Publikuar me : 18.07.2011 Ne :
Kulture - 143 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Para pak ditësh, në qytetin e Mitrovicës u dha shfaqja premierë e dramës “Na, të birtë e shekullit të ri” e autorit Ridvan Dibra. Vepra pa dritën e skenës si dramë fituese e çmimit të tretë në konkursin mbarëkombëtar “Katarina Josipi 2010”.
Me shfaqjen e kësaj premiere, Teatri me tradita i Mitrovicës shënonte edhe një ngjarje të rëndësishme në jetën dhe ecurinë e tij: shpalljen si teatër profesionist.
Në një sallë të tejmbushur, për më shumë se një orë, publiku i Mitrovicës, por dhe të ardhur nga qytetet e tjera të Kosovës, ndoqën me interes shfaqjen, duke e shpërblyer në fund me duartrokitje.
Njerëzit e teatrit vlerësuan tekstin e dramës dhe përkushtimin profesional e pasionant të regjisorit Ben Apolloni, si dhe lojën e aktorëve të rinj Leonora Hasani e Mirsad Ferati.
Në hyrje të dramës së tij, autori Dibra shënon: “Një çift në krizë marrëdhëniesh e identiteti; një plak i sëmurë mes tyre; ndërgjegje të trazuara e që për “Zot” kanë veç egoizmin vetjak; raporte të paqëndrueshme e cinike me vlerat, me të kaluarën e të tashmen; një dramë “pa fund”, vazhdimi dhe zgjidhja e së cilës i lihet spektatorit…”
Kjo dramë do të jepet në disa qytete të Kosovë, për t’u zhvendosur më pas në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Ndërkohë që për shfaqjen e saj ka treguar interesim edhe Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit.