Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Politike - 72 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ngjarja e 21 janarit është komentuar dhe nga një prej ekspertëve të politikave të Ballkanit, këshilltari në Komisionin amerikan të Helsinkit, Bob Hand. Ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka përshëndetur zhvillimet e kësaj jave në Shqipëri dhe bën thirrje që procesi i ngjarjeve të 21 janarit, të vazhdojë deri në fund.
“Së pari, jam shumë i kënaqur që shikoj se është bërë përparim që po çon në arrestimin e shpresoj edhe në gjykimin e personave që mund të kenë qenë përgjegjës për vrasjet e një viti më parë. U desh një kohë e gjatë për ta bërë dhe jam i sigurt se shumë njerëz në Shqipëri presin me padurim, duke e përdorur këtë zgjatje në kohë për të kritikuar tërë procesin. Por kjo është një çështje shumë serioze dhe fakti që FBI-ja u përfshi në hetim nënkupton se hetimi është i besueshëm dhe serioz. Ne nuk mund të paragjykojmë fajin sepse të akuzuarit janë të pafajshëm deri sa të provohet faji. Por le të shpresojmë se i gjithë ky proces, do të çojë në një besim më të madh te sistemi gjyqësor në Shqipëri”.
Duke vlerësuar pozitivish deklaratën e kryeprokurores Ina Rama, Hand citon se dhe fakti që ambasadori amerikan Alexander Arvizu u ndodh pranë saj, ishte një shenjë shumë e mirë. Ambasadori mbështeti Prokurorinë për një proces të pavarur dhe të çliruar nga ndikimet partiake.
“Është e natyrshme që të ketë fërkime mes këtyre institucioneve të ndryshme, sepse ky është edhe thelbi i kontrolleve dhe balancave. Sigurisht, individë të ndryshëm mund dhe duhet të përpiqen të luajnë një rol kur drejtojnë një institucion, por në një vështrim praktik, janë institucionet që bëjnë punën dhe jo individët që sulmojnë njëri-tjetrin. Mendoj se në politikën shqiptare, ka nevojë për shumë më pak personalizim të këtyre gjërave. Qeveria është në pozitën e autoritetit dhe autoriteti duhet të respektohet. Por në një demokraci është e natyrshme të ekzistojnë fërkime mes institucioneve. Prandaj janë edhe kontrollet dhe balancat dhe ndarja e pushteteve. Unë e përdor shpesh këtë terminologji amerikane por mendoj se ajo universale në një sistem demokratik, për të garantuar që vullneti i shumicës të pasqyrohet në qeverisje, por që edhe të drejtat e pakicës – qoftë ajo politike apo etnike – të mbrohen. Në mes të tyre qendron sistemi juridik, i cili ka për detyrë të peshojë diferencat”.
Ndërkaq, ndërsa kryesocialisti Edi Rama kërkoi që në procesin hetimor të përfshihen edhe kryeministri dhe ish- ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, Hand deklaron se përfshirja e FBI-së do t`i japë hetimit një besueshmëri më të madhe.
“Përsa u përket komenteve të Edi Ramës, ai nuk është prokurori i çështjes. Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij por mendoj se ai duhet gjithashtu të kuptojë se të jesh në opozitë, do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Jam i kënaqur që ai e mirëpriti vendimin e Prokurorisë. Do të shpresoja që veprimet e tij të njohin edhe shkallën në të cilën qeveria po bashkëpunon me këtë hetim, sepse në fakt personat në fjalë u shkarkuan nga detyra që kishin dhe u vunë nën arrest shtëpie. Por ai nuk duhet të angazhohet në retorikë e të bëjë akuza që mund të të çojnë në përfundimin se, nëse hetimet nuk shkojnë në drejtimin që dëshiron ai, atëhere diçka është gabim. Kjo, mendoj se çon në fund të fundit në përjetësimin e gjendjes së tensionuar që është krijuar përsa i përket procesit gjyqësor në Shqipëri” tha më tej ai.