Publikuar me : 24.06.2011 Ne :
Kulture - 184 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Elsa Demo
“Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është
ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.” Citati i përket kapitullit “Shkallët e ndërgjegjes”. Është pjesë nga traktati filozofik që Arshi Pipa e shkroi më 1955 në Burgun e Burrelit, i shoqëruar me
papjekurinë time filozofike dhe nxitimin tim për t’u shprehur. Konferenca shkencore që kishte për subjekt “Skicë e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (Botimet Princi, 2011, botim dygjuhësh italisht-shqip, 470 faqe, përkthim i motrës së autorit, Nedret Kalakulla) e trajtoi në disa aspekte tekstin, kushtet ku u shkrua, vlera në kohë e një vepre që botohet 50 vjet pas shkrimit. Ardian Marashi, Mark Marku, Virion Graçi, Merita Bruci, Hysamedin Ferraj, Elvis Hoxha, Ermal Hasimja, studiues nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe nga fushat filozofike e shkencat politike, dalin në një përfundim deri-diku të përbashkët se kemi të bëjmë me përpjekjen e parë për një sistem të plotë teoriko-filozofik në nivelin më të lartë të njohur deri më tani në mendimin filozofik shqiptar. Ka të tjerë që, do pretendonin më shumë prej raportit ku e vendos Pipa filozofinë edhe me poshtërsinë e burgut. Të tjerë kanë parë te teksti i Pipës, një përpjekje për mbijetesën e mendimit. E në këtë rast ata gjejnë tek vepra aq pretendim sa ka shpallur vetë autori: “Tani për tani mjafton që kam guxuar të hedh hapin, mjafton që kam guxuar të thyej lëvozhgën ku rrezikonte të atrofizohej mendimi im, mjafton që kam guxuar të filloj fluturimin.”
Por ky tekst, për vetë vendin ku dhe kur u shkrua, ka kaluar nëpër një proces që e shpjegon e filologia Merita Bruci. Është ajo që ka bërë transliterimin e dorëshkrimit të cilin e quan “rrallni në mendimin shqiptar”. Dr. Bruci, pra Qendrës së Studimeve Albanologjike merret me dorëshkrimet e vjetra arbëreshe dhe autorët arbëreshë.
Në ç’gjendje e morët dorëshkrimin e traktit filozofik?
Dorëshkrimi në 110 faqe ka ardhur në një fletore të vogël, me një kopertinë me figurën e Stalinit. Për mua nuk ishte as fletore shkolle po një letër ambalazhi e prerë me përmasa të caktuara, e qepur me një pe të trashë. Një letër që është shumë e zbardhur sepse është shkruar edhe me një bojë të zbardhur. Është shkruar me mbetje copash lapsi kopjativ. Është ruajtur deri-diku dhe deri-diku është zbardhur shumë ngjyra. Ka pjesë të dëmtuara në anët e fletores.
Është shkruar në dy kolona çdo faqe, sepse autori ka tentuar që në minimumin e hapësirës të japë maksimumin e
informacionit. Nuk ka shumë rishikime sepse e ka menduar mirë fjalinë para se ta shkruante, ngaqë nuk kishte mundësinë që t’i rikthehej mendimit. Kur ka menduar se diçka nuk shkon, ka korrigjuar dhe mbi të, anash, ka shkruar fjalën që ka dashur.
Deshifrimi i shkrimit ka qenë i vështirë?
Arshi Pipa shkrimin e ka të qartë, por shumë të vogël si kaligrafi. Kam përdorur fotografimin e materialeve, fillimisht i kam zmadhuar dhe pastaj kam verifikuar origjinalin.
Keni bërë një transliterim mbi kriteret e një filologjie moderne?
Parimi i parë është respektimi i vullnetit të autorit, i vullnetit të fundit aq më tepër që autori nuk jeton më. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë është që të pasqyrojmë në mënyrë besnike atë material që kanë lënë sepse s’kanë pasur mundësi t’i rikthehen korrigjimit.
Çfarë donit të thoshit me “teksti është i paprekur dhe thjesht është pluguar”.
Në kuptimin që çdo gjë është ekzaminuar me kujdes. Unë kam lënë variantet po edhe fragmentet që Arshi Pipa ka fshirë, për një studim të mëvonshëm, qoftë të një studimi filozofik, psikologjik, sociologjik, qoftë edhe për të studiuar se sa dinte ai italisht, në kushtet kur ka punuar pa fjalor e pa libra, vetëm me veten e vet. E kam fjalën edhe për përpunimin, gjetjen e një stili tjetër. Shpeshherë në vend të një fjale plebeje ka gjetur një fjalë më fisnike, të një regjistri më të lartë. Në këtë kuptim është pluguar, është punuar në 8thellësi. Në momentin kur unë kam pasur dyshimet e mia, kam pasur ndihmën e Nedretit sepse ajo e njeh shumë mirë kaligrafinë e të vëllait. Ajo ka punuar me përkthimin dhe përkthimi mban parasysh variantin e vullnetit të fundit të autorit.
Poetike e quajtët italishten e këtij traktati.
Sepse shpeshherë përdor edhe fjalë që janë të gjuhës së Dantes. Pipa ka një formim letrar të jashtëzakonshëm dhe shpeshherë këtë formim letrar e vë në përdorim.
Do flisnit për psikologjinë e këtij shkrimi?
Kur unë e mora këtë punë, më tërhoqi aq sa nuk e hiqja dot nga dora. Imagjinoja sikur Pipa nuk ishte brenda mureve të burgut por të një auditori imagjinar, si një prind apo profesor që më jepte këshilla sepse vetë teksti është ndërtuar i tillë. Ajo që ndjeva pasi kam mbaruar gjithë punën, m’u duk një lloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij.
Keni vite që punoni me dorëshkrime të vjetra arbëreshe, të De Radës, Santorit më shumë. Si do ta përshkruanit përvojën?
Janë përvoja që të rrisin respektin dhe përgjegjësinë ndaj së vërtetës së shkruar, së vërtetës që ata kanë shkruar. Së dyti, më kanë mprehur sensin e vëzhgimit po edhe të analizës. Fakti që detyrohesh të punosh mbi një dorëshkrim është njëkohësisht edhe interpretim i mendimit të autorit. Është një situatë që ti e zbulon për herë të parë. Në kushtet kur ne punojmë me dorëshkrime te vjetra dhe autorët nuk jetojmë më, puna e interpretimit të dorëshkrimit kërkon një parapregatitje të madhe vetjake.
Analiza/ Çfarë do kërkoja unë nga Arshi Pipa
Elvis Hoxha
Arshi Pipa u bë personazh i librit të vet. Dhe thotë: në kushtet e burgosjes dhe cakut maksimal unë do t’ju dhuroj tekstin pa cak. Është pak të thuash që ky është një libër burgu. Ky është në fakt një burg i dytë prej teksti dhe është një tekst pa media në kuptimin e mediacionit dhe mundësisë së komunikimit. Ky lloj teksti është shkruar në mënyrë imediate, si të thuash, pa mjedis dhe e dimë fare mirë që burgu këtë gjë ka për mision: të zhdukë, të eliminojë mjedisin. Por le të rrimë te teksti, jo te burgu. Arshi Pipa ka shkruar një tekst pa qëllim, pa pritshmëri, ai ka shkruar dhuratën më dhuratë që mund të ekzistojë: tekstin që nuk pret asgjë prej të tjerëve…
Disiplinat prekin njëra-tjetrën dhe harrohen si në jetë pa kohë, në një territor pa mjedis, tamam sikur gjuha e tij thërret në një formë mospremtimi. Në këtë mënyrë disiplinat treten kaq shumë sa burgu është i përkryer. Po cili? Burgu i tekstit. Autori kalon nga burgu i trupit në atë të mendimit. Arshi Pipa është simbol i një burgu të përhershëm që ka nisur që prej kohësh, para burgosjes fizike të tij prej diktaturës. Është burgosja në tekstin pa cak ku Pipa fshihet në të gjitha rrymat e mendimit që ka arritur të frekuentojë në një kohë student, në një kohë filozofike, ndërsa tani po mundohet të krijojë brenda burgut fizik një territor të mbyllur filozofik.
Ai mendonte se duke mbyllur filozofinë në sintezën e disiplinave humane, do të rigjeneronte një përgjigje të kundërt me burgun që kishte gjetur si banor dhe atë ku e kishin hedhur si qytetar.
Së dyti dhe ky duhej të ishte sekreti i tij më i dhimbshëm – më shumë kërkoj të gjej sekretin e tij, si qarkullonte mendimi i tij në atë zonë, – ai ndjeu se filozofinë në kushte lirie nuk mund ta përdorte dot në mënyrë të denjë. Ndoshta dhe ky është raporti i tij më filozofik me filozofinë, ndoshta raporti më spinozist. Ai e sheh filozofinë si ushtrim në kushtet e vuajtjes dhe përmbylljes dhe jo si ushtrim të lirë, të lëshuar, aty ku filozofia njeh
gjithë poshtërsinë e njeriut, – ai thotë në burg njoha
gjithë poshtërsinë e njeriut. Fantastike kjo frazë e tij, sikur ka njohur gjithë gamën e poshtërsisë, nga momenti më i lartë në momentin më vulgar. Burgu, figurën e poshtërisë e zmadhon maksimalisht dhe këtë e deklaron autori. Ai i kthehet, në njëfarë mënyre, asaj që Deleuze e quan një lloj intimiteti të specializuar, një lloj shije materiale dhe fuqishmërie potencialiteti si ajo e zdrukthëtarit për drurin.
Çfarë do kërkoja unë nga Arshi Pipa? Që këtë poshtërsi ta merrte në analizën e tij me të gjitha mjetet që dispononte si dije. Aty ku të gjithë do gjenin mrekullinë Arshi Pipa unë gjej përhumbjen e tij. Duhej që t’i qëndronte filozofisë në raportin e tij me poshtërsinë. Të bënte filozofinë e poshtërsisë. Këtu i kemi ne humbjet e mëdha. Arshi Pipa në vend të kësaj ka ndjerë gjithmonë hendekun e madh filozofik të Shqipërisë me historinë e vet.
Opinione
Amik Kasoruho, bashkëvuajtësi
Isha i ri kur e kam njohur. Ai vinte nga burgu i Gjirokastrës në atë të Burrelit. U bëmë miq. Na bashkonin shumë gjëra, na ndante mosha dhe dijet. Në orën e shëtitjes për ajrosje, ai rrethohej gjithnjë nga të rinj. Ishte fjalëpak por bindës, krenar por i thjeshtë, mjeshtër por me zemër të çelur. Më ka qëlluar të jetoj në një kaush burgu bashkë me 50 të tjerë si ai. Do kujtoj pak: Suad Asllani, Kudret Kokoshi, At Donat Kurti, At Pjetër Mëshkalla, Koço Tasi, që na patën mësuar çka dinim, po edhe çka duhej të dinim. Prej Pipës dëgjova për të parë për De Sanctis-in, Quasimodon, Montalen, që ai i njihte mirë. Filozofët e lashtësisë dhe deri ata të vonë të kohëve moderne, ishin njohuri abstrakte për ne të rinjtë e paditur, që s’ua kishim dëgjuar as emrin. Se ç’mësohej asokohe nëpër shkolla, është e ditur. Dhe Pipa me durim, na shpjegonte atë që s’do ta kishim kuptuar kurrë. Ishte ky çasti kur Arshi Pipa nga shok burgu bëhej mësuesi ynë.
Mark Marku: Mbi ligjërimin e Pipës
E konsideroj veprën e Arshi Pipës një kthesë etike në shkrimet shqipe për diktaturën. Ai nuk sajon, rrëfimi i tij është i pamëshirshëm, i ashpër, i drejtpërdrejtë, gjuha është po aq e drejtpërdrejtë dhe duket sikur autori i ka kthyer statusin e saj primordial. Ndërkohë që në kohën e komunizmit gjuhës i është dhënë statusi i fshehjes së asaj çfarë duhej thënë. Gjuha nuk duhej të thoshte. Por gjuha thotë në mënyrë transparentë atë që ka ndodhur dhe ajo që ka ndodhur është e tmerrshme, prandaj duhet thënë. Ky është mesazhi i Pipës.