Publikuar me : 30.07.2011 Ne :
Kronike - 110 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Hajri Elezi
Në kohën kur pritej që prokurorja e çështjes Daniela Sulaj të mbyllë hetimet dhe të dorëzojë në gjykatë dosjen penale ndaj të dyshuarve të skandalit të naftës “Virgine”, më në krye presidentin e kompanisë “Euroil” shtetasin Hajri Elezi, ky i fundit ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe është arratisur në drejtim të paditur. Oficerët e policisë së Tiranës kanë shkuar dy ditë rresht në shtëpinë e tij për ta çuar të pandehurin sërish në qeli, por ai nuk gjendet më.
“Gjykata e Apelit në Tiranë më datë 28 korrik 2011, me vendimin nr. 413, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për zëvendësimin e masës së sigurimit të personit nën hetim Hajri Elezaj, nga arresti në shtëpi në masën e sigurimit arrest në burg. Pas këtij vendimi, efektivët e policisë kanë zbarkuar në banesën e deklaruar të të dyshuarit që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stermasi”, por nuk e kanë gjetur aty”,- thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët në orët e pasdites së djeshme shpërndanë një njoftim për media. Nga të dhënat paraprake, është konstatuar se Elezi nuk rezulton të ketë dalë jashtë territorit shqiptar, bazuar kjo e dhënë në sistemin TIMS të pikave kufitare të Shqipërisë.
Por prokurori dyshon se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një arratisje individuale, por me një skemë të organizuar ku përfshihen shumë njerëz duke nisur nga mjekët e deri tek gjykata. “Të ndodhur në këto kushte, kur Hajri Elezi është ndër personat kryesor në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës “Virgine”, prokuroria ka nisur verifikimin për vend ndodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit arrest në shtëpi të shtetasit Hajri Elezaj”,- thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, do të hetohen mjekët që në raportin e tyre përfundimtar nxorrën përfundimin se qëndrimi në burg i Elezit, i rrezikon jetën apo edhe të punonjësve të policisë që nuk qëndruan pranë banesës së të dyshuarit për ta ruajtur. Sipas prokurorisë, Elezi vazhdon të hetohet për kryerjen e veprave penale të mashtrimit; falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të regjistruar në hetim më 13 tetor 2010. Ndaj të arratisurit Elezi, prokuroria pritet të nis hetimet edhe për kryerjen e veprës penale të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe të shpallë në listën e personave të kërkuar.
Dosja e prokurorisë për Elezin
“Personi nën hetim Hajri Elezaj, duke vepruar me cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Shoqërisë “Euroil” sh.a. ka bërë të mundur që të përfitojë rimbursim të TVSH-së, në mënyrë të padrejtë, pasi dyshohet që me veprimet e tij të ketë falsifikuar dokumente, duke pasqyruar një sasi të konsiderueshme nafte “Vergine” si të eksportuar në mënyrë fiktive dhe duke e shitur këtë sasi në tregun e brendshëm. Personi nën hetim, si përfaqësues i Shoqërisë “Euroil” sh.a, është provuar se ka pasur detyrimin të eksportonte jashtë vendit nënproduktin “Vergine nafta”, por nga shkresat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të datës 28 dhjetor 2010 dhe atyre të tërhequra nga dogana, në lidhje me ngarkesat e anijeve “Rita S“ dhe “Calitea”, rezulton se nafta “vergine” nuk është eksportuar, por dokumentacioni i Shoqërisë “Euroil” përmban të dhëna të rreme. Një sasi e madhe e naftës “Vergine”, jo vetëm që është deklaruar në mënyrë fiktive si e eksportuar jashtë vendit, por kjo sasi nuk ka qenë e blerë nga Shoqëria “Euroil” sh.a. Sasia e naftës “Vergine” e blerë prej Shoqërisë “Euroil” sh.a. nga shitësi Shoqëria “Armo“ sh.a. është shumë më e vogël nga ajo e dy deklaratave doganore për praktikat e datave 10 dhe 28 shkurt 2009, të cilat pasqyrojnë sasinë 17 mijë ton, ndërkohë që nga aktet e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, sasia që figuronte gjendje në depot e “Euroil”, e deklaruar prej kësaj të fundit në tatime, është vetëm 3681,2 ton. Krijimi i dy praktikave doganore, që pasqyronin të dhëna të rreme, të sipërpërmendura nga Shoqëria “Euroil”, i ka shërbyer këtij subjekti të përfitonte rimbursimin e paligjshëm të TVSH-së”-thuhet në dosjen hetimore të prokurores Daniela Sulaj.
Flamur Vezaj