Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Politike - 80 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po fshehin të dhënat për nivelin e kriminalitetit për vitin 2011. Kjo akuzë është bërë nga sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili ka deklaruar se fshehja e këtyre të dhënave bëhet me qëllim që “Berisha t’i mbyllë gojën policisë për kriminalitetin”.
Deputeti socialist ka shprehur shqetësimin për shkak se Policia e Shtetit mbyll vitin 2011 pa një analize të përgjithshme të nivelit të krimit në vend. Ai sqaroi se në 20 vitet e fundit, në çdo fund dhjetori, zhvillohet analiza vjetore e Policisë së Shtetit për të raportuar nivelin e kriminalitetit në shkallë vendi, shkallën e zbulueshmërisë së veprave kriminale dhe numrin e procedimeve penale për elementet kriminalë. Për deputetin socialist, viti 2011 është i vetmi vit, pas 20 vitesh, që Policia e Shtetit nuk e zhvillon analizën vjetore në fund të vitit. Për këtë çështje, deputeti i PS-së sqaroi se janë zhvilluar pothuajse të gjitha analizat në nivel drejtorish, por në nivel kombëtar Policia e Shtetit duket se ka vendosur të heshtë.
“Po përse Policia e Shtetit nuk zhvillon analizën vjetore të punës së saj? Në fakt është kryeministri Sali Berisha, i cili ka urdhëruar moszhvillimin e kësaj analize. Sali Berisha ka urdhëruar gjithashtu bllokimin e raportimit në Kuvendin e Shqipërisë të Prokurores së Përgjithshme për nivelin e kriminalitetit në vend. Prej dy vitesh tashmë zonja Ina Rama nuk lejohet të raportojë në Kuvend nivelin e kriminalitetit, megjithëse ky raport është një detyrim kushtetues”,- deklaroi Balla. Kjo tregon, sipas tij, se kryeministri ka vendosur që të mbahen të fshehta të dhënat mbi situatën e krimit ne Shqipëri.
Për të, arsyeja e kësaj fshehtësie është vetëm një: Shqipëria regjistroi edhe këtë vit një bilanc tragjik vrasjesh. “Numri i ka kaluar 150 vrasje për këtë vit. Ky është viti i tretë që shënon rritje të krimeve të rënda. A jemi përballë një shthurjeje të Policisë së Shtetit? Po. Për fat të keq në Shqipërinë e nëndrejtorëve të policisë që akuzohen nga vetë ministrat e qeverisë dhe nga ambasadat e huaja për kontrabandë, Policia e Shtetit është shthurur plotësisht”, – vlerësoi sekretari i grupit të PS-së.
Mbi këtë çështje, ai solli në vëmendje raportimi e ministrit të Brendshëm në Kuvend, por edhe të drejtorit të Përgjithshëm i Policisë, të cilët konsideruan si sukses të vetëm përqindjen e zbulueshmërisë së krimit me vrasje personi, që pretendohet në masën 84 perqind. Por, sipas deputetit socialist, ajo që fshihet me qëllim në statistikat e tyre është gjithmonë fakti se në 16 perqind i pazbuluar janë vrasjet më të rënda. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së nënvizoi se Shqipëria është i vetmi vend në botë, ku shteti gënjen hapur edhe me të vrarët. “Me qëllim uljen e numrit të viktimave të vrasjeve me armë vrasjet e dyfishta, të trefishta, apo të katërfishta këta i numërojnë vetëm për një. Sepse për këtë qeveri viktimat janë kthyer vetëm në problem statistikor. Po ju sjell në vëmendje vetëm një rast. Sipas të dhënave statistikore të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri më datë 21 janar 2011, është regjistruar një vrasje”, – denoncoi skemën e manipulimit të të dhënave, Taulant Balla.
Të dhëna mbi veprat penale të kryera gjatë viteve të mëparshme
Viti 2008 2009 2010
Vepra Penale 13651 13100 15096
Vrasje 88 79 131
Vjedhje me armë 41 50 64
Vjedhje me dhunë 103 119 164
Vjedhje Gjithsej 2313 3037 3971
Vjedhje biznesesh – 93 192
Vjedhje banesash 697 757 957
Vjedhje lokalesh 640 893 1023
Vjedhje veturash 388 498 627
Vjedhje te tjera 588 826 1172
Situata kriminale në Qarkun e Tiranës
Në territorin e Qarkut Tiranë, është marrë dijeni dhe janë referuar 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8 perqind e tyre.
Në krahasim me vitin 2010, ka një rritje të evidentimit me 1274 vepra penale, dhe njëkohësisht rritje të fuqisë zbuluese me 2.8 perqind.
Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë.
Gjatë këtij viti 2011 janë kapur 345 persona të shpallur në kërkim ose 68 më shumë në krahasim me vitin 2010.
Strukturat e Hetimit të Krimit kanë kryer 84 operacione policore ose 8 operacione më shume se në vitin 2010, si dhe janë dyfishuar hetimet me metodat speciale të hetimit.
Janë kryer 35 operacione nga strukturat kundër narkotikëve dhe trafiqeve; 38 operacione nga strukturat kundër krimeve financiar; 5 operacione nga strukturat kundër krimeve të rënda dhe 6 operacione nga strukturat e Komisariateve te Policisë Nr.1, 2, 3, 4 dhe Kavajë.