vit. Nëse president Iliri vë në dispozicion katër votat e tij në parlament për rizgjedhjen në krye të Bankës së Shqipërisë të blerësit të hotel “Dajtit”, gruaja e atij blerësit, që rastësisht është gjyqtare në ndeshjen për Kupën e Drejtësisë, bie dakord për anullimin e golave të skuadrës së prokurorisë. Presidenti edhe mund t’i ndryshojë deklaratat e tij nga një konferencë për shtyp në një dalje para gazetarëve tek “Opinion”, por tifozët duhet të mos kuptojnë, të harrojnë ose të bëjnë sikur nuk kuptojnë. Këto dhe shumë pika të tjera të marrëveshjes së aprovuar midis dy palëve bëjnë, që LSI të jetë një klub goxha i organizuar dhe me rendiment të lartë në përballjet me eliminim të drejtpërdrejtë, siç janë ndeshjet zgjedhore e gjykatore.
Në fund të fundit, presidenti i klubit LSI ka në dorë jetën e shumë tifozëve jo vetëm nga zona e tij e origjinës, ndër më të prapambeturat e një shteti të prapambetur në tërësi. Prandaj është tepër normale, që gjithë ata tifozë ta përkrahin presidentin e tyre në ndeshjen vendimtare për Kupën e Drejtësisë, duke brohoritur, ulëritur, kakarisur e hungëritur, sepse i gjithë kampionati shqiptar përbëhet nga pjesëmarrës me prirje tribale, krahinore, dritëshkurtore e injorancore. Punë e madhe se këta tifozë mund të shpotiten si dallkaukë interesaxhinj e pa shtyllë kurrizore. Për ta është e rëndësishme, që klubi i tyre të jetë ende i treti më i madh në kampionat dhe që presidenti i tyre të qëndrojë sa më gjatë përpara dhe jo pas hekurave.