Publikuar me : 23.12.2011 Ne :
Politike - 39 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Presidenti i Republikës pranoi dje për herë të parë se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në këtë post. Ai e quajti festën e përvitshme me gazetarët si të fundit në pozicionin e Presidentit, por premtoi se do të ketë takime të tjera në të ardhmen në një tjetër pozicion. Me këtë deklaratë presidenti Topi konfirmoi në mënyrë indirekte se e ardhmja e tij do të jetë sërish në politikë, por jo në presidencë apo në Partinë Demokratike. Burime pranë tij kanë pohuar se pas mbarimit të mandatit në krye të shtetit, Bamir Topi do të krijojë një parti të re, e cila do të jetë e djathtë dhe do të mbledhë të gjithë personat që janë larguar këto vite nga Partia Demokratike pasi nuk kanë qenë dakord me mënyrat se si ka drejtuar kryetari Berisha.
Largimi
“Padyshim që është një moment i veçantë i veprimtarisë sime si President takimi në fund të vitit me gazetarë, me miq. Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi, sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë pasur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu”,- tha presidenti Topi gjatë pritjes me median. Ai dha edhe një sinjal që rotacioni politik është themeli i demokracisë dhe për pasojë duhet të jetë sa më i natyrshëm. “Natyrisht që një ditë si kjo nuk na lejon që të hyjmë në diskutime, të cilat ne i kemi bërë ose nëpër studio, apo në prononcime në aktivitete të ndryshme të karakterit shoqëror dhe politik, pasi kjo ditë është veçanërisht për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin”,- tha Topi.
Media
Por dje për herë të parë kreu i shtetit ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Radio-Televizionit Publik Shqiptar, të cilin e ka cilësuar si të njëanshëm politikisht dhe të pabesueshëm për publikun. “Njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Ky televizion duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demonstrojnë që është një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët”. Në këtë kontekst, presidenti Topi përmendi edhe rastin e protestës së opozitës më 21 janar ku vlerësoi rolin e medias në pasqyrimin e saktë të ngjarjeve. “Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata gazetarë, të cilët kanë ndjekur sidomos gjatë vitit 2011 ngjarje që kanë qenë shumë intensive në Shqipëri. I kanë ndjekur me shumë guxim, me shumë trimëri. Them fjalën trimëri se janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba. Jam i bindur që vetëm e vërteta dhe profesionalizmi do të dominojë”,- tha Topi në mbyllje të fjalës së tij.
Topi i përgjigjet Fevziut: Media jo militante e verbër e politikës
Presidenti i Republikës i ka kthyer përgjigje në mënyrë indirekte edhe gazetarit Blendi Fevziu, i cili kishte deklaruar dy ditë më parë se nuk e kishte dashur në promovimin e librit të tij. Ai ka kërkuar që media të mos jetë militante e verbër e politikës.
“Në fakt, s’dua ta them, por unë nuk kam dashur që presidenti Topi të ishte në promovimin e librit. Ndonjë simpati të madhe për presidentin Topi nuk kam pasur kurrë. As në ditët që ka qenë në politikë. Ndonjë vlerësim për kapacitetin e tij politik, po ashtu kurrë. I takon shtresës së njerëzve që thonë fjalë të përgjithshme, pa thelb, por kjo është një çështje e tij personale”,- ka thënë Fevziu dy ditë më parë.
“Media duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, më shumë profesionalizëm dhe atë që ndoshta ne për hir të elegancës së komunikimit, apo për hir të mesazheve diplomatike, shpeshherë nuk e themi, publiku i thjeshtë e thotë, njerëzit e thjeshtë e konstatojnë. Dhe ata janë shumë të aftë që të bëjnë diagnozën, edhe të simptomave që shikohen për fat të keq ndonjëherë edhe në media, ku militantizmi i verbër i ngjitet politikës, e bën atë jo që të ngrihet në pozicionin e saj, aty ku duhet të jetë si interprete e problemeve që kanë njerëzit, por janë bashkudhëtarë duke e kthyer median në disa raste si një instrument të denatyruar nga misioni i informimit të drejtë publik”,- u përgjigj Presidenti. Ai tha se të gjithë gazetarët e kuptojnë kur kolegët e tyre kryejnë këto veprime, por për solidaritet dhe ekuilibër preferojnë që të mos flasin. “Sot nuk jemi për të bërë një analizë, sepse edhe mua nuk më takon ta bëj këtë analizë, por secili nga ju, që është aktor në këtë mjedis të rëndësishëm të gazetarëve, të opinionistëve, është në gjendje që ta bëjë diagnozën më mirë se sa unë. Secili e flet, secili e diskuton dhe secili bën analizën në mënyrë shumë të thellë dhe profesionale, por qoftë nga solidariteti profesional, qoftë për të ruajtur një lloj ekuilibri midis jush, ju e shikoni, e konstatoni, por nuk e thoni”,- tha Topi.
Bahri Shaqiri vizitë përpara gazetarëve
Përpara se të priste përfaqësuesit e media në presidencë, kreu i shtetit ka zhvilluar një takim me kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Disa përfaqësues të medias u ndeshën me Shaqirin në derën e presidencës. Vetë Shaqiri e përcolli këtë takim me buzëqeshje dhe më pas u largua me makinë. Pak minuta më pas, Presidenti i Republikës hyri në sallën ku u zhvillua takimi.
Nano: Ka njerëz që më mbështesin ende në PS
Ish-kryeministri Fatos Nano ka përsëritur sërish dje dëshirën e tij për të garuar për postin e Presidentit të Republikës. Edhe pse PS dhe PD i kanë mbyllur derën për një garë të tillë, Nano është shprehur i bindur se do i gjejë votat e nevojshme. Ai la të nënkuptohet se votat do i gjejë nga e majta ku pretendoi se ka ende mbështetës të tij. “Nuk besoj se jam në garë për të kaluarën , por me idetë dhe përfaqësuesit që janë të interesuar për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë”,- tha Nano. I pyetur nëse ka apo jo njerëz në Partinë Socialiste që e mbështesin në garën për President, Nano tha: “Ju mendoni se Partia Socialiste ka vdekur?”.
Më pas Nano komentoi përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga Partia Socialiste duke thënë: “Përjashtimi i Islamit nga PS një gabim fatal. Shpresoj që PS të gjejë forcat të ndreqë këtë gabim”.