Publikuar me : 02.12.2011 Ne :
Politike - 88 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
L. Tanushi
Partia Socialiste do të mblidhet sot për të zgjedhur drejtuesit e forumeve më të larta të saj. Do të jenë anëtarët e Asamblesë Kombëtare ata që do të vendosin se kush do të jetë në postet drejtuese përmes një votimit të fshehtë. Deri mbrëmjen e djeshme në partinë më të madhe në opozitë nuk ka pasur një informacion mbi listën e emrave që do të propozohet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për t’u votuar. Sipas deputetëve të PS-së, Rama do të propozojë 27 emra për anëtarë të kryesisë, nga të cilët do të zgjidhen 18. Ndarja do të jetë 18 kandidatë meshkuj, nga të cilët do të zgjidhen 13 dhe 9 gra për pesë vende. Kështu, është parashikuar që përmes zgjedhjes së kësaj strukture të respektohet kuota 30 perqind për gratë. Kësaj liste mund ti shtohen edhe kandidatë që kanë zgjedhur të garaojnë individualisht përmes mbledhjes së 24 firmave të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Ndërkohë në një votim paralel do të zgjidhen edhe shtatë sekretarët e Asamblesë.
Mësohet se ky i fundit ka zhvilluar prej disa ditësh takime të njëpasnjëshme me deputetë dhe drejtues të lartë të selisë rozë për t’u konsultuar mbi ndryshimet që do të pasojnë në lidershipin e socialistëve. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se anëtarët e Asamblesë Kombëtare janë njoftuar vetëm për orarin dhe vendin ku do të zhvillohet mbledhja, por jo për emrat që do të votohen. Për pjesëtarët e këtij forumit të lartë të socialistëve nuk janë dhënë detaje të tjera mbi atë që do të ndodhë në këtë mbledhje.
Për të arritur këtë gjë, listat janë parashikuar që të përmbajnë numrin e anëtarëve që do të duhet të zgjidhen dhe rreth 33 perqind kandidatë më shumë. “Asambleja Kombëtare e PSSH zgjedh Kryesinë e PSSH. Numri i anëtarëve të Kryesisë miratohet nga AK me propozim të Kryetarit të Partisë. Kryetari i PSSH propozon deri në 1/3 e kandidaturave më shumë se numri i miratuar për anëtarë të Kryesisë. AK e PSSH ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë për anëtarë të Kryesisë. Çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të Kryesisë së PSSH nga AK duhet të ketë mbështetjen e 10 perqind të anëtarëve të AK”, – thuhet në nenin 27 të stratit të Partisë Socialiste.
Në fillim të punimeve Asambleja Kombëtare duhet të miratojë propozimin që do të bëhet nga kryesocialisti për të zgjeruar Kryesinë. Sipas statutit, “Asambleja Kombëtare e PSSH me propozim të kryetarit të partisë miraton numrin dhe strukturën e Sekretariatit”. Pas kësaj, Edi Rama do t’ju prezantojë anëtarëve të asamblesë listën me kandidatët për kryesinë. Pasi të jetë zgjedhur Kryesia atëherë do të zgjidhen sekretarët. Mbledhja e një prej forumeve më të larta të socialistëve do të zhvillohet paraditen e sotme në orën 11, në ambientet e një lokali jashtë qytetit të Tiranës.