Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Ilir Yzeiri
Dita që çeli veprimtaritë në nder të 100 vjetorit të Pavarësisë, në mos gaboj, ishte e martë, 17 janar, dhe ishte përzgjedhur pse përkonte me ditën e largët të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Pra, ishte e martë dhe kremtim për një vdekje. Nëse do t’i përmbaheshim kësaj simbolike, por edhe për shumë e shumë arsye të tjera, në këtë ditë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesit më të lartë të shqiptarëve anë e kënd Ballkanit, do të duhej të hynin kokulur dhe të turpëruar, sepse, pas 100 vjetësh, ne, shqiptarët, ende nuk kemi ndërtuar një vend të jetueshëm e normal. Pas 100 vjetësh, ne nuk dimë të jetojmë si njerëz, por nxjerrim apo na dalin nga zonat tona më të errëta politikanë vrasës, antikombëtarë që jo vetëm nuk ndihmojnë që ky vend të bëhet, por sapo i hipin në fyt dhe sapo i hidhen në shpinë Shqipërisë apo Kosovës nisin dhe e shqyejnë duke vrarë shqiptarët, duke i rrahur ata, duke vjedhur e plaçkitur, njësoj si të ishim nën një regjim shtypës e barbar. Këta 100 vjet janë një trishtim i madh për ne shqiptarët, sepse ashtu si 100 vjet më parë edhe sot ne presim nga Bashkësia Europiane që të çlirohemi.
Nëse 100 vjet më parë bashkësia Europiane na njohu Pavarësinë, por na copëtoi e na ndau, 98 vjet më pas ajo na dha prapë lirinë dhe Kosova sot është një shtet i pavarur. Mirëpo, sapo shqiptarët u çliruan prej të huajve, ata u pushtuan nga vetë shqiptarët. Mbreti Zog bëri reforma të thella dha ka merita të padiskutueshme në ndërtimin e shtetit shqiptar. Mirëpo, sapo mori pushtetin, ai ëndërroi të bëhej i përjetshëm dhe madje vrau edhe kundërshtarët politikë. Komunistët patën merita të jashtëzakonshme se e çliruan këtë vend dhe u rreshtuan me forcat përparimtare të kohës, me SHBA-të, Angli-në e BS-në. Mirëpo, sapo erdhën në pushtet, nisën të mendojnë si të bëhen të përjetshëm dhe nga viti 1944 e deri në 1952, sidomos, kryen krime të përbindshme, sidomos ndaj klerit katolik e kundërshtarëve politikë. Në vitin 1990, studentët dhe rinia shqiptare u ngritën në protesta dhe rrëzuan regjimin e kalbur komunist, por në krye të tyre si një mallkim fatal u ngjit një ish-komunist anadollak dhe më i mbrapshti nga dy të parët.
Sot e gjithë ditën një pjesë e madhe e shqiptarëve pyet se përse duhej të dilte në krye të studentëve Sali Berisha ? Përse fati ynë duhej të lidhej me këtë emër ? Këtë askush nuk di të ta thotë, vetëm se një gjë është e sigurt që në si popull kemi nevojë «të këndohemi te ndonjë hoxhë i mirë» se më duket se ose na kanë bërë magji ose jemi të mallkuar në tre breza, ashtu siç ndodhte në mitin e tragjedive greke. Sot, pas 100 vjetësh, ne jemi përsëri në dorë të Bashkësisë Europiane dhe presim prej tyre që të çliromi nga pushtuesit shqiptarë që kanë zaptuar shtetin, gjykatat, mediat, gjithçka. Si të mos mjaftonte Shqipëria, bash në vitin e 100 të kremtimit të Pavarësisë, në Kosovë është shfaqur një pushtues i ri. Ai e ka emrin Hashim Thaçi dhe mesa duket ka vendosur të imitojë atin e tij të mbramë shpirtëror, Sali Berishën. Shkopinjtë mbi trupin e shqiptarëve të Kosovës më 14 maj janë bajoneta me helm të ngulura pas shpine mbi eshtrat e atyre që e ngopën me gjak tokën martire të Kosovës. Mirëpo Hashim Thaçit i është mbushur mendja se ai e ka çliruar Kosovën dhe mund të bëjë me të ç’të dojë se mund të sillet me te ashtu siç sillen trafikantët sarhoshë me një balerinë që kryen striptizë në ndonjë lokal nate në Europë.
Ndaj ky 100 vjetor i Pavarësisë është një vit i trishtueshëm. Më kujtohet një episod cinik dhe sarkastik nga libri i Eqrem Bej Vlorës. Më duket se është koha kur do të mbahet Kongresi i Manastirit dhe Eqerem Vlora punonte në Ministrinë e Brendshme të Perandorisë. Për të marrë pjesë në Kongres i kërkon leje shefit. Dhe ministri i brendshme turk që e dinte se çfarë do të ndodhte në Manastir, i thotë pak a shumë kështu: “hë do të bëni gjuhën tuaj, ë? Pastaj do të bëni shtetin tuaj, apo jo. Ik, i thotë, ik. Ju nuk ju doli gjithë kjo perandori, shkretëtirat, fushat gjithë kjo hapësirë si do t’ju dalë ai vend i vogël, më male shkëmbinj. Ik, ik se atje do të vriteni me njëri-tjetrin, pastaj. Ik, ik… » Më ka mbetur në kujtesë ky episod dhe sidomos në këtë 100-vjetor e sjell shpesh ndër mend. Vërtet qenkemi të mallkuar, vërtet nuk dimë të ndërtojmë demokraci, që do të thotë se vërtet nuk dimë të delegojmë pushtetin te të zgjedhurit tanë? Dhe ja, miku i madh i shqiptarëve, ish-ambasadori Withers, na kujton se ne kemi nevojë për një Skënderbe, sepse nuk jemi një vend perëndimor dhe se qeveritarët tanë nuk e duan këtë vend, thotë ai.
Janë lapidare konkluzionet e tij, se ne jemi një mishmash i pështirë aziatiko-lindor, se zgjedhjet i bëjmë si Rusia, gjykatat i nënshtrojmë si Ukrahina, median e vëmë ndër këmbë si Hungaria dhe unë do të shtoja se protestuesit i vrasim si Siria. Pak kohë më parë një tjetër ambasador i madh i një vendi të vogël, përkatësisht ambasadori danez dha alarmin për plagët e shoqërisë shqiptare dhe për mungesën e demokracisë. Mirëpo, qeveria jonë në vend që të reflektonte, dëshmoi se është ashtu siç e portretizojmë ne, një klan mafioz. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që mesazhe për qeverisje të stilit mafioz, apo si ato të juntave të Amerikës latine, të vinin nga qeveria jonë bash në 100 vjetorin e Pavarësisë. Do të mbeten në kujtesën kolektive për një kohë të gjatë, darka në shtëpinë e Ilir Metës, dy ditë para vendimit të Gjykatës. Pastaj kryeministri që ashtu si kapot e mafies flet me kod. Vera ishte e shkëlqyer. Po peshku ? Këtë nuk na e tha kryeministri. Pastaj kafja në Rogner dhe deklarata e gaztorit të oborrit, Fevziut se Meta nuk do të dënohet. Të gjitha këto skena që mund t’i kishte zili edhe Copola i “Kumbaros” zhvilloheshin në vitin e 100 të Pavarësisë.
Paralelisht me këto kishte nisur puna edhe për të ngritur Komisionin e Festës. Këtu jo për të bërë paralele me novelën e famshme të Kadaresë, por Komisioni i Festës së Qeverisë për të kremtuar 100 vjetorin i ngjet pak atij komisionit që do të organizonte festën e madhe me krerët e një vilajeti dhe kur të mbaronte festa, do të mbylleshin dyert dhe do të niste masakra. Do të priteshin kokat. Në këtë 100 vjetor qeveria në fakt i ka prerë të gjitha kokat. Ajo ka asgjësuar lirinë e medias dhe në vend të saj ka ngritur grupin folklorik “Curla e Lodra”, ka prerë kokën e drejtësisë dhe në vend të saj ka ngritur bustin e familjes Fullani & co. Në këtë 100 vjetor ajo nuk ka më asnjë kundërshtar, të gjithë i ka nënshtruar ose i ka asgjësuar. Ndaj Jozefina Topalli ngazëllehet dhe flet si në jerm për lirinë që i kemi dhënë ne që ajo të lëvizë me një mjet që harxhon 80 milionë lekë karburant në vit. Ajo është e lumtur dhe gjithë dritë se vetëm me karburantin që harxhon na fut duart në xhepa ne shqiptarëve dhe na vjedh miliona lekë. Mirëpo, ajo është e lirë të flasë çfarë të dojë se në festën e 100 vjetorit të gjitha kokat janë prerë dhe atë nuk e kundërshton askush. Ajo dhe qeveria e saj apo Komisioni i Festës janë të lirë të shkatërrojnë gjithçka e të ndërtojnë zyrat e tyre ku të duan e si të duan, sepse në këtë 100 vjetor të gjitha kokat janë prerë dhe ne jemi të detyruar që të rrimë të nënshtruar.
Natyrisht edhe trishtimi e ka një kufi, por ajo që nuk ka kufi e cak është ngulmimi i Berishës dhe oborrit të tij që të mos e lëshojë pushtetin me vota. Në të gjitha shkrimet e mia e kam përsëritur dhe e përsërit prapë. Viti 2013 do të jetë viti më i trishtë për shqiptarët sepse në atë vit Berisha me të tijtë do t’i manipulojë prapë zgjedhjet dhe shqiptarët do të kenë vetëm një mundësi, ndoshta të fundit- rrugën dhe protestat. Në atë vit ne nuk do të jemi në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Atë kremtim do ta kemi lënë pas. Ne do të futemi në shekullin e dytë të Pavarësisë. Por, a do të jetë ai vit çlirimi i vërtetë i shqiptarëve prej shqiptarësh? Unë jam pesimist!