Publikuar me : 20.07.2011 Ne :
Sociale - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nën titullin “Smiling Cities” për herë të parë po kërkohen masivisht ide se si mund të rivitalizohen lagjet e qyteteve tona. Jo thjesht dhe vetëm nga institucionet që kanë pasur dhe kanë në dorë më së shumti fatin e tyre, edhe duke e keqpërdoruar rëndë atë. Por nga studentët e degëve të arkitekturës, arteve, inxhinierive, nga studiot e dizajnit në vend. Jo vetëm nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Akademia e Arteve, Universiteti UFO me të cilët po bashkëpunohet më tepër, por me pranime të hapura për këdo nga këto degë, nga cilido universitet, edhe jashtë vendit.
“Pjesëmarrja në projekt është e hapur për gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në të, pavarësisht se në ç’universitet studiojnë, se në kë qytet të Shqipërisë apo botës jetojnë, mjafton të jenë të rinj, duke studiuar apo të sapodiplomuar në këto profesione, dhe me ide për të ndryshuar dhe përmirësuar cilësinë e zonave urbane të qyteteve tona”, shpjegon koordinatorja e projektit, Anila Berberi. Më të gatshëm deri tani janë shfaqur sidomos studentët shqiptarë në Itali, edhe pse projekti është shpërndarë në universitete të huaja kudo nëpër botë ku ka shqiptarë. Sensibilizimi në vendin fqinj është arritur falë Shoqatës së Studentëve të Italisë, Interreg Lecce, Skanderbeg Parma etj. Në pak ditë, nga ky vend kanë mbërritur pesë formularë me pesë projekt-ide.
Projekt-ide që si projekt-ideator të kërkimit dhe mbledhjes së tyre kanë arkitektin e njohur Artan Shkreli. “Smiling Cities” është pikërisht një ide e tij, e cila është miratuar dhe po konkretizohet në
bashkëpunim me Fondin Shqiptar për Monumentet, të cilin ai drejton, Shoqatën e Arkitektëve Shqiptarë dhe shoqërinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GiZ, me një këndvështrim të ri për rivlerësimin e hapësirave publike urbane në Shqipëri. Por jo në pikëpamje makrourbane, por mikrourbane, duke u drejtuar nga nevojat konkrete dhe të përditshme të komunitetit, për shërbime cilësore, për një jetë aktive dhe dinamike kudo nëpër lagje, edhe ato periferike.
Në këtë projekt shpjegohet si qëllim edhe rilevimi dhe ruajtja e zonave monumentale, historike, kulturore, duke u bazuar tek bashkekzistenca kulturore, multirajonale dhe multifetare në përputhje me ndryshimet e shpejta të imazhit urban, rivitalizimi dhe promovimi i imazhit të zonave të veçanta të qytetit për krijimin e një identiteti të përbashkët. Duke kërkuar të nxiten edhe debate publike për këto tema. “Projekti tanimë është në fazën e tij të parë, atë të regjistrimit, i cili ka nisur në datën 4 korrik dhe mbyllet në 30 korrik. “Një projekt i konceptuar në pesë faza, të cilat mbyllen me një botim ku do të pasqyrohen 10-15 punimet më të mira, të cilat do t’iu shpërndahen bashkive dhe minibashkive, studiove të arkitekturës dhe inxhinierisë, studiove të design-it, si edhe shumë shoqatave dhe OJQ-ve”, shpjegon Anila Berberi. Me shpresë se inovatorët e rinj do të shpërblehen meritueshëm dhe idetë e tyre do të materializohen duke sjellë sadopak ndryshim në miniambientet e lagjeve, qyteteve tona.
“Ne të rinjtë duhet të jemi më aktivë!”
Joana Luari është një studente 22-vjeçare nga Tirana, e cila studion në vitin e tretë akademik tek universiteti UFO. Një nga plotësueset e formularit për të marrë pjesë në projektin “Smiling Cities”. Në një miniintervistë shpreh disa koncepte se si e vështron një studente e re të sotmen dhe të ardhmen e lagjeve dhe qyteteve tona në tërësi.
Çfarë ndryshimesh mendon se studentët shqiptarë duan dhe mund të sjellin në rritjen e cilësisë së mjediseve në qytetet ku jetojnë?
Ndoshta duhet të kultivohet një frymë e re. Të rinjtë mbase me idetë e tyre novatore, të pandikuara, them se mund të sjellin një ndryshim rrënjësor në të menduarin dhe në të konceptuarin e qyteteve tona, që deri tani karakterizohen sidomos nga një diversitet i pakontrolluar ndërtimesh, të cilat e kanë bërë shumë të vështirë dhe jo normale jetesën.
- 1. Krahasuar dhe ndikuar nga e njëjta kulturë përtej vendit të tyre, sa pranë dhe larg tyre ndihen ata?
Mendoj se lidhja me Perëndimin i ka bërë të rinjtë e sotëm shqiptarë të jenë mendjehapur, ta shohin qytetin në një këndvështrim tjetër. Mbase duke ruajtur traditat e qytetit, pra fytyrën historike të tij nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke i dhënë një pamje të re pjesës tjetër. Duke e reformuar atë sipas një linje të qartë. Tirana, për shembull, ka karakteristikat e plota dhe pritshmëritë më të mira për t’u bërë një qytet modern europian. Por urbanistika është një nga nga fushat kryesore, ku qyteti ynë çalon tejmase.
- 2. Sa dhe si po të stimulon ty ky projekt?
Jam ende duke e menduar për projekt-idenë që do të sjell në këtë projekt, i cili më duket shumë stimulues, pasi në njëfarë mënyre më bën protagoniste në jetën e qytetit, më jep mundësinë të kontribuoj dhe unë në mënyrë modeste në zanafillën për ndryshimin e fytyrës së qytetit tonë.
- Si e mendon të ardhmen e lagjeve dhe qyteteve tona?
Duhet të jemi optimistë, por edhe rinia e sotme duhet të bëjë diçka, të bëhet më aktive në jetën e qytetit. Me anë të nismave të tilla, si ky projekt, për shembull, mendoj se e ardhmja do jetë më e mirë se sa e shkuara, ndërsa e tashmja do jetë si një pararojë për ndryshimet e pritura.
Artan Shkreli, arkitekt: Studentët, më idealistët dhe antikonformistët
Risia e këtij projekti ka të bëjë me përfshirjen e një target grupi të ri me akses në fushën e dijeve profesionale, si studentë dhe të diplomuar në Shqipëri dhe jashtë, në mënyrë që të shprehin idetë e tyre kreative dhe krijimin e një imazhi të ri të qytetit, apo të lagjes. I takon kategorisë së arkitektëve, inxhinierëve dhe dizenjuesve të ardhshëm, të cilët nesër do t’i japin jetë qytetit dhe do të zgjidhin problemet specifike.
Ftojmë pikërisht dhe sidomos studentët apo të sapodiplomuarit, të rinjtë, meqë ata janë më idealistët dhe antikonformistët. Ata mund të përcjellin se çfarë dëshiron vërtet rinia dhe vizionet bashkëkohore. Jemi shumë të interesuar që të kemi studentë që mund të transmetojnë një pjesë të përvojës së tyre evropiane, si edhe një vizion më bashkëkohor, dhe pse jo, edhe më modern. Pra nuk ka rëndësi nëse vazhdojnë studimet apo i kanë përfunduar ato. Pjesëmarrja është e lirë, ashtu siç është e lirë dhe fusha e krijimtarisë se tyre. Të lirë janë dhe në konceptet që duan të zgjedhin, se në ç’lagje apo qytet duan të kontribuojnë. Projekti synon të stimulojë idetë origjinale, duke i lënë rrugë imagjinatës dhe dëshirës për një qytet ku gjithkush mund të lërë gjurmë, të përmirësojë imazhin dhe të ruajë vlerat kulturore dhe historike, të theksojë vlerat që janë harruar, por që koha nuk mund t’i fshijë.
Faza I
4-30 korrik. Regjistrimi. Pranë sekretarive të Universitetit Politeknik të Tiranës, pranë universitetit UFO dhe tek Fondi Shqiptar për Monumentet. Për studentet që studiojnë jashtë Shqipërisë online, duke dërguar të dhënat personale.
Faza 2
23-31 korrik – Katër workshope ose seminare. Për studentet që gjenden ende jashtë shtetit materialet didaktike do të jepen me anë të medias elektronike.
Faza 3
Shtator 2011 – Zhvillimi i konkursit. Do të ketë tre çmime për punimet më të mira, të cilat do të jepen nga një juri e specializuar.
Faza 4
Tetor – Nëntor 2011. Ekspozitë shëtitëse. Dhjetë-pesëmbëdhjetë punimet më të mira do të paraqiten në një ekspozitë shëtitëse në ambiente publike në Tiranë, si dhe në dy rrethe të Shqipërisë.
Faza 5
Nëntor 2011 – Publikim i një libri me 10-15 punimet më të mira, me tekstin, fotografitë dhe design (në shqip dhe anglisht). Edhe me të dhënat e studentëve pjesëmarrës, numrin e telefonit, e-mailin etj.
Anila Berberi: “Do të shërbejë edhe si një kartëvizitë për të nesërmen e këtyre arkitektëve, inxhinierëve, dizenjuesve, projektuesve të së ardhmes”.
Formulari i regjistrimit dhe për çdo sqarim kontaktoni në
në adresat e-mail: anila_berberi@hotmail.com ose
albanianfm@yahoo.com).
Tel: 0682058937
Magdalena Alla