Publikuar me : 18.10.2011 Ne :
Politike - 80 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

I ngarkuari me punë pranë delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Brusa
Luis Tanushi
Paaftësia e politikës shqiptare për të arritur në një marrëveshje për çështje thelbësore ka detyruar ndërkombëtarët që të hartojnë vetë projektligje që të zgjidhin çështjet. EURALIUS dhe Këshilli i Europës kanë depozituar një draft në Kuvendit ku kërkojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetëve, krerëve të institucioneve dhe të gjyqtarëve. Ndërkombëtarët këmbëngulin se ndryshimet janë të domosdoshme dhe se zyrtarët shqiptarë mbrohen nga ligji në një formë që nuk justifikohet. Sipas rekomandimeve, propozohet heqja e imunitetit për zyrtarëve e lartë të cilët dyshohen për korrupsion, ndërsa vlerësojnë legjislacionin lidhur me imunitetin në rastet e krimeve të rënda.
Sipas ekspertëve ligjorë të EURALIUS ndryshimet në çështjen e imunitetit mund të bëhen vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese pasi çdo ndryshim i pjesshëm i rregulloreve nuk ka vlerë juridike. “Përfundimi kryesor i ekspertëve është se imuniteti i zyrtarëve të zgjedhur (deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë), mund të kufizohet në mënyrë të kënaqshme vetëm nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutën e Shqipërisë. Kufizimin e imunitetit, pacenueshmërisë së deputetëve vetëm në mbrojtje nga arrestimi, ndalimi dhe kontrolli dhe vetëm kur kjo mbrojtje të kërkohet nga Kuvendi me justifikimin se cenohet mirëfunksionimi i tij. Të hiqet imuniteti i anëtarëve të Këshillit të Ministrave, Avokatit të Popullit, Kryetarit të Lartë të Shtetit dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Kuvend.
Ekspertët e huaj i cilësojnë të panevojshme ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të kryera në shkurt të këtij viti për t’i lejuar anëtarëve të Kuvendit që të heqin dorë nga imuniteti në mënyrë vullnetare nëpërmjet një deklarate me shkrim pasi kjo zgjidhje e dhënë nuk e ngushton fushën e zbatimit të imunitetit. “Të paktën është e diskutueshme nëse deputetët mund të heqin dorë individualisht nga imuniteti. Imunitetet nuk janë dhe nuk duhet të jenë privilegj personal, por edhe privilegj i Kuvendit si institucion dhe kësisoj prej tyre nuk mund të hiqet dorë thjesht me dëshirën e deputetit në fjalë. EURALIUS thekson se është mjaft e dyshimtë nëse Kuvendi mund ta kufizojë lirinë e vet të parashikuar nga Kushtetuta duke ndryshuar Rregulloren e Kuvendit. Edhe në këtë rast ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit miratohen me shumicë të thjeshtë, dhe kësisoj nuk mund t’i ndryshojë dispozitat kushtetuese, të cilat miratohen nga shumica me dy të tretat”, thuhet në dokument.
Rekomandimi i BE
Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale në asnjë formë, dhe nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit individual ose të shtëpisë së tij/saj nëse, dhe për aq kohë sa Kuvendi (ose organi i caktuar prej tij) kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të informohet menjëherë sapo nis të ekzekutohet ndonjëra prej masave të mësipërme
BE: Gjyqtarët të mos kenë imunitet
Ekspertët e huaj rekomandojnë ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës për kufizimin e imunitetit për gjyqtarët. Sipas EURALIUS, praktika e deritanishme ka treguar se prokurorët kanë vështirësi ne hetimin e gjyqtarëve për korrupsion. Ekspertët shprehen se legjislacioni i vendit tonë, në shumë raste pengon hetimin e thelluar pasi më parë duhet të japë autorizimin Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “KLD dhe gjyqtari njoftohen për çështjet, akuzat dhe elementët hetimor të dosjes. Kjo mund ta pengojë për veprimet mëtejshme të paligjshme”, thuhet në dokumentin e depozituar në Kuvend. Prokuroria, sipas EURALIUS, mund dhe duhet të gjejë mënyra të mundshme për të hetuar çështjet me detaje. Ekspertët theksojnë se imuniteti i gjyqtarëve mund të jetë pengesë e konsiderueshme në hetimin e plotë dhe të qartë mes gjyqtarëve. Në raport shprehet shqetësimi edhe për korrupsionin në radhët e prokurorëve duke kërkuar gjetjen e mënyrave dhe masave për të luftuar korrupsionin edhe në radhët e tyre. Për të përmirësuar luftën ndaj korrupsionit, ekspertët rekomandojnë heqjen e imunitetit të përgjithshëm për të siguruar barazinë para ligjit. “Nuk ka dyshim që gjyqtarët shqiptarë duhet të përgjigjen para ligjit për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor”. Juristët rekomandojnë se mbrojtja e vetme duhet të garantohet vetëm ndaj padive civile dhe kërkesave penale bazuar në vendimet e marra gjatë ushtrimit të funksionit. “Standardet ndërkombëtare nuk janë aq të rrepta në lidhje me pacënueshmërinë personale të gjyqtarëve, Prandaj disa kufizime për mundësinë e arrestimit ose të ndalimit të gjyqtarëve mund të jenë në përputhje me standardet evropiane”,- thuhet në material.
Përjashtimi për Gjykatën Kushtetuese
Për të garantuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, EURALIUS shprehet pro kufizimit të arrestimit ose të ndalimit të gjyqtarëve. “Kjo është veçanërisht e qartë në rastin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila është organ juridiksional që lidhet me epërsinë ose kushtetutës mbi pushtetet e shtetit. Për shkak të pozicionit të veçantë të kësaj gjykate, si fuqia më e madhe brenda shtetit kushtetues, këshillohet shmangia e ndërhyrjeve që lehtësisht mund të kenë pasojë në përbërjen e saj dhe kështu në rezultatin e vendimeve të saj”, theksohet në raportin me rekomandimet e ekspertëve të EURALIUS për heqjen e imunitetit.
* * *
Topalli: Berisha nuk ka faj, e provokoni ju
Denis Dedej
Kryeministri Sali Berisha ka imunitet të bëjë çdo veprim brenda sallës së Kuvendit pasi kjo i lejohet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Gjatë mbledhje së djeshme të Byrosë të Kuvendit për kërcënimet që kryeministri Berisha ka bërë ndaj deputetëve të opozitës, Topalli ka deklaruar se kryeministri nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi për veprimet e tij. Duke përmendur rastet e shumta të kërcënimeve dhe sharjeve të kryeministrit, Topalli ka deklaruar se ai gjithmonë është provokuar.
Mbledhja e djeshme është thirrur nga opozita, e cila ka kërkuar pezullimin e Berishës për shaje, fyerje dhe kërcënime. Por dje Kuvendi ka vendosur të mos penalizojë Berishën dhe për rrjedhojë atij i lind çdo e drejtë, të shajë, të kërcënojë apo të flasë çfarë të dojë dhe ai nuk do të penalizohet. Që në fillim të fjalës së saj, Topalli, i ka dalë në mbrojtje kreut të qeverisë, madje ka akuzuar opozitën se ata e kanë fajin që kryeministri Berisha reagoi në atë mënyrë, pasi e shanë dhe e fyen nga familja.
Një tjetër moment i kësaj mbledhje të zhvilluar pasditen e djeshme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ishte dhe kërkesa e nënkryetarit demokrat të parlamentarit që të bëhej një pakt midis deputetëve që në kohën kur të flasë kryeministri, kryetari i grupit demokrat dhe kreu i grupit socialist, asnjë prej deputetëve të mos ndërhyjë. Por ky propozim është rrëzuar.
Debatet me dyer të mbyllura
Jozefina Topalli: Kemi një kërkesë nga grupi i PS-së për pezullimin e kryeministrit Berisha 15 ditë nga punimet e Kuvendit. Kjo kërkesa hidhet poshtë si e pabazuar. Deputetët socialistë ndërhynë gjatë fjalës së kryeministrit Berisha, ata e shanë dhe e kishit ju (i drejtohet përfaqësuesve të PS) fajin dhe Saimir Tahiri. Ju e prekët nga familja.
Erion Braçe: Të zbatohet rregullorja. Rregullorja e Kuvendi ndalon këdo prej folësve që të ndërmarrë sulme kundra deputetit. Në momentin që ndërmerren këto sulme, kryetarja duhet të bëjë një gjë që është elementare, që t’i kërkojë zotërisë të rimoderojë fjalinë. Ti s’e bërë, ai nuk tha asnjë fjalë për Kodin Rrugor. Që do të thotë se kryeministri e kishte diskutimin jashtë rendit e ditës dhe iu kthye kundër deputetëve. Ne s’kërkojmë që t’i bëjmë fjalimin kryeministrit, por ai duhet të mos fyej deputetët. Në momentin e parë t’i se ndërprerëve se ai foli çfarë të donte, e dyta lejove kryeministrin të fyente deputetët.
Namik Dokle: Reagimi i kryeministrit ishte jashtë çdo lloj etike dhe cenoi deputetët.
Jozefina Topalli: Unë refuzoj me neveri kërkesën për përjashtimin e kryeministrit Berisha.
Erjon Braçe: Nuk dëgjon njeri këtu, mos fol në këtë mënyrë.
Ardian Turku: Ti je personi tipik që i sulmon njerëzit.
Erjon Braçe: Në momentin që më sulmojnë reagoj drejtpërdrejt. I kam folur kryeministrit kur më ka përmendur kombësinë.
Ardian Turku: Të ketë një pakt, që kur të flasë kryeministri, kreu i grupi të PD-së, i PS-së, asnjë deputet të mos ndërhyjë.
Jozefina Topalli: Çfarë është ky pakt?! Të zbatohet rregullorja.
Erjon Braçe: Unë nuk do të sulmoj dhe asnjë nuk të sulmon. Kjo është rregullore. Çfarë pakti thua.
Topalli: Po tregohem e mirë dhe po fal Tahirin
Në seancën e ditës së enjte, kryeministri Berisha ka kërcënuar deputetin Sajmir Tahiri duke i thënë: Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca…”. Kjo është cilësuar si kërcënim dhe ofendim ndaj deputetit dhe në bazë të rregullores së Kuvendit duhet të ndëshkohet. Por pas mbledhjes së djeshme, Kuvendi ka rrëzuar poshtë çdo kërkesë, madje duke thënë se po e fal Tahirin që provokoi Berishën. “Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi deputetin e PS Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare. Byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti si z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye”,- thuhet mes të tjerash në reagimin e Kuvendit.