Publikuar me : 29.10.2011 Ne :
Kronike - 82 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Katër zyrtarë të komunës Kaçinar në Mirditë janë vënë në pranga nga policia e Lezhës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Policia e Qarkut Lezhë ka vënë në pranga katër persona ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër për shpërdorim detyre. Operacioni i koduar “Llogaria e Gabuar” është finalizuar me arrestimin e katër punonjësve të komunës Kaçinar: Flora Suti, 43 vjeçe, me detyrë arkëtare e komunës; Gjet Shkurti, 47 vjeç me detyrë sekretar i këshillit të komunës Kaçinar; Altin Gjoka, 27 vjeç, punonjës i postës së Komunës, dhe Pashk Gjoni, 44 vjeç, me detyrë ish-shef i financës së komunës.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur N. Ç, me detyrë ish-administrator i ndihmës ekonomike.
Kryetari i Komunës Kaçinar denoncoi abuzimet
Dy muaj më parë, kryetari i Komunës së Kaçinarit, Petro Doda, ka denoncuar në media shkeljet e konstatuara në këtë komunë. Doda ka deklaruar se janë konstatuar abuzime në shpërndarjen e ndihmës ekonomike, ku 70 dosje rezultojnë me shkelje ligjore dhe 39 dosje janë të humbura.
Lindita Kokaj