Publikuar me : 21.12.2011 Ne :
Politike - 31 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Teksa në Shqipëri nuk është shuar ende jehona e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike, Greqia po rrit presionet për një regjistrim të asaj që ajo pretendon se është minoriteti i saj në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka shfuqizuar termin kombësi nga të gjitha dokumentet zyrtare, por kjo nuk po e pengon Greqinë të të shtojë edhe më shumë presionet.
“Ministria e Jashtme i ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet që lidhen me regjistrimin në Shqipëri, dhe ka bërë atë që është e duhur, si në nivel dypalësh ashtu dhe në nivel evropian, për të siguruar integritetin e procesit, mos pengimin e regjistrimit të anëtarëve të pakicave kombëtare greke dhe çdo vendqëndrim të tyre”, është shprehur në një letër drejtuar parlamentit grek Ministri i Punëve të Jashtme Stavros Dimas.
Përgjigjja e ministrit grek ka ardhur pas pyetjeve të bëra nga deputeti i LAOS, Kostas Aivaliotis, i cili tha: “Qeveria shqiptare bëri ndryshime në pyetësorin e regjistrimit, vendosi pengesa për procesin, duke përfshirë edhe gjobat 100 000 lekë, në mënyrë që të pengojë regjistrimin e qytetarëve me origjinë greke dhe të dekurajojë ata që duan të deklarohen grekë”. Por ministri i Punëve të Jashtme, Dimas është shprehur se “vendimi i përfaqësuesve të pakicave të mëdha, përfshirë edhe minoritetin kombëtar grek, për të ftuar anëtarët e tyre që të braktisin procesin, tregoi një mungesë të rëndë besimi të pakicave në shtetin shqiptar”. Duke u bazuar në faktin që disa shoqata që pretendojnë se përfaqësojnë minoritetin grek në Shqipëri nuk kanë plotësuar drejt formularët e regjistrimit, Dimas tha: “Kjo së bashku me pretendimet për parregullsi në procesin e regjistrimit të popullsisë, vë në diskutim besueshmërinë e rezultateve të përftuara nga përpunimi i të dhënave, të madhësive të grupeve të pakicave dhe zonave ku ata jetojnë”.
Duke luajtur sërish kartën e kërcënimit për procesin e integrimit në BE, Greqia pretendon se respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është një kriter thelbësor për ecurinë e procesit dhe mos përmbushja e këtij kriteri dëmton rëndë Shqipërinë. “Respektimi i të drejtës së vetëvendosjes së lirë gjatë kryerjes së regjistrimit, është deklaruar nga raporti i fundit i Komisionit Evropian të progresit për Shqipërinë, si e një rëndësie kritike”,- thotë në përgjigjen e tij ministri i Jashtëm grek Stavros Dimas. Ai ka shtuar se “Greqia ka investuar gjithmonë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Shqipërinë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, duke konsideruar dukshëm në këtë drejtim, mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke, e cila përbën një urë të miqësisë midis dy vendeve”.
Termi kombësi zhduket nga dokumentet shqiptare
Dje është botuar në Fletoren Zyrtare dhe për pasojë ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon termin kombësi nga të gjitha dokumentet e gjendjes civile. Në vendim Kushtetuesja ka arsyetuar se identiteti etnik i një individi është një e dhënë që i përket jetës së tij private dhe si e tillë mbrohet nga Kushtetuta përmes disa dispozitave, veçanërisht nga neni 35 (mbrojtja e të dhënave personale), neni 36 (liria dhe fshehtësia e korrespondencës), neni 37 (paprekshmëria e banesës), neni 53 (mbrojtja e martesës dhe familjes), etj. Parimi i ruajtjes së të dhënave personale, si një aspekt i jetës private, garantohet nga neni 35 i Kushtetutës. Ky nen parashikon, ndër të tjera, në paragrafin e parë se: “askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij”. Nisur nga ky përkufizim, Gjykata Kushtetuese arrin në konkluzionin se, “dispozitat e ligjit për gjendjen civile, objekt i këtij kontrolli kushtetues, duke vendosur detyrimin për regjistrimin e të dhënave mbi ‘kombësinë’ në regjistrat e gjendjes civile, ndërhyjnë në sferën e jetës private të individit, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës”.
“Bazuar në çka më sipër, Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi“kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës”, – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.