Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Aleksander Xhuvani dhe gjuha letrare shqipe

Publikuar me : 25.11.2011 Ne : Kulture - 35 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Ardian Klosi

Njihet dhe është cituar shpesh një artikull i Aleksandër Xhuvanit (1880-1961)botuar në “Albanian” e Konicës më 1905, nr. 11, me titull “Për themelim të nji gjuhe letrëtare”. Për promotorët e gjuhës letrare shqipe të vitit 1972 e cila ato kohë e për disa dekada më pas u quajt “gjuha e njësuar shqipe” ky artikull ishte gati-gati profetik. Aty studenti 25-vjeçar që po diplomohej për filologji në Universitetin e Athinës, hedh tezën se gjuha e ardhshme letrare e gjithë shqiptarëve do të mbështetet mbi një dialekt dhe ky dialekt duhet të jetë toskërishtja. Shkruan Xhuvani: “… këto shëmbëllime tregojnë se edhe gjuha shkrimtare letrëtare qi duëm me krijuë nga nji ligjëronjë [dialekt] ka me dalë nga toskënishtja. Unë në toskënishtet shof ato dukje istoriake, ato ngjarje, atë udhëtim shtëllisjë qi kallzova sipër për gjuhët greqishte, latinishte etj…. shtëllisjet e gjuhësiës sonë… më mbushinë mendjen se toskënishtja ka ma shumë arësye me zanë kryesinë në gjuhët letrëtare të paskëtajshime. Lartësimin e toskënishtes në shkallë të gjuhës letrëtare, vetëm nji arësye, përdorimi saj në ma të shumtat e libravet qi kanë dalë deri tashti, asht mjaft i fort me e ba të nevojshim dhe të kërkueshëm.

Që nga shpirtndritunit dhe të shkëlqyeshmit atdhetarë Sami dhe Naim, të cilët me librat të bukurë dhe të posaçme, gjer në ditë të sotshme shumicat e vepravet shkronjëtorake e letrërtare qi kanë dalë: vjersha, ditare, fletore, të përkohëshme – pëveç “ALBANIES” – e cila ka programën e bashkimit – shumica shkruhet në dialekt  të toskëvet.“

Për kryementorin e gjuhës letrare që u sanksionua më 1972, njërin prej hartuesve të rregullave të drejtshkrimit të saj, Androkli Kostallarin, “Aleksandër Xhuvani ishte i pari që iu kundërvu idesë së dy a tri gjuhëve letrare. Teza e A. Xhuvanit në thelb ishte kjo “…toskënishten lypset me e marrë për themel, mbi të cilin të ndërtojmë gjuhën tonë letrare. Por, mbasi edhe gegënishtja… ka edhe ajo të mirat e saj, atje ku toskënishtja nuk e mbush dot qëllimin, le t’i vijë ndifmëtare gegënishtja““ (A. Kostallari, Vepra e Aleksandër Xhuvanit për gjuhën letrare kombëtare, te: Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit, Tiranë 1986, f. 74-75). Vihet re te ky citim që Kostallari normalizon ortografinë origjinale të shkrimit, thekson fjalën themel duke e shkruar me italike dhe lë jashtë në citim një pjesë mjaft interesante të fjalisë së Xhuvanit, pikërisht vendin ku ai thotë: “Por mbasi edhe gegënishtja nuk asht për të hedhë tejë (nënvizimi im A.Klosi), sepse ka dhe ajo të mirat e saj…”. Në këtë kumtesë që është mbajtur në mars të vitit 1980 Kostallari lë pa përmendur pikërisht atë që ndodhi realisht me vendimet politike-gjuhësore të 1972shit, hedhjen tej dhe ndalimin e gegënishtes.

Është e kuptueshme përse ngrinte ato teza në vitin 1905 gjuhëtari i ri, e përse anonte nga vendosja e toskërishtes në themel të gjuhës së ardhshme letrare; le që ai e thotë edhe vetë në shkrim: “përdorimi saj në ma të shumtat e libravet qi kanë dalë deri tashti”. Rilindja, apo zgjimi kombëtar i shqiptarëve u frymëzua kryesisht nga botime që dolën prej kolonive shqiptare të Stambollit, Sofies, Bukureshtit, Misirit dhe këto botime ishin në të shumtën e tyre toskërishte, sepse prej Jugut të Shqipërisë vinin vëllezërit Frashëri, sikurse edhe Naum Veqilharxhi, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Petro Nini Luarasi, Çajupi e të tjerë. Jo se munguan shkrimet a vjershat e Pashko Vasës a të Filip Shirokës në ato botime patriotike, vetëm se autorët kryesorë të gegënishtes që ishin Fishta e Mjedja dhe gjithë rrethi i filologëve e dijetarëve, shkrimtarëve të tjerë që dolën prej françeskanëve e jezuitëve të Shkodrës do ta njihnin lulëzimin më të madh në dekadat e mëpasme dhe nuk patën, në vitet kur hidhte Xhuvani këto mendime, atë ndikim që patën poemat e Naimit dhe shkrimet programatike të Samiut. Toskërishtja po tregonte në botime një vitalitet shumë më të madh se gegënishtja, e cila dukej e kufizuar në seminaret dhe shtypshkronjat e Shkodrës.

Gjendja dhe qëndrimi i vetë Xhuvanit do të ndryshonte me lejimin e shkollave shqipe dhe afrimin e pavarësisë së Shqipërisë. Më 1909 ai u bë një nga mësuesit kryesorë të Shkollës së re Normale të Elbasanit që pati për drejtor Luigj Gurakuqin e më pas vetë Xhuvanin për disa dhjetëvjeçarë. Këtu ai jo vetëm që dha mësim për brezat e mësueve të ardhshëm të Shqipërisë e Kosovës, por hartoi edhe një numër librash shkollorë, gramatikash e tekstesh pedagogjike, të gjitha në idiomën e vet të natyrshme që ishte gegënishtja e Elbasanit siç po e vijonte nga mësuesi i vet Kristoforidhi. Krijimi i shtetit të ri, pas një alfabeti të vendosur mbas debatesh të shumta më 1909 në Manastir, kërkoi vetiu drejtpeshimin apo barazdistancën mes dy kryedialekteve, në mënyrë të ngjashme siç kërkoi drejtpeshimin në përfaqësimin e feve në figurat drejtuese. Asnjë koine nuk duhej të ndihej e diskriminuar, asnjë variant letrar nuk duhej të tregonte superioritetin e vet. Një përpjekje e shënueshme për t’i dhënë shtetit të ri një gjuhë letrare ishte veprimtaria e Komisisë Letrare të Shkodrës (1916-1918), e thërritur nga Luigj Gurakuqi nën mbrojtjen e komandës austro-hungareze në Shkodër, ku morën pjesë Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Maximilian Lambertz-i etj. Kjo komisi vendosi rregulla e norma që më pas, me miratimin e Kongresit të Lushnjës i dhanë së paku administratës së shtetit shqiptar një gjuhë të vetme e të vijueshme që vlejti deri në vitin 1944. Në relacionin e Lambertzit për këtë komisi lexojmë: “Çâshtja se cili djalekt i gjallë i Shqipnis âsht mâ i ardhshëm për me vjeftë ndërmjet ç’do djalekti të ndryshëm si gjuhë e përbashkme, qe zgidhë prej shqiptarvet të kuptueshëm si ndër kongresat e përparshëm edhe prej komisis letrare ndë Shkodër, tue zgjedhë djalektin e Elbasanit… Marrë thjesht gjuhsisht, djalekti i Elbasanit ase tufa djalektore e Elbasanit ka nji lehtësi shumë të madhe, për me u bâm gjuha zyrtare edhe gjuha arsimore, âsht gjendja e tij qendrore, lehtësija e tij qi afrohet si me gegnishten ashtu edhe me toskënishten… Sepse me diftuem të drejtën djalekti i Elbasanit, po të jetë vullneti i mirë, mund të kuptohet prej nji Shkodrani, gjithë ashtu si prej nji njieriu nga Monastiri, Korça ase nga Gjinokastra… Për me e vû tufën djalektore t’Elbasanit si ndër zyra ashtu edhe ndër shkolla, piksëpari âsht nevoja qi të botohet ndë ket djalekt nji gramatikë. Nji gramatikë e tillë asht lumtësisht si dorëshkrim, gati, edhe âsht e shkrueme nga dora e Aleksandër Xhuvanit, drejtorit të shkollës normale t’Elbasanit.“

Në fund të relacionit të Lambertzit në protokoll thuhet: „Misët e komisis nga diftimet e Z. Lambertzit mbesin fort të kënaqun e i falen nderit me nxehtësi“. As prej atë Gjergj Fishtës nuk erdhën kundërshtime: „Z. Atë Gjergj Fisha tha, se për në pastë djalekti i Elbasanit nji literatyrë, âsht gadi të bashkohet në kët mendim, edhe tue i paraqitun Z. Gurakuqi shkrimet e Kristoforidhit, atëherë Z. Atë Fishta pëlqeu plotësisht, qi të merret për bazë djalekti i Elbasanit për gjuhë-shkrimi“ (Laimet e Komisis Letrare Shqipe. Në Shkodër, Nr. 1 Kallënduer 1918 Vjet I).

Ja pra, si kishin ndryshuar shumë gjëra nga viti 1905 në 1917. Xhuvani natyrisht që ndihej mirë në gjuhën e përcaktuar si normë për administratën dhe shkollën e shtetit të ri, për të cilën do të jepte një kontribut të veçantë, me tekste mësimore që i hartonte pikërisht në gjuhën e kultivuar të qytetit të tij. Veçse duhet thënë që përcaktimi i gegënishtes në këtë funksion, nuk se i afroi në dhjetëvjeçarët që do të vinin dy kryevariantet letrare të shqipes; Fishta dhe gjithë dishepujt e tij, Mjedja e krejt autorët e koinesë së Shkodrës nuk bënë ndonjë përpjekje në botimet e shumta që nxorën shtypshkronjat e këtij qyteti deri në vitet 40 që „ta zbutnin“ gegënishten e tyre; po kështu nuk bënë ndonjë përpjekje për të ndryshuar idiomën po aq të konsoliduar toskërishte, Noli, Konica e të tjerët me botimet e shumta të Vatrës, por edhe autorë të tjerë me libra e gazeta që dilnin në Korçë, Tiranë, Bukuresht etj.

Kjo ishte gjendja me marrjen e pushtetit nga komunistët në vitin 1944. Situata ndryshoi kryekëput veçanërisht me goditjen ndaj Shkodrës dhe shuarjen e saj si qendër kulturore dhe botuese në vitit 1945-1948. Regjimi i ri ishte qartas për ndryshimin e gjuhës zyrtare të shtetit dhe vendosjen e toskërishtes si gjuhë letrare për të gjithë shqiptarët. Por kjo nuk mund të bëhej thjesht me aktin e dhunës ndaj Shkodrës, sepse ishin dhe një sërë autorësh të tjerë, jo-katolikë, madje edhe të lidhur me luftën partizane që vazhdonin të shkruanin në gegënishten letrare. Autoritet qendror ishte këtu padyshim Xhuvani, i cili veç të tjerash drejtonte Institutin e ri të Shkencave (1947-1953). Më 1952 qeveria shqiptare nxori një vendim që kërkonte vendosjen e toskërishtes në bazë të gjuhës së re letrare. U zhvillua edhe  një konferencë atë vit, ku Xhuvani dhe Eqrem Çabej haptas folën kundër nxitimit në afrimin e dialekteve, nënkupto suprimimin e variantit letrar geg. Citon Martin Camaj te parathënia e „Albanian Grammar“ të tij. „Aleksandër Xhuvani jo vetëm kundërshtoi hapur mbisundimin e njërit dialekt mbi tjetrin, por sugjeroi që ndryshimi të bëhej në mënyrë evolutive në të paktën tre breza. Duke përdorur një argumentim shkencor dhe praktik, mjeshtri i vjetër kujtoi fjalët e Stalinit „marksizmi nuk i pranon shpërthimet e befasishme në zhvillimin e gjuhës“. Xhuvani shtoi se nuk mund të hidhet tutje si gunë e vjetër dhe të futej në muzeum gjuha e një pjese të madhe të popullsisë“ (Wiesbaden 1984, f. XVI).

Dihet se përdorimi i gegënishtes letrare u lejua deri në kongresin e drejtshkrimit të vitit 1972. Natyrisht që Xhuvani nuk ndryshoi asgjë në gjithë shkrimet e tij – dhe botimet i pati të shumta gjersa vdiq – përveçse e lëmoi edhe më shumë variantin e vet letrar. Një kongres unison drejtshkrimi në gjallje të tij, e kemi zor ta përfytyrojmë. Bindjet që kishte dëshmohen jo vetëm vepra që la, por edhe nga kujtime të bashkëkohësve, siç i gjejmë p.sh. në librin e Abdullah Berberit „Tregime, kujtime, mendime…“ (Tiranë 1993): „Në burgun e Tiranës, nga viti 1946 deri 1948 kam qenë bashkvuejtës me prof. Selman Rizën… Disa vjet më vonë, ndërsa të dy jetojshim në „lirinë burg“, në Tiranë, u ulëm në nji kafe dhe filluem të kujtojmë vuejtjet e psueme… Në bisedë e sipër profesori më tha: – Ndigjomë o mik i dashtun. Do të tregoj nji bisedë interesante që kam pas kohët e fundit me profesor Aleksandër Xhuvanin, disa kohë para se të ndahesh nga kjo botë jallane… I bana nji pyetje, ma tepër për t’u skjarue, se sa për t’a ngacmue: – Profesor, si asht e mundun që ju, nji ndër autorët kryesorë të ndërtimit të gjuhës shqipe të unifikueme, me bazë elbasançen, hoqët dorë dhe pranuet atë, toskënishten? – Leje o Selman, mos e cyt ma tepër të shkretën, – m’u përgjegj ai, – sepse po më hap nji plagë, e cila ka vue nji koje dhe zor se mund të mbyllet kollaj. A t’a merr mendja, o i dashtun Selman, se unë, Aleksandër Xhuvani, të hjedh poshtë punën e tij shum vjeçare, të kryeme me shokë… Sa presjone më janë ba, që të pranojsha tezën e tyne. Sa Kostallara e kompani kanë ardhë, në fillim tue më quejt si të vetmin njeri që mund t’a përligjëronte nji imponim të tillë dhe ma vonë kur e panë se nuk po bajsha lëshime, filluen nga presjonet e zakonshme. Më në fund, kur e panë se nuk po dorzohesha, e çuen çështjen te „kadiu“ i cli në fillim më muer me lajka dhe lëvdata dhe kur e pa se nuk po ja mbrrinte qëllimit, filloi nga ata të vetat, që nuk ka shqiptarë që nuk ja din pasojat e hidhuna. Atë herë thashë me vete: pse mos t’a pranoja? biles me disa ndryshime të dyanëshme, po të vehet dhe paskajorja, me kohë, mund të arrihet edhe në formimin e nji gjuhe të përbashkët… Edhe nëpër çeta dhe njisite ushtarake, fanatiku krahinor bashkë me shokë këtë udhzim kishta dhanë, qysh atëherë, që toskënishtja të konsiderohesh si gjuhë zyrtare, mbasi ishte gjuha e partisë – përfundoi bisedën profesori i nderuem, i ndrit’t shpirti.“ (f. 150-151)

Nuk mund të vëmë dorën në zjarr që këto fjalë janë krejt autentike, ashtu sikurse është e vështirë të mohosh vërtetësinë e thelbit të tyre. Ajo që kërkohej dhe do të vinte pa dyshim, qe më e fortë sesa kundërshtimi i një njeriu të vetëm, sado autoritet të kishte ai brendapërbrenda një shteti totalitar. Kurse vetë vepra e Xhuvanit, e shtrirë në gjashtë dhjetëvjeçarë pune të parreshtur për gjuhën e shqiptarëve dhe shkollat e tyre, qëndron edhe e paprekur nga tronditjet politike përmes të cilave u krijua, e kthjellët dhe e vlershme sot e gjithë ditën për kulturën tonë.

 

Foto

Në kolegjin e Shën Adrianit, Aleksandër Xhuvani i ulur në mes

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Mbe ane te “erotizmit ne kinema”

Publikuar me : 21.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 88 here.
Mbe ane te “erotizmit ne kinema”André Bazin Askujt nuk do t’i shkonte ndërmend të shkruante një libër mbi erotizmin në teatër. Edhe në teatër subjekti mund të shtyhet drejt një reflektimi të tillë, por vetëm negativisht. Është e vërtetë se nuk ndodh e njëjta gjë për romanin. Një sektor i tërë i letërsisë nuk mund të lihet mënjanë dhe është themeluar pak a shumë shprehimisht mbi erotizmin. Por flitet pra vetëm për një sektor, veçantinë e të cilit e konkretizon ekzistenca e një...Lexo te gjithe artikullin »


» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit
» Lamtumire maestro!
» Underground
» Viti i dyte vazhdon me shlyerjen e borxheve
» Nje kengetar ne gjuhen latine per Carl Orff-in
» Kuaj dhe bicikleta. Po viti ’97?
» Vlore, mbyllet Aulona Folk
» “Orient Expresto”, jazz nga Kroacia
» Jeta dhe dashuria ne komunitetin gay

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit