Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Politike - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Vetëkandidimi i Fatos Nanos për postin e Presidentit të Republikës ka detyruar disa nga kolegët dhe rivalët e tij të vjetër brenda PS të kenë qëndrime të kundërta në këtë çështje. Teksa Servet Pëllumbi është shprehur qartë se është kundër kësaj kandidature, Arben Malaj ka preferuar të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm, por duke mbështetur indirekt Nanon. Nga ana tjetër dy socialistë të vjetër si Namik Dokle e Rexhep Meidani i janë shmangur pyetjes konkrete.
I pyetur mbi ambicien e shfaqur nga ish-kryesocialisti për t’u bërë president, profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi tha: “Ajo është një dëshirë e tij. Po të them të drejtën, ata që vetëkandidojnë, nuk i kam shumë qejf”. Nga ana tjetër ai nuk ka shmangur dhe kritikat ndaj aksionit që po ndiqet nga PS-ja, duke dhënë këshilla se si mund të angazhohet në jetën politike. “Do të dëshiroja që PS të kontribuonte më shumë në atë që i mungon shoqërisë shqiptare, dialogu, bashkëpunimi, mirëkuptimi, konvergimi në një filozofi politike kombëtare, pasi realisht kemi shumë potenciale, kemi shumë njerëz të mirë, gjithnjë ka vend për t’u përmirësuar. Edhe unë që 75-vjeç edhe unë mendoj që ka vend për t’u përmirësuar, jo më që Partia Socialiste është një forcë e re politike, është një pasuri kombëtare, një forcë që ka dhe duhet të ketë të ardhme”,- këshilloi Pëllumbi
Shumë nga figurat e PS-së ishin mbledhur dje për të festuar 75 vjetorin e Servet Pëllumbit dhe me këtë rast, Namik Dokle, i pyetur për vetëkandidimin e Nanos tha: “Kur të ketë ditëlindjen ai do të flas”. Nano dhe dokle kanë qenë në PS që në themelimin e saj, por ndër vite mes tyre ka pasur periudha të mira dhe të këqija. Një tjetër bashkëpunëtor i socialistëve, Rexhep Meidani, nuk ka preferuar që të japë një përgjigje mbi rastin “Nano”.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj e ka konsideruar çështjen e presidentit si të parakohshme, por nga ana tjetër ai ka renditur një listë me ato që i cilëson si kontributet e Nanos në politikën shqiptare, të cilat janë vlera që duhet ti ketë Presidenti i Republikës. “Mendoj se është akoma shpejt që politika shqiptare të devijojë fokusin për reformat ekonomike dhe integruese, në debatin për kandidatët për presidentin e ardhshëm të vendit. Në vlerësimin tim, intervista e Nanos nuk synonte të hapte apo nxiste një grindje të re në politikën shqiptare dhe aq më pak në PS. Kontributet pozitive të Nanos në këtë tranzicion të vështirë janë evidente”,- tha dje Malaj.
Më pas ai preferoi të shtjellojë idenë e tij duke thënë: “Nano ka synuar gjithmonë çtensionimin e politikës shqiptare në momente kritike të tranzicionit. Së bashku me kolegët e tjerë në PS, krijuan partinë politike moderne në të majtën shqiptare. Kontributet pozitive janë edhe në zhvillimet politike gjatë vitit 1997 dhe 1998, për të ulur tensionet politike, për të ndarë pushtet me opozitën dhe për të nxjerrë sa më parë vendin nga kriza. Nano ka nxitur bashkëjetesën politike duke ndaluar përkeqësimin e situatës politike në vend siç është marrëveshja e San Egidios, krijimi i qeverisë me bazë të gjerë, ndarje reale të pushtetit me aleatet e koalicioneve, zgjedhja në poste të rëndësishme të institucioneve kushtetuese të personaliteteve edhe nga partitë e tjera politike, siç ishte zgjedhja e presidentit Moisiu në vitin 2002, zgjedhja e kryetarëve të KLSH, etj. Ai krijoi kulturën politike të dorëheqjes, të cilën e ka aplikuar disa herë në mandatet e tij politike si kryeministër i vendit dhe si kryetar i PS-së”.