Publikuar me : 06.10.2011 Ne :
Kronike - 38 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Flamur Vezaj
TIRANË- Ministria e Drejtësisë urdhëron inspektorët e saj të verifikojnë dhe të përllogarisin afatet e paraburgimit të Alfred Shkurtit (Aldo Bare) i akuzuar nga prokuroria si kreu i “bandës” së Lushnjës, nën emrin e të cilit janë kryer shumë vepra të rënda penale. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë dikasterit të drejtësisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, mësohet se që të nesërmen e dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi kthimin për rigjykim të Bares, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka ngarkuar tre inspektorë për të verifikuar të gjitha procedurat ligjore të ndjekura në proceset gjyqësore ndaj Aldo Bares.
Përveç këtij verifikimi procedural, sipas po të njëjtave burime, tre inspektorët po llogarisin edhe afatet e paraburgimit, duke llogaritur kohën e qëndrimit të Bares në izolim në shtetin turk dhe në paraburgimin “Jordan Misja” në Tiranë pas ekstradimit. “Prej dy ditësh, tre inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë marrë në dorëzim dosjen penale në ngarkim të Aldo Bares. Ata po kryejnë verifikimet për të gjitha procedurat e ndjekur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda që në momentin e caktimit të masës së sigurisë në mungesë ndaj tij në vitin 2006. Po verifikohet edhe procedura e ndjekur nga Gjykata, pas arrestimit të Bares në Turqi e deri tek fillimi i procesit gjyqësor në Tiranë, ku Bare u ekstradua në mes të procesit gjyqësor. Përveç këtyre verifikimeve, inspektorët po bëjnë llogaritjen e afateve të paraburgimit, pasi mendohet se të pandehurit Bare i kanë mbaruar afatet e mbajtjes së tij në qeli”,- thuhet nga burimet e togave të zeza.
Sipas tyre, shfuqizimi i vendimit të dënimit të Bares nga Gjykata e Apelit, i hap rrugë mbrojtësit ligjor dhe vetë të pandehurit për të kërkuar shuarjen e masës së sigurisë dhënë në 2006 ndaj tij. Ndërkohë, nga ana tjetër ka qenë avokati mbrojtës Vladimir Meçi që në seancat e ndryshme gjyqësore ndaj Aldo Bares, ka renditur një sërë kërkesash të ndryshme, deri edhe te pushimi i çështjes bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë që pushoj hetimet ndaj ish-Ministrit të Transporteve tashmë me detyrën e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha. Sipas avokatit, kërkesa këto që po verifikohen nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, edhe klienti i tij Bare nuk ishte njoftuar për marrjen e tij me cilësinë e të pandehurit nga prokuroria më 11 Qershor 2007.
Edhe veprimet më pasme procedurale që janë kryer nga prokuroria, nuk i janë komunikuar Bares, siç janë vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për gjykim etj (veprim i njëjtë si ai ndaj Bashës). Gjithashtu, inspektorët po verifikojnë dhe llogarisin edhe afatet e paraburgimit, që nga arrestimi i tij më 25 Mars 2006 në Turqi dhe më pas qëndrimin në qeli në Shqipëri pas riatdhesimit të bërë më datë 25 Nëntor 2009. Sipas një përllogaritje të thjeshtë Aldo Bare ka qëndruar në qeli nga dita e arrestimit në Turqi e deri më sot rreth 5 vjet e 7 muaj.
Çka, këto vite tashmë po verifikohen nga inspektorët e Ministrisë për të përcaktuar nëse Bare ka plotësuar afatet e paraburgimit tre vjeçar të qëndrimit në qeli siç parashikon ligji. Sipas llogaritjeve të kryera, vetëm në shtetin turk, Bare ka qëndruar rreth 3 vjet e 8 muaj në qeli i izoluar për llogari të shtetit shqiptar deri në ditën e riatdhesimit. Tashmë më kthimin e çështjes për rigjykim, Bare cilësohet si person i pa dënuar në formë të prerë çka favorizohet lirimi i tij për shkak të mbarimit të afateve hetimore e gjyqësore.
Krahasimi
Avokati Vladimir Meçi ka renditur një sërë kërkesash të ndryshme, deri edhe te pushimi i çështjes bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë që pushoi hetimet ndaj ish-Ministrit të Transporteve tashmë me detyrën e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha
Për çfarë është dënuar Aldo Bare
Aldo Bare, për “Vrasjen në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shume personave” në bashkëpunim për vrasjen e Genci Kasharit dhe plagosjen e Artur Daja, u dënua me 23 vite burg
Aldo Bare, për “Vrasjen me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, të kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me burgim të përjetshëm
Aldo Bare për “Vrasjen me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli, të kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me 25 vite burg
Aldo Bare, për “Vrasjen me paramendim” të mbetur në tentativë ndaj shtetasit Gramoz Selmani, e kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me 25 vite burg
Aldo Bare, për “Vrasjen me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Masar Aliu, e kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me 25 vite burg
Aldo Bare, për “Vrasjen me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, e kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me 25 vite burg
Aldo Bare, për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të municionit” u dënua 5 vite burg
Aldo Bare, për “Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu, e kryer në kuadër të “Organizatës Kriminale” u dënua me 10 vite burg
Aldo Bare për “Krijimin e organizatës kriminale”, u dënua me 8 vite burg
Gjykata në përfundim i jep dënimin e vetëm atë me “burgim të përjetshëm” për të pandehurin Aldo Bare i njohur edhe si Alfred Shkurti apo kreu i “bandës” së Lushnjës