Publikuar me : 09.07.2011 Ne :
Politike - 164 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Denis Dedej
TIRANË – Aleanca Kuqezi ka denoncuar dje falsifikimin e procedurave të votimit për projektligjin e regjistrimit të popullsisë. Një ditë pas botimit në gazetën e “Shekulli” të fotove ku vërtetohej votimi i dyfishtë nga deputetët e PD, Aleanca Kuqezi ka kërkuar nga Kuvendi që të publikojë listë-prezencën në seancën plenare të datës 7 maj.
Përfaqësuesi i kësaj aleance, Ardit Çollaku, denoncoi mënyrën dhe procedurën e votimit për projektligjin e regjistrimit të popullsisë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilin e konsideroi antikushtetues. Duke iu referuar parimit të respektimit të votës nga ligjvënësit, ai ngriti dyshimet se mosrespektimi i këtij parimi sjell dhe një prezencë të paprovuar.
“Aleanca Kuqezi i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë publike edhe listën e deputetëve që votuan pro projektligjit. Miratimi i ligjit të censusit me 69 vota pro dhe 2 vota abstenimi të PDIU dhe me një prezencë të paprovuar të 71 deputeteve në sallë e bën procedurën dhe procesin e votimit antikushtetues nëse nuk është respektuar parimi një deputet një votë”,- deklaroi Çollaku.
Sipas tij, mazhoranca dhe satelitët e saj nuk i rezistuan presionit grek dhe projektit për një Shqipëri multietnike. Nga ana tjetër, AK sulmoi edhe opozitën, mungesa e së cilës në sallën e parlamentit i jep dorë të lirë mazhorancës të marrë vendime jetike për fatet e vendit. “Gjatë procesit të votimit, grupi parlamentar Socialist nuk ishte i pranishëm në parlament. Kjo solli dhe abuzimin e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët në mungesë të mekanizmave që do të siguronin një votim të lirë, manipuluan lehtësisht votimin.
Për këtë gjë, Aleanca Kuqezi denoncoi faktin se asnjë deputet i majtë dhe i djathtë nëpërmjet votës, abstenimit apo bojkotit nuk patën kurajo të dalin kundër këtij projekti ogur zi dhe antikushtetues për Shqipërinë. Në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar edhe një nismë ligjore përmes 20 mijë firmave të qytetarëve që kërkojnë mos regjistrimin e popullsisë sipas fesë dhe etnisë”,- tha Çollaku.
Nga numërimi që iu bë deputetë gjatë procesit të votimit më 7 korrik, rezultuan se 60 deputetë ishin ulur në sallë, 10 deputetë ishin ulur tek tavolina e ministrave dhe një votë ishte e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Shumica e ligjeve u miratua me 73 vota. Por tre deputetët Arenca Trashani, Rajmonda Bulku dhe Astrit Bushati votonin edhe për një tjetër deputetin e tyre, Gëzim Dibra.
Për projektligje të ndryshme, për të mos rënë në sy, nëse votonte njëri për kolegun, pas dy sekondash, votonte edhe tek personi. Ky veprim u bë sistematikisht. Ndërsa një tjetër deputet demokrat, Bedri Hoxha, votonte për kolegun e tij, Lefter Maliqi. Ky i fundit kishte pranë tij dy vende votimi, njërin e kishte mbuluar me gazetë ku shtypte për votën e tij, ndërsa me dorën tjetër votonte për deputetin që mungonte.
73
Deputetë ishin të pranishëm në Kuvendin e Shqipërisë sipas prezencës së votuar gjatë seancës plenare. Ndryshimet në buxhet u miratuan me 73 vota pro, ndërsa ligji për regjistrimin e popullsisë u miratua me 71 vota pro dhe dy deputetët e PDIU-së abstenuan.
2
Deputetë të Partisë Demokratike megjithëse nuk ishin të pranishëm në sallë, njëri i qarkut të Shkodrës, Gëzim Dibra dhe tjetri i qarkut të Beratit, Lefter Maliqi, kanë shprehur vullnetin e tyre duke mos qenë në sallë, pasi kolegët e tyre votuan për ta.