Publikuar me : 06.07.2011 Ne :
Kulture - 238 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Prof. dr. Bardhyl Demiraj
Në zemër të jubileut gjysmëshekullor, Dega e albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut lëshon apel për ndihmë që t’i shpëtojë rrezikut të mbylljes. , Kreu i kësaj Dege të Albanologjisë, prof. dr. Bardhyl Demiraj, në një letër të gjatë sqaron situatën aktuale dhe perspektivën e pasigurt. Demiraj shpjegon se reformimi i sistemit universitar gjerman në kuadrin e procesit të Bolonjës, po ndikon negativisht në mbarëvajtjen e aktivitetit të degës së albanologjisë, e cila nuk i ka kapacitetet e mjaftueshme me personel mësimdhënës që të zhvillojë aktivitetin e vet universitar si degë më vetë në nivelin e parë (Bachelor). Mungesa e një lektori dhe/ose e një docenti universitar në nomenklaturën e degës ka kushtëzuar si masë paraprake në organizimin e formimit universitar të nivelit të parë (Bachelor) shkrirjen e plotë të programit universitar të albanologjisë me atë të dy degëve të tjera universitare në LMU: me Gjuhësinë Krahasuese dhe Indoevropiane (prof. dr. O. Hackstein) dhe Gjuhësinë e Përgjithshme dhe Tipologjinë Gjuhësore (prof. dr. W. Schulze). “Në këtë kontekst të ri dega e albanologjisë pranë LMU është transformuar në nivelin e parë të sistemit universitar në një fushë studimi me drejtim thjesht gjuhësor, duke rrezikuar kështu seriozisht të humbasë njëherë e përgjithmonë fizionominë e fituar gjatë një pune të mundimshme prej më se pesë dekadash, pikërisht atë të një dege universitare rajonale, ku krahas gjuhës dhe kërkimit gjuhësor studiohet kultura dhe historia e popullit shqiptar në kohë dhe hapësirë.” Por fati i saj mbetet pasigurt edhe për nivelin e dytë të studimit universitar (Master), sa kohë që dega mbulohet vetëm me një vend profesure dhe pa një lektorat të rregullt, sikurse është rasti në degët e tjera universitare me karakter rajonal.
“Meqë probleme të kësaj natyre përcaktohen e saktësohen në marrëveshjet kulturore ndërshtetërore”, shton në letrën e tij gjuhëtari që drejton prej 10 vjetësh degën e Albanologjisë në Munih, “shprehim bindjen se Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës si edhe Republika e Maqedonisë do të mund të siguronin vazhdimësinë e së vetmes degë universitare albanologjike në Evropën Perëndimore, në rast se do të mund të kontribuonin në këtë drejtim, siç mund të ishte p.sh. përshpejtimi i punës për ratifikimin e një marrëveshjeje kulturore ndërshtetërore me Republikën Federale Gjermane.”
Dega e albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Munihut është hapur në shtator 1961 nga prof. dr. Martin Camaj. Ajo është pjesë përbërëse e Institutit të Gjuhësisë Krahasuese-Indoveropiane si edhe i Albanologjisë në LMU. Gëzon statusin e një qendre shkencore-universitare që përgatit, diplomon dhe doktoron si albanologë të rinj ata studentë e studiues që përzgjedhin albanologjinë si degë kryesore studimi; përkatësisht plotëson formimin universitar dhe pasuniversitar të atyre studentëve që përzgjedhin albanologjinë si degë plotësuese. Ky status ruhet ende sot i akredituar në matriksin e sistemit universitar tradicional gjerman, çka e ka bërë këtë degë të jetë unike në gjithë atë pjesë të arealit shkencor albanologjik që shtrihet jashtë hapësirës kompakte shqipfolëse në Ballkan.