Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Kronike - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

F
lamur Vezaj
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi paraditen e djeshme nëntë të akuzuarit si organizatorë dhe ekzekutorë të efektivëve të policisë në vitin 1997, ngjarje e njohur si “Masakra e Cërrikut”. Tre nga të pandehurit u dënuan me burgim të përjetshëm dhe gjashtë të tjerët me 118 vite burg në total. Seanca e djeshme gjyqësore ishte e 149-a për nga numri, kur kryesuesi i pesëshesh gjykuese gjyqtari Klodian Kurushi, lexoi vendimin ndaj nëntë të akuzuarve për ngjarjen ku mbetën të vrarë gjashtë efektivë të Gardës së Republikës dhe u plagosën 16 të tjerë.
Sipas vendimit të togave të zeza, është provuar gjatë fazës gjyqësore se organizatorët e kësaj masakre janë të pandehurit Meti Bozi, Arjan Toska dhe Roland Xhepaxhiu, të cilët edhe u dënuan me burgime të përjetshme. Ndërsa, gjashtë të pandehurit e tjerë Llazar Bicja, Tomorr Buzani, Alban Toska, Skënder Cano, Entel Gashi dhe i penduari Bujar Buzani u dënuan në total me 118 vite heqje lirie. Togat e zeza, në vendimin e tyre ndër të tjera pranuan kërkesën e prokurorisë, që të pandehurit Bujar Buzani që është edhe i penduari i “bandës” t’i falen 14 vite burg, duke dënuar përfundimisht me vetëm 8 vite burg.
Nga hetimi gjyqësor, është provuar se me datën 22 Maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë. Të nesërmen, më 23 Maj 1997 forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i atëhershëm Agron Kuliçi (tashmë zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë) në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin në duart e civilëve. Ndërkohë, të pandehurit Arjan Toska, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë. Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 Maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Llazar Bicja, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”. Të pandehurit Toska, Xhepexhiu dhe Bozi kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre.
Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ishin duke kaluar në qendër të qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës. Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.
Buzani, i falen 14 vite burg se bashkëpunoi me prokurorinë
Për të zbardhur këtë masakër, sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, përveç provave të mbledhura nga organi i akuzës ka ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes edhe dëshmia e të penduarit Bujar Buzani. Ky i fundit, edhe pse i pandehur në këtë proces penal, ka pranuar të bashkëpunojë me organin e akuzës, kundrejt përfitimit të uljes së dënimit përfundimtar që do të marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kështu që edhe Gjykata vendosi deklarimin fajtor të pandehurin Buzani për akuzën e vrasjes duke dënuar me 22 vite burg. Por, fal marrëveshjes me organin e akuzës, togat e zeza vendosen përfundimisht për shkak të “Bashkëpunimit me Drejtësinë” që i pandehuri Buzani të vuajë vetëm 8 vite burg.
Dënimet
Meti Bozi, dënohet me burgim të përjetshëm për 6 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Arjan Toska, dënohet me burgim të përjetshëm për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Roland Sota (Xhepexhiu), dënohet me burgim të përjetshëm për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Tomor Buzani, dënohet me 23 vite burg për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Llazar Bicja, dënohet me 22 vjet burg, për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Alban Toska, dënohet me 22 vjet burg, për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Entel Gashi, dënohet me 22 vjet burg, për 5 vrasje, 16 plagosje të policëve
Skëndër Cano, dënohet me 21 vite burg për një vrasje dhe 16 plagosje të policëve
I penduari
Bujar Buzani, dënohet me 23 vite burg për 5 vrasje e 16 plagosje të policëve, i pafajshëm për një vrasje, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë përfundimisht u dënua me 8 vite heqje lirie
Viktimat
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
Të plagosurit
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjeter Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin (Vladimir) Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça