Publikuar me : 25.10.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Rritja e fortë e kredive me probleme ka bërë që Banka e Shqipërisë të ndryshojë rregullat për mbikëqyrjen e sistemit bankar. Një vendim i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së ka miratuar së fundmi Rregulloren për Administrimin e Rrezikut të Kredive, në të cilën janë të përcaktuara në mënyrë tepër të detajuar kriteret për kategorizimin e kredisë, vlerësimin e aftësive paguese të kredimarrësve, administrimit të humbjeve nga kreditë me probleme dhe përcaktimin enjë fondi të veçantë për mbulimin e kredive të humbura.
Rregullorja fillimisht përcakton organin përgjegjës, i cili do të merret me administrimin e këtij rreziku, i cili është Këshilli Drejtues i bankës. Më pas, rregullorja ndalet shumë gjatë në kategorizimin e kredive, gjë e cila u jep më shumë informacion bankave për cilësinë e portofolit të tyre. Kreditë ndahen në pesë kategori, nga ato më të shëndetshmet deri tek kreditë e humbura, para të cilat bankat nuk i marrin më paratë e dhëna. Kategorizimi bëhet duke u bazuar në gjendjen financiare të kredimarrësit dhe kohën kur ai bën pagesat.
Kategoria e parë janë ato “standarde”, kur kredimarrësi ka një gjendje financiare të mirë dhe këstet paguhen jo më vonë se 30 ditë nga data limit. Kategoria e dytë janë kreditë “në ndjekje” , ku kredimarrësi ka një gjendje të mirë financiare dhe mund të bëjë pagesat me gjithë problemet momentale që mund të hasë në pagesa, ndërkohë që pagesa bëhet me një vonesë 31 deri 90 ditë nga data kur ishte përcaktuar. Kategoria e tretë janë kreditë “nën standard”, ku gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset konsiderohen të pamjaftueshme për të shlyer detyrimet ose banka nuk ka informacion të plotë për aktivitetin e tij financiar. Krahas kësaj, ky vlerësim vlen për kreditë, këstet e të cilave paguhen me një vonesa që fillon nga 91 deri në 180 ditë nga data e paracaktuar.
Ndryshe nga dy kategoritë e para, problem për bankat fillon pikërisht në kreditë që vlerësohen sit ë kategorisë së tretë e më poshtë. Janë pikërisht këto kredi që përbëjnë portofolin e kredive me problem, të cilat deri në fund të muajit gusht u vlerësuan në rreth 950 milionë dollarë.
Kategoria e katërt janë kreditë “e dyshimta” kur kredimarrësi nuk ka mundësi për të paguar dhe është thuajse i falimentuar. Këstet paguhen zakonisht gjashtë muaj deri një vit me vonesë nga data e paracaktuar. Kategoria e pestë janë kreditë e “humbura”. Janë disa situata që e bëjnë bankën të vlerësojë kredinë si të humbur. Ato fillojnë nga largimi nga jeta i kredimarrësit e deri tek mungesa e dokumentacionit. Të gjitha këto përmblidhen në pamundësinë për të paguar.
Për sa i përket vlerësimit të gjendjes së kredimarrësit, bankat fillimisht përqendrohen tek financat e tij, menaxhimi, plan biznesi apo mënyra se si do t’i përdorë paratë e huazuara, nëse ka pasur kredi të mëparshme dhe si i ka shlyer ato, etj. E gjithë kjo bëhet me qëllimin për të verifikua aftësitë klientit për të paguar dhe që kredia të mos humbë. Kreditë e këqija mbartin shumë problem për bankat duke filluar nga mungesa e fitimit dhe humbja e principalit e deri tek kostot e tjera shtesë siç është ndjekja e tyre apo edhe bllokimi i fondeve rezervë për mbulimin e humbjeve prej tyre.
Kategorizimi i kredive
1-Kredi standard
Gjendja kredimarrësit
Gjendja financiare e kredimarrësit është e mirë dhe ka të ardhura të mjaftueshme për të shlyer këstet. Gjithashtu edhe në të ardhmen parashikohet një ecuri e mirë
Afati
Pagesa bëhet 1 deri 30 ditë me vonesë
2-Kredi në ndjekje
gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset hyrëse të parasë janë të mjaftueshme për të
përmbushur detyrimet, pavarësisht vështirësive financiare të momentit. Nk ka shenja
përkeqësimi të gjendjes së kredimarrësit për të ardhmen
Afati
Pagesa bëhet 31 deri 90 ditë me vonesë nga data e paracaktuar
3-Kredi nën standard
Gjendja e kredimarrësit
Gjendja financiare e kredimarrësit vlerësohet si e pamjaftueshme për përmbushjen e rregullt të detyrimeve të prapambetura, ose banka nuk ka gjithë informacionin e kërkuar në lidhje me aktivitetin e kredimarrësit
Afati
Pagesa bëhet 91 deri 180 ditë me vonesë nga afati I paracaktuar
4-Kredi në dyshim
Gjendja e kredimarrësit
Kredimarrësi konsiderohet thuajse I falimentuar , të ardhurat janë të pamjaftueshme për të mbuluar pagesat e principalit dhe interesave ose mungon dokumentacioni për vlerësimin e aktivitetit
Afati
Pagesa e kësteve bëhet 181 deri 365 ditë me vonesë nga data e paracaktuar
5-Kredi të humbura
Kredimarrësi përfundimisht nuk ka mundësi pagese ose mungon dokumentacioni për vlerësimin e gjendjes së tij financiare ose ai është larguar nga jeta
Afati
Vonesa zgjat më shumë se 365 ditë nga data e paracaktuar
Ç’farë janë stres testet
Një pikë e rëndësishme në funksionimit të Këshillit Drejtues është bërja e stres testeve ndaj bankës. Stres testi bëhet duke marrë të mirëqenë një mori treguesish dhe si do të reagonin ato në kushte ekstreme për sistemin bankar siç është ulja e paparashikueshme e rritjes ekonomike për shembull. Nëse treguesit që normal që ka banka do t’i rezistonin një skenari të tillë atëherë stres testi konsiderohet i kaluar dhe banka nuk rrezikon. Një praktikë e tillë duhet medoemos që të zhvillohet të paktën dy herë në vit.
Kreditë me probleme, kosto shtesë për bankat
Kreditë me problem rrisin kostot e bankave. Kjo për faktin se nga njëra anë ato nuk mbledhin interesat, paratë janë të bllokuara ndërkohë si dhe së fundmi i shtohet edhe detyrimi për bllokimin e fondeve të tjera në shërbim të mbulimit të humbjeve nga kreditë me problem. Madje, në rastin e kredive në dyshim dhe ato të humbura bankat duket të bllokojnë fonde që shkojnë sa gjysma apo shuma totale e tyre duke rritur edhe më koston. Rregullorja e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikon krijimin e fondeve rezervë për mbulimin e humbjeve nga kreditë e këqija. Fondet do të krijohen në përqindje të totalit të kredisë për secilën kategori.
1. Në varësi të kategorive të klasifikimit, bankat krijojnë fondet përkatëse rezervë për mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë.
Normat e llogaritjes së fondeve rezervë përcaktohen si më poshtë:
Për kategorinë “standarde”………………………………………….. 1 për qind;
Për kategorinë “në ndjekje”……………………………………….. 5 për qind;
Për kategorinë “nën standarde”…………………….jo më pak se 20 për qind;
Për kategorinë “e dyshimtë” ………………… jo më pak se 50 për qind;
Për kategorinë “e humbur”………………………………….. ……100 për qind.
FMN interesohet tek Fullani për ecurinë e bankave greke
Miratimi i një rregullore të tillë vjen fill pas rritjes së beftë të kredive me probleme, por edhe dy javë pas vizitës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrit të Financave në Uashington ku zhvilluan edhe takime të rëndësishme me përfaqësues të FMN-së. Burime nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë se gjatë takimit, përfaqësuesit e FMN-së kanë qenë specifikisht të interesuar për ecurinë e bankave greke në Shqipëri. Po ashtu, mësohet se ata janë interesuar për faktin nëse bankat greke që ndodhen në vendin tonë janë filiale apo banka mëma.
Ristrukturimi i kredisë me probleme
Një mënyrë që kreditori i keq të shpëtojë nga kredia është ristrukturimi i saj. Në thelb ristrukturimi i kredisë është lehtësim që banka bën për kredimarrësit për shkak të vështirësive financiare të tyre të shkaktuara nga arsye ekonomike ose ligjore, të cilat nuk bëhen nga banka në asnjë rast tjetër. Sipas rregullores, ristrukturimi i kredisë mund të kryhet dhe kur, mbështetur në analizat e tyre, bankat gjykojnë se në të ardhmen gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, ose të ardhurat nga veprimtaria e tij do të rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe se kredimarrësi do ta paguajë të gjithë kredinë sipas kushteve të reja. Por që një kredi e ristrukturuar të konsiderohet e shëndoshë duhet që kredimarrësi të ketë shlyer në mënyrë të rregullt këstet për një periudhë prej nëntë muajsh nga data e ristrukturimit, ose të paktën të ketë shlyer në mënyrë të rregullt tre këste. Në këtë kuadër, banka vlerëson edhe përkeqësimet e gjendjes financiare të kredimarrësit që mund të sjellin vonesa në pagesat e kredisë ose klasifikimin e kredisë si kredi me probleme. Në fund të kësaj analize banka vendos se çfarë do të bëhet me kredinë në fjalë.
FMN: Kriza e bankave rrezikon të gjithë Shqipërinë
Kriza ekonomike pritet që të prekë fuqimisht Shqipërinë e ndihmuar edhe nga dy katalizatorë tepër të fuqishëm: Greqia dhe Italia. Alarmi është dhënë dje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili pasi ka bërë një analizë të hollësishme të situatës financiare në vend, ka paralajmëruar qeverinë për rreziqet e shtuara në ekonomi.
“Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar. Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar”, thotë raporti. Këtë FMN e lidh edhe me faktin që pjesa më e madhe e bankave që operojnë në Shqipëri janë thjesht filiale të bankave të huaja, kryesisht greke. Çdo problem financiar në këto banka reflektohet shumë shpejt edhe në filialet e tyre në Shqipëri. Duke u ndalur në këtë pikë, FMN ka vënë theksin tek rritja e shpejtë e kredive të këqija në bankat shqiptare. Kështu, sipas saj, borxhi i pashlyer në banka nga 3 për qind e totalit që ishte përpara krizës është gjashtëfishuar duke arritur në gati 18 për qind. Fondi thotë se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive.
Nga ana tjetër paralajmërimet e FMN-së kanë rënë në vesh të shurdhër dhe qeveria shqiptare nuk ka ndër mend të ndryshojë kurs. Për këtë arsye, FMN është ndalur tek treguesit financiarë të Shqipërisë duke vënë theksin tek fakti që qeveria duhet të vërë nën kontroll financat publike, por jo me shkurtime spontane shpenzimesh, siç ka bërë deri tani, por me një programim më real të buxhetit.
Sipas FMN-së këto shkurtime spontane kanë rritur rrezikun që qeveria të mos shlyejë detyrimet e saj financiare për bizneset që kryejnë punët publike. Borxhi i keq i qeverisë arriti në 0.7 për qind e Prodhimit Kombëtar. FMN thotë se këto detyrime janë bërë një faktor rreziku për krijimin e një zinxhiri borxhesh të pashlyera në ekonomi. Nga ana tjetër, për shkak të mos rimbursimit, qeverisë i janë akumuluar detyrime të mëdha të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet kthyer. Por, nëse qeveria do i shlyejë këto detyrime, buxheti do të goditet jo pak.
Në fund të kërkesave të saj, FMN i ka kërkuar qeverisë të ndryshojë vizionin e saj për ekonominë pasi nuk mund të propagandohet ideja e qeverisë së vogël me taksa të ulëta dhe nga ana tjetër të shtosh faturën financiare të pagave dhe pensioneve në një kohë kur nuk ke aftësinë për të mbledhur taksat. Të ardhurat nga tatimet janë ulur ndërsa fondi i paga/pensioneve është rritur duke detyruar qeverinë të marrë borxh. Në këto kushte Fondi i sugjeron qeverisë që rritja e pagave dhe pensioneve të jetë indeksim dhe të rishikojë nivelin e taksës së sheshtë, e cila, sipas saj, duhet të rritet.