Publikuar me : 28.11.2011 Ne :
Kronike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANE- Operacioni i Policisë së Shtetit “Vjeshta III”, për të bllokuar mjetet që rezultojnë të trafikuara dhe me mangësi në dokumentacion, ka bërë që të bllokohen në të gjithë vendin, për llogari të Sektorit të Antitrafiqeve 27 automjete të markave të ndryshme. Bie në sy gjatë këtij operacioni të zhvilluar në të gjithë vendin, edhe bllokimi i së paku tri automjeteve të rënda, që përdoren në fushën e ndërtimeve, vlera e të cilave kap shumën e disa dhjetëra mijërave euro. Veç automjeteve që rezultojnë të vjedhura jashtë Shqipërisë dhe të futura në territorin e vendit tonë, policia ka arrestuar edhe katër persona, të cilët gjatë kontrolleve të forcave të policisë janë kapur armë zjarri me pistoleta dhe municione të ndryshme. Për ta policia ngriti akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sipas policisë janë bllokuar katër armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe një sasi e konsiderueshme municionesh për këto armë. Rezultatet e operacionit të zhvilluar që prej të premtes, u bënë të ditura dje nga Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate shtypi të zëdhënëses Laura Totraku. “Strukturat e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor, kanë ndërmarrë dhe vënë në zbatim një sërë masash me qëllim bllokimin, sekuestrimin dhe nisjen e hetimeve për automjetet e vjedhura dhe të trafikuara, si dhe bllokimin apo marrjen e masave administrative ndaj automjeteve që rezultojnë me mangësi në dokumentacion,- tha Totraku.
Operacioni është shtrirë në 12 qarqet e vendit, me qëllim verifikimin kontrollimin dhe bllokimin e atyre mjeteve që kanë probleme të ndryshme. Sipas policisë, gjatë dy ditëve të operacionit janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 432 automjete të ndryshme në të gjithë vendin. Nga këto mjete të kontolluara, policia ka bllokuar 27 automjete të ndryshme. Ato sipas policisë janë bllokuar pasi verifikimi në i tyre në sistemin e Interpolit kanë rezultuar të vjedhura jashtë vendit. Veç këtyre mjeteve të bllokuara nga policia për faktin se rezultonin të vjedhura jashtë vendit dhe ishin në kërkim nga Interpoli, gjatë operacionit të mësipërm, janë bllokuar edhe 25 automjete të llojeve të ndryshme të cilat gjatë kontrolleve të policisë kanë rezultuar me me mangësi në dokumentacion.
Berati e Tirana bllokuan gjysmën e veturave të vjkedhura
Berati dhe Tirana, janë qytetet në të cilat janë bllokuar më tepër mjete të trafikuara sipas deklaratës së dhënë nga Policia e Shtetit. Në operacionin e dy ditëve të fundit, janë bllokuar, 7 automejte në Berat dhe 6 në Tiranë, duke bërë në këtë mënyrë thuajse gjysmën e mjeteve të bllokuara. Ndërkaq në qarqet, e Korçës dhe Elbasanit, janë bllokuar nga katër automjete të vjedhura jashtë vendit. Në Vlorë, Shkodër dhe Lezhë, janë bllokuar nga dy automjete. Në qarkun e Fierit dhe të Gjirokastrës është bllokuar nga një automjet në secilin qark. Në dy qarqe të vendit, në Dibër dhe në Kukës, nuk ka rezultuar asnjë automjet i bllokuar nga kontrollet e kryera nga shërbimet e policisë të ngritura posaçërisht për këtë rast.
Automjete të bllokuara sipas qarqeve
Berat, 7 automjete
Tiranë, 6 automjete
Korçë, 4 automjete
Elbasan, 4 automjete
Vlorë, 2 automjete
Shkodër, 2 automjete
Lezhë, 2 automjete
Fier, 1 automjet
Gjirokastër, 1 automjet
Automjetet e bllokuara sipas markave
“Mercedes- Benz” 6 automjete
“BMW” 4 automjete
“Volkswagen” 4 automjete
“Audi” 2 automjete
“Smart” 1 automjet
“Fiat” 1 automjet
“Rang Rover” 1 automjet
“Alfa Romeo” 1 automjet
“Opel” 1 automjet
“Nissan” 1 automjet
3 automjete të rënda
Bllokohet vetura e vjedhur në Afrikën e Jugut
Nga verifikimet e kryera të mjeteve të bllokuara ka rezultuar se ato janë denoncuar të vjedhura kryesisht në vendet e BE-së dhe ato të rajonit ku ndodhet edhe vendi ynë. Përjashtim nga këto automjete bën vetëm një i tillë, i bllokuar nga policia, i cili sipas njoftimit zyrtar është vjedhur në Afrikën e Jugut. Mjetet e tjera rezultojë të jenë denoncuar të vjedhura në në Itali, Kroaci, Bullgari, Serbi, Poloni etj.