Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
AKKP-se i mbaroi afati, Cefa Si do vijojme me pronat

Publikuar me : 09.01.2012 Ne : Politike - 69 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Denis Dedej

Më 31 dhjetor të vitit që sapo kaloi, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka mbaruar afati ligjor për të nxjerrë vendime themeli për njohjen e të drejtës së pronësisë. Deri më këtë datë duhet të kishte përfunduar procesi i njohjes, kthimit dhe njohjes të së drejtës së kompensimit te pronave te paluajtshme. Por gjatë kësaj kohe ajo mund të vazhdojë me kërkesat e reja për njohjen e të drejtës së pronësisë të rivendosura në afat nga gjykatat. Në një intervistë për “Shekullin”, kreu i AKKP-së Elvis Cefa thotë se puna do të fokusohet tek shpërndarja e fondit të kompensimit për subjektet e shpronësuara si dhe, në bashkëpunim me ALUIZNI-n, për shpërndarjen e parave për pronarët e pasurive të paluajtshme të prekura nga ndërtimet informale.

 

Zoti Çefa, në vitin që lamë pas mund të quhet i fundit për institucionin që merret me kompensimin dhe dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Në gjykimin tuaj, si do ta vlerësonit punën e bërë gjatë këtij viti?

Gjatë vitit 2011 Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ka përballuar me sukses të plotë një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash për kompensim. Në përfundim të trajtimit të tyre janë shpërndarë mbi 2 miliardë e 550 milionë lekë të reja. Në këtë shifër përfshihen 670 milionë lekë të shpërndara për subjektet e shpronësuar, prona e të cilëve është njohur për kompensim me një vendim të mëparshëm të ish-KKKP-ve dhe 1,877 miliardë lekë të shpërndara për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale. Gjatë 2011 nga AKKP është punuar për krijimin e bazës elektronike të kërkesave të subjekteve pronarë të pasurive të paluajtshme, pronë private, që janë prekur nga procesi i legalizimeve që përfitojnë nga kompensim në të holla, kërkesa që kapin një shifër rreth 2400. Kjo bazë të dhënash ka mundësuar pasjen e të dhënave të sakta për pasurinë apo sipërfaqen e prekur, Zonën Kadastrale, qarkun, gjeneralitetet e personave që përfitojë, gjeneralitetet e përfaqësuesit me prokurë, shumën e përgjithshme që përfitohet, vlerën e kësteve respektive që lëvrohen etj,. Duke pasur parasysh faktin se çdo kërkesë e çdo subjekti ka një procedurë të tërë vlerësimi, konfirmimi, përllogaritjesh etj., që kryhet nga administrata e AKKP, mund të them me plot gojën që puna e kryer në këtë drejtim gjatë vitit 2011 ka qenë mëse e lavdërueshme.

 

A mund të na thoni se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq gjatë gjithë këtyre viteve në zgjidhjes e problemit të pronës?

Kjo është një pyetje e vështirë, dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë shteruese kërkon një analizë të thellë dhe të gjatë të të gjithë këtij procesi tashmë 18 vjeçar. Situata është komplekse, pasi në këtë fushë kanë vepruar dhe veprojnë një sërë ligjesh, koordinimi i veprimtarisë të të cilëve është diçka jo e lehtë. Gjithsesi për të mos u zgjatur shumë, do të thosha që shumë gjëra realisht janë bërë mirë, megjithëse të tjera mund të bëheshin edhe më mirë. Konkretisht Shqipëria është një nga vendet e pakta ish-komuniste që aplikon njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin pa asnjë kufizim të të gjitha pronave të paluajtshme subjekteve të shpronësuara, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 hektarë. E njëjta linjë është ruajtur edhe për sa i përket masës së kompensimit të një prone kur ajo është e pamundur të kthehet fizikisht tek pronari i vjetër i saj. Shqipëria është ndër vendet e pakta ish-komuniste që u njeh subjekteve të shpronësuar të drejtën e kompensimit të plotë, pra 100 perqind për pronën e tyre.

Nga ana tjetër, kanë ekzistuar shumë ligje të veçanta që rregullojnë sektorë të ndryshëm të të drejtave të pronësisë; që kanë krijuar organe shtetërore për zbatimin e mbikëqyrjen e procesit dhe që kanë përcaktuar procedura të veçanta, ndonjëherë të mbivendosura. Këto ligje janë ndryshuar dhe rishikuar disa herë. Kjo ka shkaktuar mungesë koordinimi, paqartësi e konflikte në zbatimin e tyre dhe krijimin e praktikave jo uniforme ekzekutive e gjyqësore. Një tjetër problem është që në fillimet e këtij procesi në vitin 1993, në kriteret ligjore për njohjen e së drejtës së pronësisë duhet të ishte përjashtuar kategorikisht pranimi në cilësinë e provës së një vendimi gjyqësor për vërtetimin e faktit juridik. Ligji i kohës parashikonte këtë vendim gjyqësor si provë që zëvendësonte dokumentacionin ligjor të pronësisë në rast se ky i fundit nuk mund të gjendej. Koha provoi se shumë vendime të dhëna nga ish- Komisionet e Kthimit të Pronave të atëhershme të cilat ishin bazuar pikërisht në një vendim gjyqësor për vërtetimin e faktit juridik të pronësisë, janë dhënë në mënyrë abuzive. Pra në atë periudhë, dhe kryesisht në vitet 1997 deri në 2004 janë trajtuar si ish-pronarë edhe një kategori personash të cilët nuk kanë qenë të tillë, dhe kjo nuk është e drejtë. Sigurisht sot kjo e metë e ligjit është riparuar, por pasojat e shkaktuara në raste të caktuara nuk është e lehtë të zgjidhen qoftë për pronarët e vërtetë, qoftë për shtetin.

 

Në raportet ndërkombëtare problemi i pronës referohet si një çështje e pazgjidhur në Shqipëri. Cili është mendimi juaj mbi zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi?

Për mendimin tim, shumë njerëz termin “problemi i pronës” gabimisht e identifikojnë me AKKP-në. Në fakt nuk është krejtësisht kështu. Siç e thashë edhe më lart, nuk është AKKP institucioni i vetëm që merret me rregullimin e çështjeve të pronësisë dhe për rrjedhojë nuk është AKKP i vetmi institucion përgjegjës për problematikat e pronës në Shqipëri. Shqipëria, aktualisht ka tetë institucione që veprojnë mbi të drejtat e pronësisë, në varësi të ministrive të ndryshme përgjegjëse, veprimtaria e të cilave rregullohet nga pjesë të ndryshme legjislacioni. Ato trajtojnë çështjet të fitimit të pronësisë dhe të regjistrimit të titujve të pronësisë. AKKP ka një funksion të përcaktuar në ligj: kthimi i pronës së marrë pa të drejtë tek pronari i saj. Ky proces, referuar numrit të kërkesave gjendje sot në shqyrtim, mund të thuhet se është drejt fundit. Kanë mbetur edhe shumë më pak kërkesa sesa vendime të dhëna, pra që tregon se shumica e rasteve janë zgjidhur. “Problemi i pronës” në Shqipëri në këndvështrimin e institucioneve ndërkombëtare është garantimi dhe sqarimi i titujve të pronësisë që posedojnë subjekte të ndryshëm. Në Shqipëri ka vepruar ligji 7501 “Për tokën”, ligj i cili u zbatua keq në shumë raste duke ndarë tokë për frymë më shumë se duhej apo në vende ku kjo ishte e ndaluar të ndahej. Sot ka një ligj që merr përsipër rregullimin e padrejtësive të bëra në kohë me ligjin 7501, por kjo kërkon kohë dhe burime njerëzore. Në Shqipëri u përballëm me një fluks të jashtëzakonshëm të ndërtimeve informale të ndërtuara në toka të shtetit apo të pronarëve privatë. Sot ka një ligj që merr përsipër rregullimin edhe të kësaj situate duke legalizuar pronarët e rinj dhe duke shpërblyer pronarët e vjetër, por kjo gjithashtu kërkon përsëri kohë dhe burime njerëzore. Sot sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme është modernizuar dukshëm, por ende ka zona për të cilat regjistrimi fillestar nuk ka përfunduar ende, pra nuk mund të jepet një informacion zyrtar 100 perqind i saktë. Përveç kësaj, shumë pronarë, nga neglizhenca apo nga padija nuk kanë regjistruar titujt e tyre të pronësisë. Aktualisht po punohet në këtë drejtim, por kjo gjithashtu kërkon kohë dhe burime njerëzore e financiare.

Nga pasaktësia e titujve të pronësisë të dhënë në kohë, kanë lindur konflikte dhe subjektet përkatëse për zgjidhjen e tyre janë drejtuar në rrugë gjyqësore, ku proceset zgjasin për vite të tëra… I gjithë ky kompleksitet çështjesh të pronësisë, natyrshëm që ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në aktivitetin e AKKP dhe jo vetëm. Pra është objektivisht e pamundur që e gjithë kjo situatë të rregullohet nga një institucion i vetëm, qoftë ky AKKP, ZRPP, ALUIZNI apo gjykatat. Për këtë arsye dhe duke pasur në vëmendje rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë në drejtim të një grupi pune nga të gjithë institucionet që trajtojnë çështje të pronësisë, po punon për hartimin e një strategjie afatgjate dhe realiste për rregullimin e “problemit të pronës” në Shqipëri. Kjo strategji shfrytëzon gjetjet dhe rekomandimet e Memorandumit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, nga analiza e të cilit del e nevojshme një zgjidhje gjithëpërfshirëse e problemit të të drejtave të pronësisë, bazuar në eksperiencat e ngjashme të vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Evropës në zbatim të vendimeve të GjEDNj-së.

 

Tashmë AKKP është agjencia e vetme që merret me kthimin dhe kompensimin e pronave pasi degët e saj janë shkrirë. Si ka ndikuar kjo strukturë e re në menaxhimin e kërkesave dhe dosjeve?

Me suprimimin e zyrave rajonale në qarqe i tërë procesi u thjeshtua duke u përqendruar në një zyrë të vetme. Sikurse ishte parashikuar, përqendrimi i procesit në një institucion të vetëm ka përmirësuar dukshëm cilësinë e vendimmarrjes. Ka unifikuar praktikën për vlerësimin e çështjeve të ngjashme dhe ka rritur efikasitetin e institucionit. Rezultati do të ishte shumë më i mirë nëse do të kishim një bashkëpunim më të mirë të institucioneve të treta me AKKP. Dihet që për të përfunduar një dosje AKKP merr informacion për situatën juridike apo kërkon konfirmim të dokumenteve të ndryshëm nga institucione si Komuna, Bashki, DAMT në Këshillat e Qarqeve, arkiva, zyrat e regjistrimit etj,. Megjithëse të gjitha këto institucione kanë detyrimin ligjor të kthejnë përgjigje brenda afatit 10 ditor, kjo ndodh shumë radhë ose aspak, çka e vonon apo pengon drejtpërdrejt procesin e vendimmarrjes në AKKP.

 

Ka pasur pretendime se rreth 2 mijë dosje nuk janë prekur nga AKKP. Në cilën situatë gjendeni me këto dosje dhe si do të procedohet me to?

Trajtimi i një kërkese (apo dosje) për njohjen e së drejtës së pronësisë, kthimin dhe /ose njohjen e së drejtës së kompensimit është një proces i vështirë dhe që kërkon kohën e vet. Në përpunimin e një dosjeje ka shpeshherë vonesa të cilat në shumicën e rasteve, siç edhe e theksova më lart, nuk shkaktohen nga administrata e AKKP. Shpeshherë janë po ashtu edhe vetë subjektet e interesuar që nuk arrijnë të plotësojnë dokumentacionin e plotë që kërkesa e tyre të trajtim në kohën e duhur. Kjo gjë në njëfarë mënyre vonon edhe trajtimin e dosjeve pasardhëse. Gjithsesi, në respektim të detyrimit ligjor, AKKP do ti trajtojë sipas radhës të gjitha kërkesat me vendim përfundimtar.

 

Në fund të vitit 2011 ka mbaruar afati ligjor i veprimtarisë së AKKP. Çfarë do të bëhet me institucionin që ju drejtoni?

Në fakt nuk është saktësisht kështu! Më lejoni t’ju korrigjoj. Referuar nenit 24 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” deri në datën 31.12.2011 duhet të kishte përfunduar procesi i njohjes, kthimit dhe njohjes të së drejtës së kompensimit te pronave te paluajtshme. Pas kësaj date dhe deri në momentin e shtyrjes me ligj të afatit të përfundimit të procesit, AKKP nuk do të dalë me vendime themeli për njohjen e së drejtës së pronësisë, por kjo nuk do të thotë kurrsesi që veprimtaria e AKKP ka përfunduar. Siç mund ta verifikoni lehtësisht e gjithë administrata e këtij institucioni është në punë si çdo ditë dhe vazhdon normalisht shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të ndryshëm. Pra procesi në fakt nuk ka mbaruar dhe kjo mund të dëshmohet më së miri nga fluksi i jashtëzakonshëm i kërkesave të reja për njohjen e të drejtës së pronësisë të rivendosura në afat nga gjykatat. Në këtë kontekst, në kuadër edhe të strategjisë së çështjeve të pronësisë që po përpunohet nga Ministria e Drejtësisë, shumë shpejt do të ketë një ndërhyrje në ligj për të shtyrë afatin e përfundimit të procesit duke i dhënë AKKP një kohë të mjaftueshme për përmbyllur me vendim çdo kërkesë të patrajtuar ende. Pra për vitin 2012 puna në AKKP do të vazhdojë normalisht. Do të punohet fort në drejtim të ezaurimit të kërkesave fillestare gjendje, të cilat presin të marrin një vendim; do të punohet fort në drejtim të pasurimit dhe shpërndarjes së fondit të kompensimit në të holla për subjektet e shpronësuara e veçanërisht në drejtim të pasurimit dhe azhurnimit të fondit të kompensimit fizik për këta subjekte; do të vazhdohet bashkëpunimi me ALUIZNI-n në drejtim të shtimit të të ardhurave nga legalizimet dhe më pas shpërndarja e tyre nga AKKP për pronarët e pasurive të paluajtshme të prekura nga ndërtimet informale.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard

Publikuar me : 21.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 47 here.
Bashkia e Vlorës ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Tetra Tech Ard, partner që vë në zbatim projektin për planifikimin dhe qeverisjen vendore, mbështetur nga USAID. Marrëveshja e bashkëpunimit është realizuar mes dy palëve dhe është një projekt 5-vjeçar që do të financohet nga  USAID-i, duke synuar ofrimin e asistencës teknike dhe trajnim për qeverisjen shqiptare dhe institucionet e pushtetit vendore, për çuarjen përpara të procesit të...Lexo te gjithe artikullin »


» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan
» Sekui Reformat ne shendetesi e arsim jane lene jashte vemendjes
» Presidenca e Keshilli te Evropes nga 23 maji kalon ne ‘duart’ e Shqiperise
» Presidenca e Keshilli te Evropes nga 24 maji kalon ne ‘duart’ e Shqiperise

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit