Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Akuza ne Kuvend Armet serbe po demontohen ne Shqiperi

Publikuar me : 28.10.2011 Ne : Politike - 24 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Luis Tanushi

Opozita akuzoi dje Ministrinë e Mbrojtjes se ka lejuar demontimin në vendin tonë të armëve që vijnë nga Serbia. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputeti Taulant Balla akuzoi ministrin Arben Imami si përgjegjës për shkatërrimin e mjedisit në zonën e Librazhdit si pasojë e demontimit të armëve që importohen. Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se po kryhen pazare me Serbinë për tregtinë e armëve ndërmjet dy vendeve. “Po shkëmbejmë gjithçka. Ditët e fundit po shkëmbejmë edhe armë. Në kuadër të këtij liberalizimi dhe e dini se çfarë ndodh? Një pjesë e armatimit serb që po vjen për tu demontuar në Shqipëri, nuk po demontohet nëpër pikat e demontimit të miratuara nga ky Kuvend”, theksoi Balla.

Sipas opozitës, në trafikun e armëve dhe demontimin e tyre në vendin tonë janë përfshirë edhe strukturat e mbrojtjes. Duke shprehur shqetësimin e banorëve të qytetit të Librazhdit nga ndotja që vjen si pasojë e demontimit të armëve në lumin Shkumbin, deputeti Taulant Balla akuzoi Ministrin Imami për lejim të trafikut për të pasuruar privatët që përfitojnë nga metalet e çmuara nga demontimi i armëve. “Unë akuzoj Ministrin e Mbrojtjes si përgjegjës për pazare që po bëhen me armatimet, qofshin ato që vijnë nga vendet e tjera, qofshin ato që janë pjesë e rezervave shqiptare. Po bëhet në mënyrë korruptive. Një pjesë të strukturave të ushtrisë, janë bërë pjesë e interesave të privatëve që demontojnë për arsye të shitjes së metaleve me mjaft vlerë që burojnë nga ky demontim”, tha Balla.

Sekretari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi sqarime për armët që demontohen dhe për ushtarakët e përfshirë në këtë proces. “Ministri duhet të merrte fjalën edhe të thoshte çfarë është ai demontim në lumin Shkumbin, kush janë ata ushtarakë të përfshirë, a janë armë nga Serbia dhe çfarë po bëhet me to. Sepse baruti i atyre demontimeve ka lëndë mjaft të rrezikshme edhe pas djegies ato duke u marrë nga uji i Shkumbinit përfundojnë në det dhe dëmtojnë rëndë florën dhe faunën” akuzoi në seancë deputeti Balla.

 

 

Imami: Demontimi në lumë sepse nuk kemi ujë

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami mohoi importimin e armëve nga vendi ynë fqinj duke u fokusuar te sasia e demontuar. Ministri pranoi problemin e ndotjes së zonave përreth si pasojë e demontimit të barutit si pasojë e mungesës së ujit në procesin e demontimit. “Nuk po demontojmë asgjë tjetër veçse ato dhjetëra tonë që i kemi deklaruar. Nuk ka as predha, as armatime, as bullgare as suedeze. Ne kemi shumë për të demontuar për vete. Sa i përket ndotjes, do t’ju jap informacion në kohën më të parë. Ka një problem që djegia e barutit në mungesë të ujit është problematike. Ne po e shqyrtojmë dhe do informojmë”, reagoi Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ndaj akuzave të opozitës.

 

 

Banorët e Librazhdit: Po dëmtohemi nga armët

LIBRAZHD- Demontimi i municioneve në lumin Shkumbin është denoncuar edhe nga banorët e zonës. Banorët e tre fshatrave pranë malit Zgarë në komunën Qendër të rrethit të Librazhdit janë shprehur se përveç tronditjeve kanë pasur probleme edhe me ndotjen. Pas këtyre ankesave kanë shkuar për të parë situatën nga afër një grup specialistësh nga shtabi i emergjencave. Specialistët kanë shkuar në shtëpitë e banorëve dhe kanë matur tronditjet. Gjithashtu është parë në vend edhe shqetësimi për ndotjen e burimit të ujit nga shpërthimet, për të cilin ankoheshin banorët. Specialistët janë shoqëruar nga përfaqësues të komunës Qendër dhe nga kryetarë të fshatrave. Pasi janë verifikuar të gjithë parametrat për ndotjen akustike dhe atë mjedisore është biseduar me banorët dhe është vendosur që të ulet sasia e eksplozivit që shpërthehet duke larguar edhe vendet e shpërthimit nga burimet e ujit. Kështu i është kërkuar përgjegjësve dhe specialistëve të bëhet kujdes në sasitë që do të shpërthehen dhe shpërthimet të jenë të shpërndara duke e bërë kështu zhurmën e pranueshme. Të dhënat tregojnë se demontimi në natyrë në malin e Zgarës pritet të vazhdojë deri në gusht të vitit 2012.

 

 

Marrëveshja me Serbinë, Majko: Po legalizohet minoriteti serb

Marrëveshja për lëvizjen e lirë pa viza mes Shqipërisë dhe Serbisë ka gjetur dje konsensusin e pothuajse të gjithë deputetëve të pranishëm në sallë duke marrë 110 vota. I vetmi që votoi kundër ishte Pandeli Majko ndërsa 11 deputetë të tjerë preferuan të abstenojnë, por sërish kjo marrëveshje u shoqërua me debate. Në parim marrëveshja është një nga hapat për krijimin e Shengenit ballkanik dhe po nënshkruhet nga të gjitha vendet e rajonit.

Deputeti që votoi kundër, Majko, e argumentoi votën e tij duke thënë se po legalizohet minoriteti serb në vendin tonë pa të drejtë. “U tha se këto marrëveshje janë standarde se janë lidhur me Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinën, Kosovën. Shqipëria ka njohur që nga 1912 se në Shqipëri ekziston minoritet malazez, maqedonas dhe boshnjak dhe të përdorësh një standard të tillë marrëveshje me një shtet jo fqinj do të thotë se i ke njohur nga pikëpamja e standardit ekzistencën e një minoriteti të këtij shteti në Shqipëri. Dhe ne shohim se sot në Shqipëri nuk legalizohet vetëm shtëpi pa leje, para pa leje, por dhe minoritetet. Ky është një problem që nuk mund të anashkalohet”,- tha deputeti Pandeli Majko. Sipas tij, parlamenti duhet të tregohet i kujdesshëm me marrëveshje të tilla për të mos lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve dt lidhur me mafian.

“Në rastin e kësaj marrëveshje është detyruar para parlamenti shqiptar të shprehë a ka minoritet serb? Tani dhe atë regjistrimin e famshëm e bëtë, i legalizuar çfarë ishin për tu legalizuar. Ne në të ardhme e afërt do kemi një marrëdhënie të hapur me Serbinë, por dua që kjo të bëhet në publik jo nga kanalet e ujërave të zeza, as duke u garantuar lëvizje të lirë njerëzve të mafias serbe”,- tha Majko.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri shprehu rezerva edhe për drejtoreshën juridike që ka hartuar marrëveshjen me Serbinë, e cila është e njëjta që ka hartuar edhe paktin detar me Greqinë. “Këtu zonja drejtoreshë tha se e kemi kërkuar ne pse? Ç’punë ka qendra kulturore në marrëveshje për lëvizjen e lirë. Zonja Ledia Hysi kam përshtypjen se sot vini në parlament duke na hapur një diskutim të një natyre që ka të bëjë me disa marrëdhënie delikate. Besoj që do kem mirëkuptimin tuaj duke thënë se jeni drejtoreshë juridike e paktit detar me Greqinë që u rrëzua në Kushtetuese. Nuk besoj se do vinit këto me të njëjtin titull”, akuzoi Majko. Por në këtë pjesë kryetarja e Kuvendit, Topalli e ndaloi Majkon ti drejtohej ekspertes së MPJ-së, e cila ishte e ftuar në seancë. Nga ana tjetër Tritan Shehu, në emër të PD-së kundërshtoi akuzat e Majkos.

 

Si nisi çështja e minoritetit serb

Çështja e minoritetit serb në Shqipëri është hapur për herë të parë në fillim të vitit 2010 kur ministri i Jashtëm i asaj kohe, Ilir Meta u takua me homologun serb gjatë një vizite në Beograd, Vuk Jeremiç. Në Në mënyrë të papritur Jeremiç kërkoi të njihej minoriteti etnik serb në Shqipëri. Bëhet fjalë për disa banorë të fshatrave të Malësisë së Madhe. Kjo deklaratë gjeti përgjigjen “do ta verifikojmë si çështje” nga Ilir Meta. Shteti shqiptar i njeh të drejtën e minoritetit etnik vetëm komunitetit grek.

 

 

Betohet deputetja Paulina Hoxha

Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, Paulina Hoxha u betua dje në Kuvend. Ajo zëvendëson ish- deputetin socialist Ilir Beqja, i cili humbi mandatin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me argumentimin se ka përfituar nga të ardhurat publike me kompaninë e tij duke qenë në konflikt interesash me detyrën e deputetit. Paulina Hoxha është deputetja e dytë që do betohet në gjysmë të mandatit dhe legjislaturës parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, pas Ramiz Çobës, po deputet i qarkut të Shkodrës. Të premten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin deputetes Hoxha duke i hapur rrugën betimit në seancë plenare.

 

100 vjetori i pavarësisë, pa kufij

Komisioni i Sigurisë denoncoi mungesën e kufijve detar në jug të vendit. Duke kundërshtuar mendimet e Kodit detar, PS kërkoi krijimin e ligjeve të qëndrueshme dhe jo arnime. “Unë dua të ngre para jush një problem shumë më të madh se edhe vetë kodet. Kjo maxhorancë që ta dini, sot që jemi në prag të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar e ka lënë Shqipërinë pa kufij. Po, po pa kufij pasi me ligjin e miratuar në 2008 ata jo vetëm kanë shfuqizuar ligjin e 2001 por madje kanë shkuar deri atje sa të shfuqizojnë edhe Protokollin e Firences të 27 Janarit 1925”, tha anëtari i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni duke iu referuar kufijve detarë në jug të vendit.

 

Marrëveshjet që u miratuan me më shumë se 100 vota

Kuvendi shtyu sërish ligjet që kërkojnë 84 vota pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët. Seanca plenare ratifikoi disa marrëveshje të rëndësishme në sektorët social-ekonomikë. Mazhoranca dhe opozita votuan pro projektligjet: “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim”, e cila mori 124 vota pro. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve”, u miratua vetëm me 110 vota, ndërsa projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” u miratua me 120 vota pro, 3 abstenime dhe 15 deputetë nuk morën pjesë në votim.

 

 

Tahiri: Më gjobitën se gruaja e gjykatësit punon te Argita

Deputeti socialist Saimir Tahiri e cilësoi vendimin e dhënë dy ditë më parë nga Gjykata e Tiranës për ta gjobitur me 3.3 milionë lekë për shpifje ndaj Albana Vokshit si një hakmarrje personale. Sipas deputetit Tahiri, është e papranueshme që ai ka marrë një gjobë 3,3 milion lekë, ndërsa në Gërdec ku vdiqën 26 veta nuk u dënua askush. “Gjyqtari me emrin Asim Vokshi më dënoi pse thashë të vërtetën për Albana Vokshin, kur ndërkohë në po të njëjtën ditë pse vdiq një minator dhe u plagosën 8 të tjerë në Bulqizë, kompania u dënua vetëm me 500 mijë lekë të vjetra. Që këtu vdesin 26 veta në Gërdec dhe nuk dënohet asnjë njeri, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të mazhorancës dhe dënohemi, kjo është e vërtetë. Që këtu badigardi i djalit të kryeministrit plagos si sherif një kamerier në lokal dhe nuk dënohet, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të mazhorancës ne dënohemi, kjo është e vërtetë”, u shpreh Tahiri.

Sipas deputetit Tahiri, gjyqtari që ka dhënë vendimin ka konflikt interesi pasi bashkëshortja e tij punon në studion ligjore të vajzës së kryeministrit Berisha. “Fatkeqësisht gjyqtari që më dënoi, e shoqja i punon asistente e Argita Berishës, dhe vetë ai punon asistent i këtij fraksioni”, deklaroi Tahiri. Gjatë diskutimit, ai u ndërpre disa herë nga ndërhyrjet e kryetares së Kuvendit, e cila i tërhoqi vëmendjen për shkelje të rregullores. “Zotëria është jashtë rendit të ditës, jashtë rregullores”, tha Topalli. Në përgjigje të deklarata të kryeparlamentares, Tahiri ironizoi Topallin: “Zonjë, ne një këpucar e kemi në parlament, mos u bëj rrobaqepëse, të na qepësh edhe ti gojën”.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard

Publikuar me : 21.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 47 here.
Bashkia e Vlorës ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Tetra Tech Ard, partner që vë në zbatim projektin për planifikimin dhe qeverisjen vendore, mbështetur nga USAID. Marrëveshja e bashkëpunimit është realizuar mes dy palëve dhe është një projekt 5-vjeçar që do të financohet nga  USAID-i, duke synuar ofrimin e asistencës teknike dhe trajnim për qeverisjen shqiptare dhe institucionet e pushtetit vendore, për çuarjen përpara të procesit të...Lexo te gjithe artikullin »


» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan
» Sekui Reformat ne shendetesi e arsim jane lene jashte vemendjes
» Presidenca e Keshilli te Evropes nga 23 maji kalon ne ‘duart’ e Shqiperise
» Presidenca e Keshilli te Evropes nga 24 maji kalon ne ‘duart’ e Shqiperise

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit