Publikuar me : 15.09.2011 Ne :
Kronike - 37 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ku pas grabitjes me armë të një kazinoje, gjatë operacionit të policisë për kapjen e autorëve, mbetën të plagosur 2 nga grabitësit dhe një punonjës policie.
Në një konferencë për shtyp, drejtori i policisë së kryqeytetit, Saimir Muçaj, ka hedhur dritë mbi situatën e krijuar gjatë arrestimit në flagrancë të autorëve të grabitjes, operacion i cili ishte koduar “Pritja e gjatë” dhe u finalizua me arrestimin e 6 pjesëtarëve të grupit kriminal. Bejo Haxhi Pasha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë; Niklovan Reis Çuraj, 25 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje; Jonida Reis Çuraj, 21 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banuese në Tiranë; Ani Xhevdet Rrapa, 23 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë; Ilirjan Nazif Ilnica, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi; Jedmir Bujar Elmazi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi janë arrestuar për një sërë grabitjesh me armë ndaj kazinove dhe sallave të lojërave të fatit.
Sipas Muçajt, në momentin kur grabitësit po dilnin nga kazinoja, pasi kishin realizuar vjedhjen me armë dhe maska, janë përballur me thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. ”2 prej grabitësve, Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj, janë përgjigjur duke qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë, e cila ka reaguar për neutralizimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur shtetasit Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj si dhe një punonjës i policisë i Forcave Speciale Operacionale”, thuhet në daklaratën zyrtare të policisë.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes: një pjesë predhe metalike, armë zjarri pistoletë e prodhimit italian, një armë pistoletë e llojit Makarov, një sërë sendesh maskuese, të cilët kanë shërbyer për të fshehur identitetin e autorëve dhe një automjet me targë TP 2684 B.
Shtetasit Bejo Pasha i është gjetur në xhep shuma e vjedhur prej 2 milion e 457 mijë lekë të vjetra, 100 euro si dhe 3 telefona celularë, dy prej të cilëve të vjedhura në sallën e lojrëve të fatit. Gjithashtu, hetimet e policisë ndaj këtij grupi kanë dokumentuar 20 vjedhje me armë të kryera prej tyre në kryeqytet.