Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Kronike - 34 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANË- Situata e kriminalitetit në vendin tonë është rritur ndjeshëm, por Policia e Shtetit e ka prezantuar këtë si një sukses të rritjes së treguesve të saj. Një fakt i tillë duket se u konfirmua dje në raportin vjetor të saj, të lexuar nga kreu i Policisë, Hysni Burgaj, ku vihej re se shifrat e të vrarëve si një nga treguesit më të rëndësishëm, ka pësuar rritje. Burgaj tha se janë regjistruar 124 vrasje, duke vënë re se ka pasur një rritje me 16 raste më shumë. Në këtë rast, policia ka renditur vetëm ngjarjet, por jo numrin e saktë të personave të mbetur të vrarë në këto ngjarje, duke mos pasur një tregues të saktë të kësaj kategorie të veprave penale në vend.
Burgaj renditi numrin e rasteve të drogës të goditura nga ana e saj, por nuk u raportua prej tij numri i veprave penale të regjistruara nga Policia e Shtetit dhe të referuara në organet e Prokurorisë. Pikërisht edhe në këtë moment i raportuar si sukses nga Policia, duket se treguesit nuk janë pozitivë për policinë. Burgaj tha se është rritur me 38 për qind, bllokimi i heroinës, dhe se janë evidentuar 653 vepra penale në fushën e lëndëve narkotike. Ndërkaq ai tha se në lidhje me marijuanën është bllokuar më pesë për qind më shumë marijuanë, se vitin e kaluar. Ndërkohë që vitin e kaluar gjatë raportit të tij, Burgaj tha se ishte vërejtur një ulje e ndjeshme e kultivimit të bimëve narkotike. Në lidhje me këtë vepër penale Burgaj tha se ishte rritur evidentimi i rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me gjashtë raste më shumë. Krimi ndaj pronës, vazhdon të zërë numrin më të madh të krimeve në vend.
Kreu i Policisë, tha se janë evidentuar gjithsej 1034 krime të rënda kundër pronës dhe janë zbuluar 67 perqind e tyre. Vjedhje me dhunë janë evidentuar 166 dhe zbuluar 46 perqind e tyre, vjedhje me armë janë evidentuar 82 dhe janë zbuluar 56 perqind e tyre dhe vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen 3 të zbuluara. Në këtë statistikë, duket se është llogaritur e zbuluar edhe vrasja e një argjendari në afërsi të stacionit të Trenit, kur pronari i argjendarisë u sulmua nga një person me armë dhe më pas u vra. Fillimisht për këtë rast, u arrestua një person, por më pas ai u la i lirë nga Prokuroria. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar u goditën 37 grupe kriminale të cilët kanë kryer rreth 90 vjedhje me dhunë e me armë, dhe janë arrestuar apo ndaluar 124 autorë.
Policia sekuestroi 1.2 miliardë lekë të reja të krimit
Gjatë një viti policia shqiptare ka mundur që të sekuestrojë rreth 1.2 miliardë lekë të reja, të cilat kanë qenë pronë e personave të përfshirë në vepra penale. Duke e krahasuar këtë shifër me vitin e kaluar rezulton se janë konfiskuar dy herë më shumë vlera monetare pjesë e aseteve të krimit. Sipas raportit të lexuar nga dje nga Hysni Burgaj, janë dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 47 procedime pasurore dhe janë identifikuar 701 persona të dënuar në shkallë vendi për veprat penale në fushën e zbatimit të ligjit dhe janë përfunduar e 11 hetimeve pasurore të vitit të kaluar. “Në bashkëpunim me Prokurorinë, vetëm për tendencën e pastrimit të parave, janë vendosur sekuestro preventive për asete me vlerë rreth 7.5 milionë euro, janë sekuestruar para kesh dhe në llogari bankare në vleftën 21.5 milionë lekë, 421 mijë dollarë amerikanë dhe 6.5 milionë Euro”,- thuhet në raport. Për këtë vit janë referuar 86 raste me 132 autorë të dyshuar, për akuzën e pastrimit të parave dhe pas përfundimit të hetimeve, janë dërguar për gjykim 8 raste për pastrim parash. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë raportoi si arritje goditjen e krimit të korrupsionit, pavarësisht se indeksi i perceptimit të tij, nga raporti i Transparency International (TIA). Sipas Burgajt, për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv, janë evidentuar 59 raste me 134 zyrtare të proceduar penalisht, prej të cilëve 64 të arrestuar dhe 70 hetuar në gjendje të lirë.
Burgaj sulmon opozitën
“Viti 2011 ka qenë një vit i mbushur me shumë prioritete, detyrime dhe objektiva, por nga ana tjetër, ka qenë një vit i ngarkuar me problematikë të gjerë dhe me zhvillime të vrullshme në të gjitha aspektet. Në këtë kuadër do të veçoja veprimtaritë masive të organizuara nga opozita, përfshirë dhe ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit, aktivitete të tjera të kryera nga forcat politike gjatë fushatës zgjedhore dhe post zgjedhore, përballimi i emergjencave civile për shkak të përmbytjeve në zonat veriperëndimore të vendit, përballimi me sukses i sezonit turistik”,- tha kryepolici Hysni Burgaj në fjalën e tij.
Rritet krimi në familje
Gjatë raportit të tij, Burgaj, tha se gjatë vitit që kaloi ishte vërejtur një rritje e krimit në familje. Ai pohoi se ishin evidentuar 2181 raste të dhunës në familje, ose 183 më shumë se vitin e kaluar. “Kjo rritje konstatohet edhe në rritjen e numrit të kërkesë padive për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, ku gjatë këtij viti janë lëshuar 153 kërkesa më shumë se në vitin 2010, – tha Burgaj. Më tej ai pohoi se edhe vrasjet e ndodhura në familje janë arritur në 29 raste vrasjesh, nga 21 të tilla të ndodhura gjatë vitit 2010. Për këtë shkak, kreu i Policisë kërkoi më tepër mbështetje nga agjencitë shtetërore dhe jo shtetërore me synim parandalimin e çdo lloj dhune në familje, si një fenomen negativ dhe zanafillë e krimeve në familje.