Publikuar me : 06.12.2011 Ne :
Kulture - 52 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ana Manjani ne filmin "Mama Roma"
Pier Paolo PASOLINI
Në ditët e sotme, në këto kohë kur
austerity është në rend të ditës, të shumtë janë ata që ankohen për problemet që vijnë nga mungesa (larg qendrës së “kalbur”) e një organizimi të jetës shoqërore dhe kulturore në lagjet periferike me vlera të “shëndosha” (në fakt, fjetore pa gjelbërim, pa shërbime, pa autonomi, pa asnjë raport përnjëmend njerëzor). Retorikë boshe! Nëse do të ekzistonte ajo për mungesën e së cilës shprehen ankimet, atë prapë qendra do ta kishte organizuar; po ajo qendër që, në sa pak vjet, arriti të shkatërrojë të tëra kulturat periferike, të cilat -- deri vetëm pak vite më parë -- bënin ende të mundur ekzistencën e një jete ndryshe, një jete, në thelb, të lirë, edhe në lagjet periferike më të varfra, madje edhe në ato më mjeranet.
Asnjë centralizëm fashist nuk arriti të realizojë atë që po arrin centralizmi i shoqërisë së konsumit. Fashizmi vërtet propozonte një model, sa reaksionar aq dhe monumental, por model që mbetej i ngrirë dhe pa jetë. Kështu që kulturat e ndryshme të veçanta (fshatare, nën-proletare, punëtore) mund të vijonin, të patrazuara, të identifikoheshin me modelet e tyre të përhershme, sepse represioni mjaftohej vetëm me pajtimin e tyre në fjalë. Kurse sot, përkundrazi, pajtimi me modelet e imponuara nga qendra është total dhe pa kushte. Modeleve te vërteta kulturore u kthehet shpina dhe mohimi i tyre është i plotë. Mund të themi pa drojë pra, se “toleranca” e ideologjisë hedoniste që ushqen pushteti i ri është në fakt represioni më i egër i historisë njerëzore. Por, si arriti të ushtrohej një represion i tillë? Nëpërmjet dy revolucionesh që zunë vend secili brenda kuadrit të organizimit borgjez: revolucioni i infrastrukturave dhe ai i sistemit të informacionit. Rrugët, motorizimi etj., i afruan, madje bashkuan tashmë periferitë me qendrën, duke fshirë çdo distancë materiale. Por revolucioni i
mass mediave ishte akoma me radikal dhe vendimtar. Saje televizionit, qendra e përpiu tërë vendin, i cili kishte qenë deri atëherë tepër i pasur në dallime dhe kultura origjinale. Nisi kështu një vepër e madhe normalizimi të mirëfilltë, e cila – siç e thashë – imponoi kudo modelet e veta: modele të ushqyera dhe të nxitura nga klasa e re industriale, e cila s’mund të mjaftohet më vetëm me ekzistencën e “njeriut konsumator”, por pretendon për më tepër se asnjë ideologji tjetër veç asaj të konsumit nuk është e pranueshme. Kemi të bëjmë me një hedonizëm neolaik, një lloj verbimi absolut ndaj çdo vlere humaniste dhe verbim i huaj ndaj shkencave të njeriut.
Siç dihet, ideologjia që ushqente dhe impononte pushteti i mëparshëm ishte feja: dhe në fakt, katolicizmi ishte formalisht i vetmi fenomen kulturor ku “bashkoheshin” të gjithë italianët. Sot, katolicizmi është bërë konkurrent i fenomenit të ri kulturor “përbashkues”, që është hedonizmi në nivel mase; duke qenë kështu, për sa konkurrent, pushteti i ri ka nisur tashmë, ç’prej disa vitesh, ta likujdojë. Dhe në fakt, asgjë fetare nuk gjen dot te modeli i djalit dhe vajzës së re që propozon dhe imponon televizioni. Të dyja modelet duket se e ndërtojnë dhe përqendrojnë vlerën e jetës vetëm përmes të mirave të konsumit (dhe, sigurisht, vazhdojnë të shkojnë në meshë të dielave: me makinë amà). Italianët e përqafuan me entuziazëm të madh modelin e ri që u imponoi televizioni, në përputhje me ato norma të prodhimit që sigurojnë mirëqenien (ose, më saktë, që të shpëtojnë nga mjerimi). E pranuan modelin, vërtet, por a janë të aftë të realizojnë atë si të tillë?
Jo. Ose e realizojnë atë pjesërisht nga pikëpamja materiale, duke u bërë kështu karikaturë e tij, ose arrijnë ta realizojnë vetëm në një masë aq të pamjaftueshme sa bëhen viktima të tij. Frustrimet ose dëshirat mirëfilli nevrotike janë bërë sot gjendje shpirtërore kolektive. Le të marrim një shembull: deri këto kohët e fundit, nën-proletarët e respektonin kulturën dhe njëherazi nuk kishin turp nga padija e tyre; përkundrazi, ishin krenarë për modelin e tyre popullor të analfabetit që arrin gjithsesi, me mënyrën e vet të veçantë, të kapë misteret e realitetit. Dhe “çunat e llastuar”, “gjalpushët” apo mikro-borgjezët i shihnin me një përbuzje kryelartë, duke e dalluar dukshëm veten prej tyre, edhe kur u duhej t’u shërbenin. Kurse sot, përkundrazi, nën-proletarët kanë filluar ta përjetojnë padijen e tyre si diçka të turpshme: i kanë kthyer shpinën modelit të tyre kulturor (madje, më të rinjve as që u kujtohet, kanë humbur çdo kontakt me të), ndërkohë që modeli i ri që duan të imitojnë nuk parashikon as analfabetizmin, as vrazhdësinë. Rinia nën-proletare -- e poshtëruar tashmë -- e fsheh me trup emrin e zanatit të vet në letërnjoftime, dhe e zëvendëson atë me cilësimin kinse të fisëm “student”. Dhe natyrisht, që nga çasti që nisën të ndiejnë turp për padijen e tyre, nisën po ashtu të përçmojnë edhe kulturën (karakteristikë mikro-borgjeze kjo, të cilën e mveshën menjëherë si pasojë e mimetizmit). Në të njëjtën kohë, i riu mikro-borgjez, teksa dëshiron të njësohet me modelin “televiziv” – model i krijuar dhe ushqyer nga klasa e vet, e pra i natyrshëm për të – nis të shfaqet çuditërisht i vrazhdë dhe i palumtur. Nëse nga njëra anë nën-proletarët u borgjezuan, borgjezët ndërkohë u nën-proletarizuan. Kultura që ata prodhojnë, duke qenë kulturë thjesht teknike dhe rigorozisht pragmatike, e pengon të zhvillohet “njeriun” e vjetër që gjallon ende në ta, duke e atrofizuar krejtësisht atë. Kjo shpjegon edhe atë deformim të fakulteteve intelektuale e morale që vihet re rëndom ndër ta.
Përgjegjësia e televizionit në tërë këtë proces është e pamasë, dhe kjo jo ngaqë është “mjet teknik”, po ngaqë është instrument pushteti dhe madje vetë ai pushtet. Sepse televizioni nuk është thjesht një vend apo kanal për qarkullimin e mesazheve, por është para së gjithash qendër e përpunimit të mesazheve. Televizioni është vendi i konkretizimit të një mentaliteti që, pa të, nuk do të mund të dinte ku të vendosej. Fryma e pushteti të ri e gjen shfaqjen e saj konkrete te fryma e televizionit.
S’ka dyshim (siç e vërtetojnë rezultatet) se televizioni është instrument autoritar dhe represiv me i efektshëm se çdo lloj mjeti tjetër informacioni më parë në botë. Krahasuar me të, gazetat fashiste dhe mbishkrimet e parullave musoliniane në muret e fermave të janë qesharake : ashtu siç është (dhimbshëm) e tillë qerrja përballë traktorit. E përsëris: fashizmi, në thelb, nuk arriti as ta gërvishtë në sipërfaqe shpirtin e popullit italian, ndërkohë që fashizmi i ri, dhe falë kryesisht mjeteve të informacionit dhe komunikimit (para së gjithash televizionit, pikërisht), jo vetëm që e ka gërvishtur, por e ka çjerrë, plagosur, dhunuar dhe fëlliqur për jetë të jetëve…
Dhjetor 1973. Përktheu Orgest AZIZI
Britma në mungesë të Pasolinit
Orgest AZIZI
Askush s’do të duhej të heshtte, ose së paku askush s’do të duhej të mund të strukej në s’di çfarë lloj rehatie intelektuale, estetike apo politike, për sa kohë që vazhdon (dhe do të vazhdojë), si pjellë e ndonjë organizimi të fshehtë, mungesa e çuditshme, revoltuese dhe e hatashme e Pasolinit në mjedisin shqiptar. Ndërkohë që shqiptarët, të rinj ose jo, krenohen me intimitetin që mendojnë se kanë me gjuhën dhe kulturën italiane (intimitet ndoshta i rremë, dhe të mos harrojmë se, në një masë të mirë, vjen i filtruar nga televizioni i të dyja brigjeve); ndërkohë që emisioni më i ndjekur i televizioneve shqiptare është kopje e vetëshpallur dhe pa komplekse e “atit” të vet italian (përbrendësim deri edhe mishtor, mimetizëm radikalisht efikas, aq sa edhe trupi i B. Fevziut është bërë kopje e atij të Bruno Vespas); ndërkohë që ngjarja më e madhe kombëtare e nëntorit nuk është as kremtimi i shpalljes së pavarësisë por hapja e një qendre të re tregtare dhe kur masat popullore, dikur ende të frikshme dhe të ndara në
katunarë, malokë, çeçenë apo
halabakë, arrijnë të gjejnë legjitimitetin e dukjes së tyre publike dhe mediatike vetëm si masë konsumatore që hidhet e ngazëllyer nga QTU-ja te Carrefour-i; ndërkohë që “panairi” i librit e zbuloi me bujë, edhe për të verbrit e fundit, natyrën e vet televizivo-tregtare, duke e futur më në fund edhe Shqipërinë në modernitetin e shum’ëndërruar ku librat shiten me po aq sukses dhe në po atë mënyrë si dhe patatet (duke qenë po aq pa shije); ndërkohë që triumfon vrullshëm dhe pa alternativë “njeriu i ri” televiziv, përkundër çdo njeriu të vjetër, qoftë ky edhe shkrimtari më i madh i historisë së kombit; ndërkohë që mbetjet e fundit arkaiko-humaniste të Panairit, të trembura edhe ato nga ritmi i ri i lojës ku janë futur (sepse s’mund as t’i rrinin larg, apo jo?) synojnë të shpëtojnë një çikëz kulturë borgjeze duke i dhënë çmimin e përkthimit përkthyesit profesionist (kupto: i punësuar te “Naim Frashëri” para ’90-ës) të një libri “të lezetshëm” të italianit Umberto Eco; ndërkohë kur bëhet jo vetëm i mundur, por edhe legal, i besueshëm dhe madje prestigjioz një togfjalësh i tillë si: “autori Blendi Fevziu dhe botuesi i tij Henri Çili”; në tërë këtë bashkëkohësi pra, që përcakton disa nga koordinatat më themeltare të atij dielli të zi që ndriçon aktualitetin e jetëve tona të gjymtuara, të një populli që bie (teksa mendon se ngjitet), i çarmatosur dhe pa mbrojë, nga prapambetja paramoderne në furtunat e depolitizuara të kapitalizmit mediatik; në një realitet të tillë që duket se ekziston si për të qenë një vërtetim hiperbolik i shqetësimeve të Pasolinit, pikërisht në të pra, Pasolini mbetet i munguar, i pathënë, i padëgjuar.
Afërsia ontologjike e realitetit shqiptar me Pasolinin, që nga çunat e lagjeve, tërë ajo plebë mashkullore periurbane që popullon librat dhe filmat e tij, deri te zhbërja
live e rendit të ekzistencës popullore, duket sikur kushtëzon, për paradoks, edhe mospraninë e tij. Thua se mjedisi shqiptar nuk do (dhe paradokset e kësaj (mos)dëshire janë sigurisht me shumë pala) të dëgjojë zërin që i flet më nga afër, zërin që më me dhimbje, më me pastërti e dashuri i përcjell vajtimin për katastrofën që po i bën vetes.
De nobis fabula narratur. Që dispozitivi shoqëror shqiptar, në pothuaj tërësinë e mekanizmave të tij, si prodhues aktiv i harresës dhe verbimit publik, funksionon, me ose pa vetëdije, si makinë e përjashtimit të mundësisë për dëgjueshmërinë e Pasolinit, kjo nuk është, fundja, e habitshme (dhe në këndin e verbër të letërsisë e kulturës italiane të paardhur Pasolini nuk është po ashtu i vetëm, por me më të mirët: Pavese, Vittorini, Carmelo Bene…).
Po përtej këtij dispozitivi? Të tërë ato subjekte që janë dhe/ose e mendojnë veten si jashtë dhe kundër tij, në radhën e shumtë (ndoshta) të atyre që kanë arritur të vendosin një raport tjetër me Italinë, kulturën, Europën, modernitetin, kinemanë, politikën dhe angazhimin, ose edhe vetëm në radhën e shumtë (ndoshta) të atyre që thjesht nuk janë përçudnuar aq sa të mos njohin më as situatën e vetes dhe kumbimin e një zëri të afërt? Një mungesë kaq e paarsye dhe sistematike ka gjasa të vlejë si simptomë. Na duhet ndoshta t’i vëmë veshin, në mos pamundësisë, së paku paaftësisë sonë për ta bërë Pasolinin të pranishëm, qoftë edhe vetëm për ne dhe vetëm mes nesh. Na duhet ndoshta të shqyrtojmë rezistencën tonë, pasive apo aktive, ndaj Pasolinit (si pasojë e halabakëve, homoseksualitetit?) Por na duhet, njëkohësisht, të klithim për sa kohë që vazhdon mungesa e Pasolinit.