Publikuar me : 14.09.2011 Ne :
Politike - 77 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Saimir Tahiri dje në Kuvend
Luis Tanushi
Partia Socialiste akuzoi ministrin Genc Ruli për lidhje interesash me kompaninë ACR të minierës së Bulqizës. Gjatë interpelancës me ministrin aktual të Ekonomisë Naço, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Sajmir Tahiri theksoi se ACR është kompani e krijuar nga njerëzit e ish-ministrit Genc Ruli dhe drejtues lokalë në Bulqizë që kanë lidhje me PD-në.
“Si fillim marrëveshja koncensionare është lidhur mes shtetit dhe DARFO-s, por pastaj DARFO u zhduk pa shpallur faliment, duke marrë edhe arkëtimin e milionave që kishte fituar në atë moment. Me ndryshim emri u fut në lojë një tjetër kompani ACR. Në 2007 kur fitoi të drejtën për të shfrytëzuar Bulqizën, kishte 7 vjet që mbijetonte në treg. E themeluar në vitin 2000 përfaqësuesi t e saj kanë qenë Kristo Rodi dhe Eduard Belegu. Rodi, shok klase dhe mik i ngushtë me Genc Rulin. Në kohën kur ACR zëvendësoi DARFO-n ishte ministër Ruli. Duket se me miratimin e ministrit të asaj kohe shoku i Rulit, të drejtën për të shfrytëzuar minierën e kaloi nga DARFO te ACR”,- tha Tahiri.
Kreu i PS-së së Tiranës përmendi edhe një rast ku ministri Ruli ka ndihmuar ACR-në që të mos paguajë penalitetet sipas kontratës. “Kompania ACR i dërgon një shkresë METE, ku i kërkohet ministrit ti falen e ti shtyhen penalitetet prej më shumë se 2 milion euro për shkak se kompania nuk kishte realizuar investimin. Shkresën e merr Z. Kristo Rodi, që siç e thash, babai themelues i vetë ACR, tashmë drejtori më i rëndësishëm në METE. Kërkesa e ACR mbërrin në dorën e Ministrit në Dt 8 Korrik 2009 dhe menjëherë në dt 9 Korrik, vetëm 1 ditë më pas, Ministri Genc Ruli firmos marrëveshjen që kishte kërkuar vetë kompania, pra faljen dhe shtyrjen e penaliteteve të parashikuara në marrëveshjen koncesionare. Komanda e korrupsionit të dhunshëm, ai që mbahet me gangsterë e polici, pushtet e ryshfete, kalon nga Roland Keta, kryetari i Bashkisë Bulqizë, njëkohësisht dhe Kryetari i PD Bulqizë. Vëllai i tij, Eduard Keta ka 4 licenca, ato në Zonën D, të cilësuara të paligjshme. Deputetët e PD në Bulqizë kanë nga ca licenca secili, të gjitha në emër të të afërmve dhe miqve në Bulqizë”,- tha Tahiri.
Sipas deputetit socialist, një person tepër i rëndësishëm në rrjetin e kontrabandës është zv.drejtori i përgjithshëm i policisë, ish-truproja personale e Berishës, Agron Kuliçaj. “Kontrabanda shkon më lart, tek “të paprekshmit” e familjes Berisha. Emri i Agron Kuliçajt lidhet drejtpërdrejtë me kontrabandën e mineraleve. Maunet e kontrabandës ngarkohen dhe nisen nga Bulqiza për në Durrës. Rrugët e transportit janë në mbikëqyrjen e strukturave shtetërore, që mesa duket kryesohet nga Agron Kuliçaj. Ngarkesa kontrabandë del nga porti i Durrësit, me emrat e disa kompanive fantazmë, që sipas të dhënave, shumica e tyre të drejtuara nga një shtetas me mbiemrin Nasufi. Kjo kontrabandë përfundon si destinacion final në Kinë, në kujdesen personale të Z. Kristo Rodi, i njëjti që krijoi ACR, që i dha ACR koncesionin e Darfo, i njëjti që ishte drejtor i METE, i njëjti, shoku më i ngushtë i Genc Rulit”,- tha Tahiri.
Ndërsa ministri aktual Naço mbrojti institucionin që ai drejton duke deklaruar se pas grevës në Bulqizë janë edhe interesat e krerëve sindikalistë që bëjnë biznese pas krahëve të punëtorëve. “Pasi kam ndjekur nga afër dinamikën e kësaj greve kam krijuar bindjen e plotë se drejtuesit e grevës po spekulojnë me interesat e ligjshme të minatorëve dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të larguar kompaninë ACR, me synimin e qartë për t’u kthyer nga sindikalistë në biznesmenë, qoftë edhe me financimin e disa grupeve të biznesit lokal që mbajnë peng zgjidhjen e kësaj situate deri në falimentimin e kësaj kompanie dhe largimin e saj nga Shqipëria”, tha Naço. Gjithsesi ministri pranoi se marrëveshjet nënkontraktore të ACR-së me firmat e tjera janë të jashtëligjshme. “Një arsye e rëndësishme e pezullimit të aktivitetit minerar në zonën D, ishte fakti se ACR në 2010 ka lidhur disa kontrata nënkontraktore me subjekte të tjerë që operojnë në këtë fushë pa miratimin e Ministrisë, që është në kundërshtim të plotë më kontratën koncensionare”, u shpreh Naço.
Policia: Kuliçaj nuk bën kontrabandë
Policia e Shtetit ka kundërshtuar dje akuzat e bëra në Parlament nga deputeti Sajmir Tahiri për lidhje me kontrabandën e mineraleve të Zv. drejtorit të Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj. “Policia e Shtetit i konsideron këto akuza presione të papranueshme kundër punës së Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zv.Drejtori i Përgjithshëm Z.Agron Kuliçaj ka depozituar sot pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një padi civile për shpifje për shkak të detyrës kundër shtetasit Sajmir Tahiri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Zv.Drejtori i Përgjithshëm Z.Agron Kuliçaj drejton me sukses Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, sukses i cili është i njohur dhe vlerësuar nga organizata të rëndësishme partnere që asistojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit”,- thuhet në njoftimin e policisë.