Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kuriozitete - 30 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Alban SEJDINI
Nata e ndërrimit të viteve dy jave me pare nuk u duk aq shpërthyese në qiell e tavolina sa herët e tjera, të paktën në Tiranë. Në këto kohë të bumit ekonomik qeveritaro-shqiptar, njerëzit duken të ndërgjegjësuar për rrezikshmërinë nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe tejngopja me mish e bakllava. Me stomaqe në prag të plasjes dhe shpesh me duar e sy të shpartalluara nga plasja e fishekzjarrëve të hyrë pa asnjë kontroll cilësie, shqiptarët bëjnë prej vitesh bilancin e një nate të ekzagjerimeve në mëngjesin e 1 janarit. Gjatë kësaj kohe, shefat e vendit i bëjnë garën e zakonshme njëri-tjetrit në Formula Njëshin e lindjeve nëpër maternitete. Përveç këtyre gjërave normale për një komb, që për pak vdiq nga uria vetëm 20 vite më parë, në ditët e para të këtij viti të ri doli edhe grafiku i INSTAT-it për rritjen ekonomike që ka marrë formën e ujëvarës, si dhe rikujtesa për deklarimin e të ardhurave personale për çdo individ.
Viti 2012 duhet të bëhet xheloz për vitet e tjera, sepse nuk u prit me të njëjtin eksitim të zjarrtë shqiptaresk si në të kaluarën. Madje, vrulli fishekzjarrist i ngjante më shumë një inercie të ushqyer nga sedra e sëmurë sesa asaj zallamahisë plot ngjyra, drita e zhurma të viteve të fundit. As dritat nuk iu panë dhe as krismat nuk iu dëgjuan kallashëve të dashur këtë herë. Gjithë-gjithë, as 20 minuta atmosferë festive në fillim të vitit të ri, duke shtuar këtu edhe ato pak fishekzjarre të bashkisë. Meqenëse çeveria thotë se nuk ekziston ndonjë krizë e likuiditetit në vend, me siguri që kundër përdorimit të tepruar të fishekzjarreve kanë ndikuar fushatat informative ndërgjegjësuese të organizuara nga autoritetet shtetërore. Përveç kësaj, nëpër vendet ku tradicionalisht janë shitur fishekzjarre kalonin rregullisht punonjësit e bashkisë së Tiranës, duke penguar shumicën, por jo të gjithë tregtarët. Nuk diheshin mirë bazat e përzgjedhjes së kritereve se kush mund të shesë dhe kush jo, por gjithsesi shtrëngimet e dhanë efektin e duhur në qiellin e mesnatës kryeqytetase.
Ashtu si edhe vitet e tjera, nëpër maternitetet e kryeqytetit u bë përsëri garë midis drejtuesve të vendit për të dalë para kamerave me mamanë që është sfilitur e para dhe me fëmijën që ka qarë i pari në këtë jetë për vitin e ri. Në këtë garë mëngjezore të politikanëve të etur për vëmendje publike dhe të prindërve për emra të çuditshëm fëmijësh u duk se fitoi një foshnje në Durrës, që sipas mjekut erdhi në jetë 5 sekonda pas mesnate. Siç duket, operacioni i sjelljes midis të lumturve të këtij kombi të një tjetër shqiptari matet njëlloj si operacioni i
pit stop-it në garat me mjete motorike. “Shkova, pashë, linda”, po të perifrazohet Jul Qezari në variantin albanez. Rrezik kjo nuk bëhet për të qenë sa më të shpejtë në “ndërrimin e gomave”, por thjesht për të tërhequr sadopak vëmendje nga të fuqishmit e politikës, që vit për vit vizitojnë gjithsesi të njëjtat spitale jo shumë larg shtëpive të tyre. Asnjë prej nesh nuk e di, nëse në ndonjë fshat të humbur të Tropojës apo Tepelenës ka ardhur apo jo në jetë që në sekondën e parë të vitit 2012 ndonjë foshnje e lindur në krevatin e prindërve, pa doktor ngjitur dhe në të ftohtë. Kamerat nuk shkojnë në këto vende, sepse televizionet duhet të përdorin dhinë si kameramane dhe sepse politikanët e këtij vendi ia marrin votat këtyre skërkave në këmbim të asgjësë në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, u marrin edhe pyjet, ujërat, dijen, formimin kulturor, shpirtin dhe në fund shpresën.
Me të filluar sërish edicionet e lajmeve me ndonjë lajm serioz, në “Top-Channel” shfaqën një grafik shumë të lezetshëm bazuar mbi të dhënat e INSTAT-it në lidhje me rritjen ekonomike të Shqipërisë. Gjatë një prej tremujorëve të vitit 2008, rritja ishte pak mbi 10 përqind dhe në të njëjtën periudhë të vitit 2011 ishte pak më e ulët se 2 përqind. Segmenti i verdhë i përdorur kishte një prirje për poshtë njëlloj si feçka e elefantit, ndërkohë që duhej të ishte me prirje për lart si hunda e rimodeluar e disa vipave shqiptarë. Nëse me një rritje prej 10 përqind të rregullt çdo vit, Shqipërisë do t’i duheshin 10 vite për të dyfishuar Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP), me një rritje si ajo në vitin që sapo lamë pas nevojiten të paktën 50 vite. Diferenca prej 40 vitesh nuk është edhe aq e madhe, po të mendosh që kemi 20 vite në tranzicion dhe dy vite të shpërdoruara kot që pas zgjedhjeve të vitit 2009. Po të shtosh këtu edhe një Everest me të pavërteta të ulëritura lart e poshtë nga drejtuesit e vendit, situata duket shumë premtuese në këtë 2012, që po duket më shumë si filmi sesa si viti.
Përveç të çarave nga e ngrëna në mbrëmjen e ndërrimit të viteve dhe në drekat e darkat nëpër fis, ku të gjithë duan të riciklojnë e heqin qafe tepricën e ushqimeve të përgatitura, edicionet e lajmeve rikujtuan edhe detyrimin për deklarimin e të ardhurave personale. Në Amerikë është një proces shumë i koklavitur dhe i sikletshëm për secilin prej nënshtetasve, pasi gabimet apo fshehjet e të ardhurave nuk shpëtojnë gjithmonë. Në Shqipëri do të jetë një proces i koklavitur dhe i sikletshëm për secilin prej nënshtetasve, deri sa t’i mësohen hilet zanatit dhe të gjenden njohjet e duhura. Nisma e shtetit, që të gjithë shqiptarët t’i deklarojnë të ardhurat personale, është një hap përpara drejt përmbushjes së standardeve perëndimore dhe një ushqim më shumë për gojën e buxhetit të uritur si fëmijë sudanez në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Ashtu si në vitin 2009, edhe pas një viti do të ketë përsëri jashtëzakonisht nevojë për mbledhje taksash, donacione bujare, shitje pronash shtetërore, koncesione fantazmë e favore institucionale fullaneske. Pak a shumë është e njëjta skemë, që përdor policia rrugore sa herë që i tërheqin veshin për rigorozitet ose për mungesë lekësh: i fut një kontroll disaditor dhe disa qindra e mijëra gjoba. Pastaj hiçi deri në ndukjen tjetër të veshit.
I vetmi ndryshim, që duket se do të sjellë viti 2012 në krahasim me gjithë të tjerët, është thellimi i pjerrtësisë së kurbës së rritjes ekonomike shqiptare. Fatmirësisht kemi një autoritet statistikor si INSTAT-i, që megjithë vonesën nuk e zhgënjen asnjëherë qeverinë me shifrat që publikon. Fundja, me një vizitë në maternitet mbyllet një ditë pune për politikanët, ndërsa me një shpërthim stomaku në vit shqiptarët i harrojnë të gjitha.