Publikuar me : 24.12.2011 Ne :
Politike - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Përfaqësuesi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Lavdosh Ferruni, ka deklaruar dje se do të mbledhin brenda dy muajve mbi 50 mijë firma për shkuar në referendum popullor. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai ka sqaruar se krahas vështirësive që iu janë vënë nga vendimi i fundit të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, aleanca do të marrë masë që të mbledhë të gjitha firmat. Nga ana tjetër, ai sqaron procedurën që do të ndiqet dhe plani i kësaj aleance për të arritur në një referendum popullor kundër importit të plehrave.
Pas vendimit të Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e procedurave për referendum popullor kundër importit të plehrave, cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga ju?
Akoma nuk na janë dhënë fletët e votimit edhe pse na u premtua se sot (dje) do t’i merrnim. Kështu KQZ i vodhi dhe 3 dite kohë nismëtarëve, pasi vodhi 2 ditë tej kufirit maksimal që ishte data 20 dhjetor. Fleta e parë do të plotësohet menjëherë në minutat e para të hënën nga vetë nismëtarët dhe që nga ai moment për ne nuk ka më ndalesa. Kemi vënë objektiv që brenda 2 muajve të dorëzojmë në KQZ 50 mijë firma shqiptarësh për të shkuar kështu në të parin referendum të kërkuar nga qytetarët.
A keni vendosur mënyrën e organizimit për mbledhjen e firmave dhe kur do të nisë ajo?
Jemi në kolaudimet e fundit të organizimit, sfida me sajesat që shpiku KQZ për mënyrën si duhen firmosur fletët është shumë më e madhe, por duke parë gatishmërinë e qytetarëve do ia dalim të realizojmë objektivin që i kemi vënë vetes.
Sa firma mendoni se mund të merrni dhe në cilat qytete do të ketë shtrirje më të madhe të kësaj nisme?
Do synojmë të marrim mbi 50000 firma, për të mbuluar dhe ndonjë pakujdesi që mund të ndodhë. Do fillojmë menjëherë grumbullimin e firmave në qytetet kryesore në vend, do të ngremë zyrat tona modeste në to, por pa dyshim do gjejmë mjetet për të penetruar dhe në zonat rurale, edhe pse logjistika atje është shumë e pamjaftueshme për fotokopje etj,.
KQZ ju kërkon që së bashku me firmat që do të hidhen, personi duhet të lërë dhe një fotokopje të letërnjoftimit. A do të sjellë kjo pengesë në marrjen e firmave për shkak të lëvizjes së kufizuar dhe numrit të fotokopjeve që ju duhen?
Sot çdo gjë është e kompjuterizuar. Firmat e secilit (me pak përjashtime) janë të depozituara elektronikisht dhe lehtësisht të verifikueshme. Kliko kodin dhe të del profili i votuesit me të dhënat personale dhe me sy mund të vërtetohet firma e secilit. Një absurditet tjetër që vendosi KQZ është që fleta të ketë në krye Qytetin apo Komunën (për t’u kënaqur që nuk vendosi dhe fshatin e minibashkitë). Sipas kësaj i bie që një vullnetar që mbledh firma në Tirane duhet të ketë me vete 309 fletë, një për secilën komunë dhe 65 fletë për secilën bashki. Çështjen e fotokopjeve do mundohemi ta zgjidhim edhe me mënyra alternative, p.sh. me fotografi dixhitale.
Pas mbledhjes së këtyre firmave, çfarë hapash do të ndiqni dhe sa shanse ka që të zhvillohet një referendum popullor?
Unë mendoj se do jetë një guxim i jashtëzakonshëm nëse pesë vetë në KQZ do të injorojnë vullnetin e 50 mijë firmëtarëve për të ushtruar një të drejtë kushtetuese. Shkelja e kushtetutshmërisë nuk është çudi në Shqipëri, por kur respektimi i saj kërkohet drejtpërdrejt nga sovrani nuk është më shkelje, por shkelmim i demokracisë dhe kjo nuk ka për t’u pranuar.
Çfarë ndodhi në mbledhje e KQZ
KQZ ka pranuar kërkesën e aleancës kundër importit të plehrave, por nga ana tjetër ka rënduar procedurat që duhet të ndiqen për marrjen e firmave. Krahas firmosjes së formularit tip “F-01” që është miratuar nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, të gjithë firmëtarët duhet që të lënë një kopje të kartës së identitetit ose të pasaportës për t’ia bashkëngjitur fletës për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum. “Nga konsulenca që zhvilluam kemi këtë propozim. Mendojmë që në kohë të fletës tip të vendosim qarkun, rrethin, bashkinë ose komunën. Në mënyrë që njerëzit të plotësohen nga e njëjta zonë dhe të mos përzihen. Emri, atësia dhe mbiemri i nënshkruesit do të shkruhen me germa kapitale. Personat të jenë zgjedhës. Numri i identitetit të shkruhet qartë dhe fletët t’i bashkëngjitet fotokopja e kartës së identitetit sipas radhës së nënshkruesve”, – bëri të ditur Ristani. Por anëtari i KQZ-së, Artan Laze, kundërshtoi këtë propozim duke kërkuar që verifikimi të bëhet sipas nënshkrimit të çdo shtetasi shqiptar. Nga ana tjetër, ai sqaroi se nuk ka qenë pjesë e grupit të konsultimit. Përfaqësuesi i PS-së deklaroi se t’i kërkohet çdo personi të lërë një kopje të mjetit të identifikimit do të thotë t’i vesh barrierë të madhe procesit.
Ç’duhet të përmbajë fleta e nënshkrimit
Emri, atësia dhe mbiemri i zgjedhësit që nënshkruan në fletë, të jenë sipas dokumentit të identitetit dhe të shkruhen me germa kapitale, lehtësisht të dallueshme
Numrat e dokumentit të identitetit të shkruhen qartë, lehtësisht të dallueshme
Personat që nënshkruajnë të fletën tip duhet të jenë zgjedhës në momentin e paraqitjes së kërkesës
Plotësimi i fletës duhet të bëhet pa korrigjime
Fotokopje e kartës së identitetit
Çfarë kërkohet të shfuqizohet
Neni 22/ Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve
3. Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se:
a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve;
b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve.
Neni 49/ Importi i mbetjeve jo të rrezikshme
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.
2. Importimi i mbetjeve sipas pikës 1, të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave.
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri.
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
5. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, merr në konsideratë arsyet e importimit të këtyre mbetjeve. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas e llojit dhe kodit, të kërkuar në vend.
6. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
7. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre;
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
8. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.