Publikuar me : 22.01.2012 Ne :
Politike - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeqytet i gjelbëruar dhe me më shumë se një qendër. Ky është plani i ri urbanistik i prezantuar nga Grupi Strategjik i Bashkisë së Tiranës, në diskutimin mbi modelin ekonomik të kryeqytetit.
“Qëndrojmë edhe njëherë fort tek parimi i një Tirane të gjelbër, i një Tirane me një vijë të gjelbër, përtej së cilës kufizohet urbanizimi i konsoliduar dhe ku prioritet ka konservimi i gjelbërimit aktual dhe rikthimi i gjelbërimit, përmes instrumenteve të Planit Urbanistik të Tiranës, duke përfshirë edhe transferimin e të drejtës së zhvillimit”, tha kryebashkiaku Basha.
Gjithashtu, grupi strategjik ka rënë dakord edhe për konturizimin e zonës ekonomike të Tiranës, e cila shtrihet përgjatë autostradës Tiranë –Durrës, por natyrisht do të vazhdojë funksionimi edhe i zonave ekzistuese.
Në konceptin e Tiranës policentrike, nëpërmjet konfirmimit të funksionimit të qendrave, grupi teknik ka identifikuar pjesën poshtë Stacionit të Trenit deri në Lumin e Tiranës; pjesa e fushës së Aviacionit që mund të mbulojë pjesën perëndimore me shërbime të tipit qendër; Kombinati pjesa poshtë digës së Liqenit që ofron potenciale të mira për shërbime të qendrës rekreacionale; pjesa jugindore, prezenca e qytetit “Studenti” dhe një pellgu të mirë aty krijon mundësi për krijimin e një poli të tillë si dhe pjesa e spitalit “Nënë Tereza” që në sugjerimin tonë do të duhej edhe pak terren, pra nëse arrijmë të spostojmë shkollën e Bashkuar si dhe SHIK, fitojmë një terren shumë të mirë për të ofruar shtesë dhe për të krijuar një pol të ri zhvillimi që mbledh një pjesë të mirë të zonës lindore të qytetit. Kamza është në vetvete një lloj poli zhvillimi si edhe një lloj qendërzimi do të jetë e nevojshme edhe zona ekonomike, në pjesën e Laknasit.
Sipas Bashës, Tirana policentrite është një koncept aspak i ri, por jo i aktualizuar. ”Merita e këtij koncepti është hapja e mundësive, e hapësirave dhe zvogëlimi presionit të tmerrshëm në qendër të Tiranës me gjithë pasojat që kjo ka pasur dhe do vazhdojë të ketë në qoftë se nuk do të hedhim me vendosmëri hapat e duhur drejt Tiranës policentrike”, tha Basha.