Publikuar me : 21.10.2011 Ne :
Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Oozita akuzoi ministrin për Inovacionin dhe Teknologjinë Genc Pollo se ka depozituar në bankat e Qipros 1.2 milion euro. Gjatë interpelancës me ministrin Pollo, deputeti socialist Taulant Balla denoncoi shitjen e licencës për rrjetin e fibrave optik në fushën e internetit. Sipas tij anëtari i kabinetit Berisha ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfete për të favorizuar dhënien e licencës për fibrat optike një kompanie të miqve të kreut të qeverisë.
Deputeti Balla tha se “Sa është shuma, ryshfeti që ju keni marrë? 1 milion e dyqind mijë euro? A keni llogari bankare në një bankë arabe në Larnaka të Qipros? A keni qenë në këtë bankë rregullisht gjatë kohës që keni qenë ministër? Për t’ju ndihmuar në kujtesën tuaj, po ju kujtoj disa data, 11 Qershor 2007, 5 shtator 2007, dhjetor 2010”, u shpreh Balla. Sipas opozitës, nga favorizimi që i është bërë firmës së mikut të kreut të qeverisë Berisha, shtetit i është shkaktuar një dëm prej 50 milion euro.
“Në fillim Pollo mori OK nga Berisha për të bërë tenderimin e kompanisë me koncensionet. Ndërkohë një ministër tjetër kishte marrë leje. Saliu është në siklet, ryshfeti është marrë dhe qeveria është në luftë. Pollo, ju keni shkelur ligjin së pari me kriteret e vendosura, ju keni larguar kompani shqiptare. Së dyti, fituesit Pollo do ti japë dhuratë një licencë tjetër, një e drejtë e përdorimit të frekuencave 310 352 mg Herz që kushton 12.5 milion euro. Pollo ka marrë 1.2 milion euro ryshfet. Dëmi që i shkaktohet Shqipërisë nuk është 12.5 milion euro, por 50 milion euro nga katër licencat e dhëna nga Pollo”, theksoi Sekretari i grupit parlamentar socialist në interpelancën e kërkuar me ministrin e Inovacionit dhe Teknologjisë Genc Pollo.
Ministri Pollo iu shmang akuzave të opozitës duke u ndaluar tek tarifat e komunikimit dhe në shtrirjen e rrjetit të internetit në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ministri sqaroi se për dhënien e lejes për ndërtimin e rrjetit të internetit, do të realizohet një garë ndërkombëtare ku do të jenë të lira për të marrë pjesë kompani shqiptare dhe të huaja . Për shkak të infrastrukturës së dobët në vite, sipas ministrit Pollo tij, po punohet për ngritjen e një infrastrukture kryesore, e shtrirë në të gjitha rrethet e vendit, me teknologjinë më të mirë, për ofrimin e internetit me bazë të gjerë. “Kemi vendosur të hapim një garë koncensionare për të ftuar kompani ndërkombëtare. Këtu nuk ka kufizime, duhet të kesh përvojë dhe nuk do lejomë kompani fantazëm, ne duam një kompani botërore me shëndet financiar.
Për të pasur një operator të ri kundrejt operatorëve në treg”, tha Pollo. Por si në çdo seancë plenare, debati ndërmjet deputetit Balla dhe ministrit Pollo shkuan deri në ofendime personale. “Ti merresh vesh qartë kur gënjen, se të skuqen veshët, ti ke vjedhur xhepa. Unë të pyeta sa është shuma e ryshfetit që ke marrë dhe Berisha ka dije, a ke diskutuar, a ke llogari bankare në Qipro. Jep dorëheqjen, po ky është akt moral dhe kjo qeveri se ka dhe aftësia për të shkarkuar Berisha është akt që nuk shkon”, deklaroi Balla.
“Ju keni një deformim njerëzor, ndoshta dhe anatomik, sepse me këto që thoni anusi ju ka dalë në laring. Po unë ashtu si Aristoteli, filozofi i lashtë grek them: Kur qeni të kafshon këmbën, nuk mund të përgjigjem në të njëjtën mënyrë”, iu kundërpërgjigj Ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin Genc Pollo në seancën e djeshme plenare.
Çështja Tarantino
Në shitjen e licencës për fibrat optikë, sipas socialistëve ka dorë edhe Tarantino, person tepër i njohur në mediat italiane si sekser i kryeministrit Berluskoni. Për deputetin socialist Taulant Balla, kablli nënujor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë përmendet edhe në bisedat telefonike të Gianpaolo Tarantini, të regjistruara nga prokuroria italiane. “Sipas mediave italiane Tarantini ishte njeriu që i plotësonte “nevojat” e sevdave të Berluskonit. Kjo është arsyeja se pse me këtë leje është marrë vetë Saliu. Po për këtë është interesuar edhe Valter Lavitola, edhe ky një sekser Italian, i kërkuar nga drejtësia. Zoti Pollo, kush është kryetari i një partie në koalicionin tuaj qeverisës, mik i sekserit Italian Valter Lavitola, që ka ndërhyrë për dhënien e kësaj leje?”, tha Balla. Më datë 21.10.2010, Sali Berisha ka firmosur dhënien e lejes për vendosjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri), projekti “Balkans – Italy”. Kjo leje i është dhënë kompanisë UNIFI Holding Inc, dega Shqipëri me një afati 12 muaj.
Pollo padi për Ballën në Prokurori
Zyra e shtypit në Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë njoftoi se ministri Pollo do të padisë deputetin socialist Taulant Balla për shpifje dhe fyerje. Vetëm pak orë pas përfundimit të interpelancës në Kuvend, në një njoftim për mediat theksohet se Ministri Pollo po shqyrton mundësinë për të ngritur një padi penale e civile për shpifje kundrejt deputetit socialist Taulant Balla. Edhe deputeti Balla ka deklaruar se do të depozitojë në Prokurori të gjitha faktet që komplikojnë ministrin Pollo në shitjen e licencës për ndërtimin e rrjetit optik në vendin tonë që sipas tij është dhënë në mënyrë abuzuese.
PS bashkon votat me PD
Opozita bashkoi votat me demokratët për miratimin e dy projektligjeve në seancën e djeshme plenare. Pas më shumë se dy vite, opozita dha pëlqimin duke miratuar me 130 vota pro marrëveshjen me Kosovën. Opozita dha konsensusin e saj edhe për ratifikimin e marrëveshjes së “ kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit – kontratë me çelësa në dorë” e cila mori 128. Deputeti Saimir Tahiri theu vendimin e grupit parlamentar socialist duke votuar kundër. Votimi i opozitës ka gjetur të papërgatitur edhe kryetaren e Kuvendit Topalli e cila u mundua të shfrytëzonte momentin për kalimin e ligjit për Gjykatën Administrative. Kryetarja e Kuvendit i propozoi deputetëve të majtë për të hedhur në votim, projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, i cili kërkon 84 vota, por ky proces u shty. PS depozitoi dje draftin ligjor të Grupit parlamentar socialist për “Ndryshimin e tatimit mbi vlerën e shtuar”.