Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
2011-s sipas Edi Rames dhe Sali Berishes

Publikuar me : 29.12.2011 Ne : Politike - 42 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë mbrëmë një rezyme të vitit politik që sapo lamë pas duke e nisur nga ngjarja më e rëndësishme, 21 Janari. Duke kërkuar drejtësi për katër viktimat, Rama tha se prokuroria po pengohet që të bëjë punën e saj për të zbardhur të vërtetën. Sipas Ramës, zgjedhjet e 8 majit ishin shkaku përse vendi ynë nuk mori statusin kandidat për në BE. Më pas kreu i opozitës ka ndaluar tek zhvillimet e fundit politike si çështja e Presidentit të ri, deklarimi i Bamir Topit se nuk do konkurrojë për një mandat të dytë, kandidimi apo jo i Fatos Nanos dhe kriteret që duhet të ketë kreu i shtetit. Duke komentuar përjashtimin e Islamit nga Partia, Rama tha: “Nuk ka asnjë kthim mbrapa në këtë çështje. Tashmë është një çështje e mbyllur”.

 

Ditët e fundit keni qenë në familjet e viktimave të 21 janarit. “Nuk ka qetësi për familjet e këtyre familjeve pa drejtësi”, jeni shprehur ju. Jemi shumë larg të dhënit drejtësi?

Jemi shumë larg por dhe në kushtet kur rikonfirmohet mungesa e drejtësisë, sidomos për ato familjet e gjymtuara nga pushkët e pushtetit. Por nuk ka qetësi dhe për çdo familje shqiptare në kushtet e mungesës së drejtësisë.

 

Prokuroria nuk ka kursyer ndaj një momenti të rëndësishëm duke deklaruar se po pengohet për të realizuar këtë mision?

Prokuroria është penguar që ditën e parë me refuzimin për të dorëzuar të gjithë zinxhirin e komandës dhe më pas është penguar në vijimësi duke u lejuar të bëjë vetëm një pjesë që është pjesa më e pakonsiderueshme e procesit, që është ndëshkimi i qytetarëve që qëlluan me gurë, të cilët kanë kaluar në proceset gjyqësore dhe një pjesë e tyre kanë marrë dhe dënimin në gjykatë ndërkohë që ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krimin, ende janë të lirë, dhe urdhëruesit e tyre madje i sheshin moral popullit shqiptar.

 

Si ishin zgjedhjet lokale për ju, çfarë zgjedhjesh bëmë në 8 maj?

Bëmë të atilla zgjedhje që i vunë vulën edhe refuzimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat. Zgjedhjet e Tiranës treguan në sytë e gjithë botës themelin e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe e vunë vendin përpara një kushti themelor që ose duhet plotësuar ose Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit në BE.

 

Presidenti Bamir Topi tha se nuk do të rikandidojë për postin e kreut të shtetit. Si do ta cilësoni këtë vendim të presidentit Topi?

Unë mendoj që zoti Topi në mënyrë shumë fisnike u deklarua i palidhur me asnjë interes për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm në kuptimin e personit të tij. Besoj se kjo ishte një mënyrë e respektueshme për të lënë të lirë fushën nga çdo lloj spekulimi dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi të gjitha palëve që këtë proces ta ndërtojnë pa “pengesën’ e vetë zotit Topi. Me këtë rast besoj se më takon që për hir të së vërtetës t’i shpreh respektin Presidentit të Republikës, i cili, mund të themi çfarë të duam nga pozicioni ynë, por askush nuk mund të mohojë se në mënyrën e tij ishte një President mbi palët. Nuk ishte një president i PD dhe as një president i PS. Ishte një President mbi palët. Çdo kritikë që mund t’i bëhet për mënyrën se si mund të kishte administruar në një moment apo në një tjetër funksionin dhe përgjegjësinë e tij, vjen më pas. Por konsiderata e parë është kjo, që pavarësisht se u votua nga PD, ai nuk ishte një President që i shërbeu partisë, por ishte një president që me këndvështrimin që zgjodhi, funksionoi si garanti i kushtetutës.

 

Kryeministri Berisha duke folur për reformën zgjedhore hodhi poshtë kategorikisht poshtë idenë e rishikimit të sistemit, madje edhe për çështjen e listave të hapura, që e kanë kërkuar aleatët e PS-së por edhe aleatët e kryeministrit Berisha. Cili është qëndrimi juaj për çështjen e sistemit?

Qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të gjejmë dakordësi me partitë e vogla për t’u dhënë atyre mundësinë që të kenë një përfaqësim më të drejtë sipas tyre. Dhe ky është një qëndrim i cili buron edhe nga domosdoshmëria që procesi ofron të jetë një proces gjithëpërfshirës, të jetë një proces transparent dhe të jetë një proces i ndershëm me të gjithë, pastaj kuptohet që secili ka votën e tij. Dy partitë e mëdha kanë veton e tyre dhe në rast se PD-ja e vendos këtë veto, sigurisht që nuk mund të ketë një ndryshim sistemi. Asnjë lloj ndryshimi në fakt në ligjin zgjedhor. Por ne, jo vetëm që nuk do të vendosim veton, por përkundrazi do të hapim të gjitha kanatet e komunikimit me partitë e vogla dhe do të bëjmë gjithçka na takon për të gjetur dakordësi me ta për tu thënë që PS-ja është e gatshme ta rishikojë sistemin në funksion të rritjes së proporcionalitetit. Ç’ka do të thotë që përsëri ne, marrëveshja me Evropën dhe misioni që kemi marrë përsipër si alternativa evropiane e shqiptarëve na imponon të sillemi si evropianë, si demokratë dhe si shqiptarë të urtë që t’i japim të gjitha shanset përmirësimit të sistemit në këtë rast, përmirësimit të çdo ligji në çdo rast dhe përmirësimit të politikës në Shqipëri në të gjitha rastet. Thënë kjo duhet të kujtojmë që për 2 vjet me radhë dhe qindra herë, qoftë Saliu, qoftë përfaqësuesit e qeverisë e kanë përsëritur që janë të gatshëm të pranojnë çdo ndryshim të sistemit që kërkon opozita, madje kanë arritur të thonë që jemi të gatshëm të pranojmë të ndryshojmë edhe krejt sistemin në rast se opozita e kërkon. E si është e mundur që sot, që opozita është e ulur në tryezë ta refuzojnë kategorikisht një gjë të tillë. Megjithatë shqiptarët na shohin, na dëgjojnë dhe le të na gjykojnë. Ne nuk kemi mekanizma për të ndryshuar gjërat me forcë, sepse demokracia nuk e prezumon një gjë të tillë. Ama u takon qytetarëve që të gjykojnë sjelljen dhe rezultatet e çdo sjellje të çdo force politike.

 

Një çështje tjetër që vuri në dyshim, ishte edhe numërimi elektronik dhe zoti Berisha mori një shembull nga procesi që përdorët në Asamble…?

Tani që ai ka zgjedhur t’i referohet Nastradinit sa herë që kërkon t’i shmanget një problemi dhe diskutimi serioz duke sigurisht gjetur veshë që e dëgjojnë në një pjesë të elektoratit, kjo është një gjë që dihet, nuk është një gjë e re dhe nuk është një gjë që ka ndodhur për herë të fundit, në rastin që përmendni ju. Numërimi elektronik në proceset zgjedhore, bëhet me makineri të ndërtuara për atë punë dhe mjaftueshmërisht të sofistikuara, të cilat po hyjnë gjithnjë e më shumë në proceset elektorale. Ajo ç’ka ne bëmë Asamblenë tonë Kombëtare ishte një eksperiment i vullnetit të mirë, me një makineri që e gjetëm këtu nga ato makineri që numërojnë apo që llogarisin notat e provimeve apo që përdoren në konkurset e universiteteve dhe që kishte disa ekzigjenca të karakterit teknik për mënyrën se si vendosen votat që praktikisht e bën të pamundur numërimin elektronik dhe të shpejtë, gjë që na ktheu tek numërimi tradicional, që mbaroi brenda ditës dhe jo ashtu siç e tha këtu Saliu që u desh një javë ditë –natë që të numëronin. Kur dëgjon të tilla broçkulla, të thëna pa asnjë gajle, gjëja që shqetëson më shumë është që ka megjithatë shqiptarë që e dëgjojnë dhe e besojnë, ndërkohë që rrena është e pranishme në çdo rast kur ka një përgjigje serioze për të dhënë dhe kur ka një çështje serioze për të debatuar, për t’ju shmangur të vërtetës, për t’ju shmangur problemit, për t’ju shmangur shqetësimit real, dhe për të krijuar menjëherë një mjegull, pas të cilës njerëzit të mos jenë më në gjendje të shohin mirë se ku është e vërteta dhe ku është gënjeshtra.

 

Flasim për një çështje që ka qenë në diskutim, çështja e çregjistrimit të zotit Islami. Ka kthim mbrapa, duke pasur parasysh edhe kontributet e zotit Islami…?

Nuk ka asnjë kthim mbrapa në këtë çështje. Tashmë është një çështje e mbyllur, madje është edhe një çështje e vjetër tanimë me shpejtësinë e lajmeve dhe të informacionit. E vetmja gjë që dua të rinënvizoj, për të respektuar pyetjen tuaj, Partia Socialiste është një bashkim vullnetar, sigurisht garanton liri dhe hapësirë për mendimin e të gjithëve, por nuk mund të sfidohet nga askush në themelin e bashkëjetesës së vet. Ndërkohë që ka boll hapësirë për të thënë dhe për të mbajtur qëndrime që bien ndesh me interesat, që bien ndesh me politikën, që bien ndesh me vendimet e Partisë Socialiste dhe kjo i garanton mundësinë çdo individë që të vazhdojë të bëjë politikë, por jo në Partinë Socialiste dhe në dëm të Partisë Socialiste.

 

Pra, zoti Islami ishte një lloj sfidimi për PS-në, ndryshe nga zoti Malaj që madje edhe u rizgjodh në Kryesinë e partisë apo zotin Blushi po ashtu…?

Është i njohur episodi. Nuk ishte vendimi që vajti te Kastrioti, por ishte Kastrioti që vajti e u përplas te vendimi i marrë përpara se sa ai të bënte aktin e shkeljes së një vendimi politik, për të cilin statuti është i qartë, por jo vetëm statuti, por në frymën e mirëkuptimit pas disa ngjarjesh të papëlqyeshme në kohë, grupi parlamentar vendosi që të zbatohet rigorozisht dhe të gjithë kontribuuan për zbatimin e tij. i vetmi që e theu vendimin pa asnjë arsye tjetër përveç faktit që cenoi arbitrarisht këtë vendim ishte Kastriot Islami dhe mori atë që meritonte.

 

Është diskutuar para kohe ndoshta shfaqja e kandidaturës së zotit Nano për postin e Presidentit. Në një komunikim për mediat pak ditë më parë zoti Nano tha se “PS nuk ka vdekur” duke nënkuptuar se mund të marrë votat brenda PS në rast se do jetë si kandidaturë…?

Unë mendoj që ky nuk është një proces i të marruri votash këtej e andej. Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces evropian. Në radhë të parë ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër dhe përsëris edhe pse ka pasur një refuzim banal nga ana tjetër për atë që unë kam shprehur, përsëris se ne na duhet të shkojmë drejt një presidenti mbi palët. Duhet një president që të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice shumë të kufizuar numrash edhe pse Kushtetuta e ndryshuar parasheh që në rast se 3 raundet e para dështojnë atëherë Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, por kjo nuk do të thotë që ne harrojmë se fryma e Kushtetutës kërkon një president tërësisht të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim të interesit kombëtar, të unitetit kombëtar dhe të Kushtetutës dhe të pavarësisë së atij institucioni. Për më tepër po të shohim edhe eksperiencat e vendeve të tjera, marrim Greqinë apo vendet e tjera, pavarësisht se shkojnë në fund procedurialisht në fund drejt 50 plus 1, në frymë që në fund kanë një traditë që dakordësohen për një figurë që si rregull për të mirën e vendit dhe në interes të kombit është mbi palët dhe është jashtë palëve. Kështu që edhe në këtë rast ne, shqiptarët na ndjekin, na dëgjojnë dhe do të na gjykojnë, ne do t’u themi shqiptarëve se çfarë presidenti duam për Shqipërinë dhe sigurisht edhe në këtë rast ç’ka na intereson është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë evropiane dhe jo interesi partiak, gjë që modestisht e treguam me një shembull, i cili në këndvështrimin tim u dha një shenjë njerëzve të këtij vendi, për mënyrën se si duam ta administrojmë Shqipërinë përmes një administrimi publik evropian me Avokatin e Popullit. Pra, ky është vizioni ynë dhe kjo është rruga jonë dhe në këtë rrugë dhe me këtë vizion ne duam t’i japim Shqipërisë një politikë të re.

Marrë me shkurtime nga “Ora News”

 

* * *

 

Berisha: Reforma zgjedhore, nuk u përgjigjem kërkesave të opozitës 

Kryeministri Berisha ka bërë dje bilancin e vitit që po lëmë pas duke e cilësuar atë si shumë të suksesshëm. Duke lavdëruar policinë për ngjarjen e 21 Janarit dhe zgjedhjet vendore, Berisha ka thënë se mazhoranca ka shtuar numrin e votave të saj. Ai ka sulmuar opozitën si shkaktare të mohimit të statusit të vendit kandidat. Duke u ndalur tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, Berisha është shprehur se nuk mund të plotësojë kërkesat e opozitës.

Për protestën e 21 janarit
Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara, pa asnjë arsye ligjore. Ngjarje që testuan e provuan funksionimin e kushtetutshmërisë së vendit. Ngjarje që morën përgjigjen më kushtetuese e ligjore. Shqipëria u faktua si një vend i shtetit ligjor, për të dhënë një herë e përgjithmonë mesazhin se në këtë vend askush e kurrkush nuk mundet që një qeveri të zgjedhur me votën e lirë ta nxjerrë nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë.

 

Zgjedhjet e 8 majit

Viti pati dy ngjarje e zhvillime të tjera të mëdha, në të cilat u testua dhe u provua sërish funksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor, në këtë vend. Këto ishin zgjedhjet e 8 majit. Zgjedhje, ku, pavarësisht nga përpjekjet, nga zhurma e nga qëndrime kundërthënëse, ngadhënjeu rendi kushtetues i këtij vendi dhe e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar, numëruar e vlerësuar vota e tyre. E vërteta është se në këto zgjedhje, institucionet kushtetuese të  vendit kaluan një nga testet më serioze për çdo vend demokratik, për shkak të ngushtësisë së garës. Në këtë proces, mazhoranca, me përpjekjet e reformat e saj, mori vlerësimin më maksimal në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi, 12 për qind më shumë vota, 19 deputetë të konvertuar në votim politik nga vota e përgjithshme e partive, fitore në shkallë vendi në bashki e komuna. Kjo mazhorancë mori në qytetin e Tiranës, në të katër garat, 10 900 vota më shumë.

Statusi i vendit kandidat 

Këtë vit, Shqipëria e nuk mori statusin e vendit kandidat dhe kjo, sepse opozita shqiptarë, në një akt paprecedent në historinë e Europës vendosi të përdorë votën e saj për të bllokuar ligjet. Shqipëria nuk e mori statusin jo se nuk u hartuan ligjet, pasi ato u hartuan dhe për to u shpenzuan miliona euro e dollarë nga partnerët tanë europianë e amerikanë, për hartimin e tyre u angazhuan ekspertët më të mirë të Europës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ato nuk u votuan, sepse opozita, me një qëndrim politik të verbër  në vlerësimin tim, mendoi se duke bllokuar votimin e tyre, do të mund të dëmtonte qeverinë dhe do t’ia faturonte asaj në zgjedhjet lokale bllokimin që ajo i bënte statusit të kandidatit.

Për ekonominë
Në rrafshin konkret, ekonomia shqiptare ka njohur këtë vit zhvillime pozitive. Vetëm në fushën e energjisë, qeveria ka firmosur me investitorë privatë, kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve. Në vitin 2010 pati një rënie të interesit, por këtë vit ka një pasion të madh për ndërtimin e tyre. Në vitin më të vështirë e të thatësirës së tejzgjatur për digat, energjia elektrike nuk ka munguar qoftë dhe një orë të vetme për mungesë të saj. Tjetër janë defektet dhe papërgjegjësitë njerëzore. Është importuar energji elektrike sa kurrë më parë, deri në 17 milion kilovat/orë në ditë. Janë mbuluar me garanci sovrane kreditë e KESH-it, rreth 100 milion euro.

Këtë vit kanë humbur jetën në miniera dhjetë persona ndërsa kryeministri Berisha dje tha:

Një gjallërim të madh ka marrë sektori i minierave dhe naftës. Ky vit mbyllet me dyfishimin e prodhimit të naftës, krahasuar me vitin 2005, 890 mijë ton. Ky është një vit rekord i prodhimit të naftës. Në minerale, bazalte e gurë dekorative u eksportua në një total prej 8 milionë ton më shumë se kurrë në historinë e këtij vendi. Interesi për pasuritë natyrore të Shqipërisë është shumë i madh. Kompani ndër më seriozet ndërkombëtare janë në eksplorim dhe shfrytëzim të këtyre pasurive.
Për ligjin që lejon importin e plehrave

Së fundmi, ne miratuam dhe ligjin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Historia e tij e zhurmës mund të thuhet se është “shumë zhurmë për asgjë”. Siç u faktua ky ligj është në të gjithë faktorët, një nga ligjet më të mira, i standardeve më të mira, i cili ka qëllim para së gjithash dhe mbi të gjitha të mbrojë këtë vend nga importi i mbetjeve te rrezikshme dhe unë jam shprehur që çdo vendim qeverie për importin unë jam i gatshëm që para se të firmoset ta bëjmë objekt debati me shoqërinë civile, pasi unë, duke lënë mënjanë krahun antiglobal të saj, për pjesën tjetër kam respektin më madh, pasi ata janë studiues shumë të dobishëm, të përgjegjshëm, japin alarmin dhe i shërbejnë shumë interesit publik me qëndrimin e tyre.

Arrat dhe arrorët

Natyrisht Shqipëria nuk mund të bëhet një ullishte e krahasueshme me Italinë, Greqinë, Spanjën, por Shqipëria mund të bëhet një Kaliforni e vogël në arrorë dhe të bëhet një nga eksportuesit më të rëndësishëm të arroreve ne Evropë. Kur e beri Zoti këtë vend e bëri Zvicër me det, e beri Norvegji me ujëra, e beri Kaliforni me klimën e saj, pavarësisht se mjegullat e kohës nuk lejuan asnjëherë që këto të shkëlqejnë.

 

Për Gërdecin

Rreziku më madhor në këtë tokë për shqiptarët kanë qene 115 mijë municione të skaduara, të cilat vetvetishëm mund të shpërthenin dhe te krijonin katastrofa njerëzore shumë të mëdha. Ne e provuam njërën prej tyre, shumë fatkeqe.

 

Për twitter

Si komunikim on line unë mbaj mesazhet e celularit, sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e larta në Shqipëri, është 140 për qind. Interneti është më i kufizuar, rreth 50 për qind. Në qoftë se interneti do të arrijë në ato shifra që unë e gjykoj se çdo qytetar do mund të më drejtohet mua, do kaloj me kënaqësi në twitter, sepse varianti me sms, ç’është e vërteta, është më i mundimshëm. Kështu që unë nuk bëj kartolina on line, por bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave dhe kjo është një kartolinë zyrtare që unë e dërgoj si kryeministër.

 

Për reformën zgjedhore

Kryeministri Berisha: Në rast se ju kujtohet, oferta ime ka qenë e dyzuar. I kam ofruar opozitës që, në rast se dëshironte, të hartonte vetë të gjithë Kodin Zgjedhor dhe ne ta votonim në parlament pa asnjë kusht, pasi të merrte viston nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR, sepse unë kam bindjen më të madhe se nuk do të servirin asgjë që nuk është në standardet ndërkombëtare. Por opozita e ka refuzuar këtë. Përse e refuzoi? A ka ofertë më bujare mbi tokë, se kjo? Ky është maksimumi i të gjitha maksimumeve. Ajo e refuzoi, sepse e dinte se do ta shkruante dhe unë do ta votoja. Ajo do t’i humbte zgjedhjet dhe do të bëhej pastaj qesharake edhe në sytë e botës, sepse do t’i thoshin se edhe me Kodin që hartove vetë i humbe zgjedhjet. Ndaj, ata thanë se do ta bëjmë bashkë. Por, nëse e bëjmë së bashku, ky proces bëhet mbi bazën e respektit reciprok. A mundem unë t’u them bashkëpunëtorëve të mi, shkoni dhe uluni me bashkëpunëtorët e zotit Rama, me moton Signor si. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse ky është edhe dinjitet njerëzor dhe nuk mund t’i kërkosh kurrë një bashkëpunëtori gjëra që bien në kundërshtim me atë.

 

Për presidentin

Kam deklaruar se do të zbatohet Kushtetuta. Kushtetuta e saktëson qartësisht. Cili është mekanizmi i përzgjedhjes së Presidentit. Për ata që janë të interesuar dua të theksoj se një nga tre shtyllat kryesore është kushtetutshmëria. Në mënyrë që të mos mund të ndodhin deformime siç është konsoliduar gjithnjë e më shumë si shtyllë kryesore. Zgjedhja e Presidentit është e saktësuar në Kushtetutë. A kthehet ai në parti të madhe apo parti të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të vogël as të madhe, është për Presidenti, të cilit Kushtetuta i thotë që do mbash ato qëndrime.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Topi Presidenti i ri, konsensual dhe jo nga maxhoranca

Publikuar me : 18.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 45 here.
Topi  Presidenti i ri, konsensual dhe jo nga maxhorancaBamir Topi / Foto arkiv Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, presidenti Bamir Topi, u shpreh sot se pasardhësi i tij duhet të jetë konsensual dhe jo nga radhët e maxhorancës. Topi u shpreh për një proces serioz dhe me frymë konsensuale dhe theksoi se një kandidat nga radhët e maxhorancës më së paku do të paragjykohej për ecurinë e këtij institucioni. “Përpara se ta thonë ndërkombëtarët, e thotë Kushtetuta e Shqipërisë. Ne në një farë mënyrë po...Lexo te gjithe artikullin »


» Uollfarth Presidenti, konsensual dhe i pranueshem nga te gjithe
» Berisha-Thaci “Smilkovski”, spekulimi per shkaqe etnike nuk i sherben paqes ne rajon
» Berisha-Thaci Ngjarjet ne Maqedoni, spekulimi per shkaqe etnike nuk i sherben paqes ne rajon
» MJAFT, kunder Nanos, Metes e Topallit per president
» Plani urbanistik, Basha I mbajta premtimet e fushates
» Topi nderon “Vatren” dhe Ricard Gir
» MJAFT protesta kunder kandidatures se Nanos, Metes dhe Topallit
» Berisha Ne vitin 2015, mesuesit do te jene te gjithe anglishtfoles
» Qeverisja lokale, Arvizu Menaxhimi i fondeve te jete transparent, Berisha I japim te gjitha kompetencat
» Pronat, votohen tre ligjet per token, ja si do te jepen tapite

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit