Publikuar me : 22.12.2011 Ne :
Sport - 37 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
“Blutë“ e Mançinit “likuidojnë“ Stoken dhe mbeten në krye të kampionatit me dy pikë më shumë se “djajtë“ që shkatërruan Fulhemin. Arsenali mposht Aston Vilën
Ajo që dukej prej disa javësh dhe parashikohej në Premier Ligë është konfirmuar mbrëmë: titulli do të jetë një çështje mes dy skuadrave të Mançesterit, Sitit dhe Junajtidit. “Blutë“ e Mançinit kryesojnë me dy pikë më shumë pasi kanë mposhtur 3-0 Stoke Sitin. Protagonist i padiskutueshëm ishte Serxhio Aguero, sulmuesi argjentinas që shënoi golin e parë dhe të tretë, duke arritur kuotën e 13 golave në kampionat. Goli i dytë u “firmos” nga Xhonson.
Siti ka 44 pikë, ndërsa Mançester Junajtid fitoi 5-0 ndaj Fulhemit dhe ngjitet në kuotën e 42 pikëve. Uelbek hapi serinë e golave për “djajtë“ që në minutën e pestë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 0-3 pas golave të mesfushorëve Luis Nani dhe Rajan Gigs. Dy golat e tjerë erdhën në tre minutat fundit nga dy sulmuesit Uejn Runi dhe Dimitar Berbatov.
Mançesteri duket se ka pushtuar Premier Ligën, sepse skuadra e vendit të tretë, Totenhemi, është plot dhjetë pikë larg kreut. Totenhemi do të luajë sot ndaj Çelsit në derbin e Londrës. Çelsi ka 32 pikë dhe ndan vendin e katërt me pikë të barabarta me Arsenalin. “Topçinjtë” i falen një goli të shënuar nga Josi Benajun, nëntë minuta para fundit për të kaluar Aston Vilën. Olbrajton shënoi për Vilën duke barazuar penalltinë e shënuar nga Robin van Persi, golashënuesi më i mirë i kampionatit anglez me 16 gola.
Benajun, prej pak minutash në fushën e lojës, u gjet në vendin e duhur në momentin e duhur duke shënuar gjatë një goditjeje nga këndi. Aston Vila e mbylli ndeshjen me dhjetë futbollistë pas kartonit të kuq të marrë nga Kris Haton në kohën shtesë. Ndërkohë, mbetet në vend-numëro Liverpuli që barazoi pa gola në fushën e Uiganit, duke humbur një shans të mirë për të kapur “trenin” Champions.
Çarli Adam humbi një penallti për “të kuqtë“. Në ndeshjet e tjera të luajtura mbrëmë për javën e 17-të të kampionatit anglez, Uest Bromuiç Albion dhe Sandërlendi festojnë fitoret në transfertë, respektivisht ndaj Njukasëllit dhe QPR-së, skuadra që qëndronin para tyre në renditje. Goli i shënuar nga Li Osman, pas një ore lojë, i dha Evertonit fitoren 1-0 ndaj Svanseas.