Publikuar me : 09.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Karsten Jensen*
Tirana ka qenë jashtëzakonisht me fat që disa studio të vlerësuara ndërkombëtarisht i kanë kushtuar kohën dhe përpjekjet e tyre për të marrë pjesë në konkurset e projekteve për të ndërtuar përreth sheshit. Kjo përfshin dy studio arkitekture daneze të famshme në botë, të cilat i fituan konkurset përkatëse. Nëse do të realizohen, këto projekte do ta vendosnin Tiranën të patundur në hartën e arkitekturës botërore. Njerëz nga anembanë botës do të udhëtonin në Tiranë me qëllimin e vetëm për të admiruar ato ndërtesa. Projekti i fundit i Xhamisë dhe Qendrës Kulturore, i hartuar nga një nga emrat më të shquar në arkitekturën ndërkombëtare Bjarke Ingels, BIG, në veçanti, do të ndërgjegjësonte shumë për Tiranën si një destinacion udhëtimi, sikurse do të ishte një gëzim për shqiptarët, për ta soditur e shfrytëzuar.
Tirana gjithashtu ishte me fat që pati arkitektë të njohur ndërkombëtarë të skiconin vetë sheshin. Nuk kam mendim për projektin si të tillë, meqë nuk e kam studiuar atë. Por ajo që do të komentoja është procesi, i cili, shumë sinqerisht, është i padëgjuar, të paktën në ato lloj shoqërish me të cilat Shqipëria aspiron të krahasohet. Të ndryshosh një projekt në mënyrë të njëanëshme, në minutën e fundit, kam frikë se do t’i bëjë studiot e nivelit botëror dhe të tjerat të shmangin angazhimet në projekte shqiptare.
T’i ndryshosh buzëqeshjen Mona Lizës, sepse preferon një ngërdheshje, do të siguroje që Leonardo da Vinçi dhe figura të tjera të këtij kalibri të mendoheshin më shumë se dy herë përpara se t’ju dhuronin talentin e tyre.
Duke e thënë këtë, e di që do të shihem, nga disa, sikur hyj në përleshjen politike për pushtetin në Tiranë. Nëse e bëni këtë, domethënë që nuk më keni kuptuar. Si kryeqytet i vendit, Tirana është vitrina kryesore e Shqipërisë. Nëse dëshira e shprehur e Shqipërisë për t’u bërë një vend turistik dhe një vatër e investitorëve të huaj, të jetë më tepër se një ëndërr në diell, Tirana ka nevojë për një ndihmë të madhe, sikurse e di çdo shqiptar që ka patur shansin të vizitojë kryeqytetet në Europë dhe jashtë saj.
Ju keni nevojë të tërhiqni, jo të dëboni. Kjo është arsyeja pse çfarë ndodhi në sheshin Skënderbej është trishtuese. Kjo është një nga arsyet se përse shkatërrimi i pikës së referimit të Tiranës, Piramidës, do të ishte gjithashtu një gabim i madh. Kjo është arsyeja që, reduktimi i zonave të këmbësorëve dhe korsive të autobuzëve në favor të më shumë makinave dhe madje të një ndotjeje më të madhe – kjo e fundit tashmë është në nivele aq të rrezikshme për shëndetin publik, saqë makinat private mbase do të ndaloheshin në shumicën e qyteteve të tjera Europiane – varros ëndrrat e qytetit për të tërhequr turistë dhe investime të huaja.
Përsëri, nuk po e them këtë për të nxitur interesa të veçantë politik. E them, sepse dëshiroj vërtetë që Shqipëria t’ia dalë mbanë dhe Tirana, duke qenë vitrina dhe kryeqyteti, luan një rol vendimtar në suksesin e të gjithë vendit. Por, kam frikë se ajo çka ndodh këtu, sikurse në shumë destinacione të tjera perspektive për turizmin dhe investimet, po i zhduk me shpejtësi shanset që këto dëshira të bëhen realitet.
*Ambasador i Danimarkës në Tiranë