Berisha 2012, fillim i ri per shqiptaret. Rama Qeveria propozon te jemi te lumtur
Publikuar me : 04.01.2012 Ne :
Politike - 28 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
(I përditësuar) - Dy liderët kryesore të politikës në Shqipëri i janë rikthyer debatit në ditancë pas një pushimi të shkurtër me rastin e festave të fundvitit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka replikuar me kreun e qeverisë Sali Berisha lidhur me situatën ekonomike në vend.
Berisha duke folur në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012, theksoi se Shqipëria ndryshe nga se është pretenduar nga opozita, nuk ka njohur krizë. “Sa e sa herë e kanë përmendur fjalën “krizë” gjatë këtyre 5 viteve për këtë vend, i cili ka meritën e jashtëzakonshme se nuk e njohu krizën”, tha Berisha.
Reagimi i liderit të opozitës për këtë ishte se kryeministri po u propozon qytetarëve të shohin një tjetër realitet nga ai që ata jetojnë çdo ditë. “Qeveria u propozon shqiptarëve të jenë të lumtur sepse s’ka krizë ekonomike, as papunësi as padrejtësi po veç arritje të mëdha botërore”, shkruan Rama në “Tuiter”.
Berisha duke bërë të ditur se vetëm për 31 dhjetorin e 2011-s të ardhurat tatimore dhe doganore ishin 295 miliard, kërkoi që ky vit të jetë një fillim i ri për Shqipërinë. “Asnjë komb nuk po ecën më me shpejtësi të madhe drejt niveleve te larta të zhvillimit, siç po ecin shqiptarët. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të këtë vit ta shndërrojmë në vitin e vizionit të 100 viteve që vijnë , ta shndërrojmë vitin e një fillimi të ri për shqiptarët dhe për Shqipërinë”, tha kryeministri.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës ftoi qytetarët që të besojnë tek propozimi i Partisë Socialiste për rimëkëmbjen e vendit. “Ne propozojmë një rilindje shqiptare për të lënë pas avazin e vjetër të gënjeshtrave e rimëkëmbur së bashku ekonominë, shoqërinë, shtetin”, shprehet kreu i PS-së. /
F.Stafa/
* * *
Gjatë mbledhjes së parë të qeverisë për vitin 2012, kryeministri Sali Berisha theksoi se Presidenti i vendit do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën.
“Zgjedhja e presidentit do të zhvillohet kryekëput në përputhje me Kushtetutën. Të gjitha përpjekjet për t`i kurorëzuar Shqipërisë dëshira suplementare do të pësojë dështim. Urojmë që të bëjmë përpjekje të mëdha për t`i dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave dhe me integritet”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e parë, Kryeministri nuk ka harruar t`i bëj thirrje opozitës që t`i përmbahet marrëveshjes së arritur mes dy palëve për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 dhe ndryshimet për reformën zgjedhore.
*****
Berisha: Në 2013- në do të kemi 300 përfitues të Fondit të Ekselencës
Gjatë zhvillimit të ceremonisë së shpërndarjes së diplomave për studentët më të mirë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “brenda vitit 2013 përfituesit e fondit të ekselencës do të kapin shifrën 300. Rritja e numrit të studentëve ekselentë duhet të jetë parësore”.
Sipas Kryeministrit këtë vit 63 kandidatë kanë përfituar nga fondi i ekselencës. “Objektivi i qeverisë për vitin 2013 do të jetë rritja e cilësisë së arsimit si dhe shtimi i përfituesve të fondit të ekselencës me studentë shqiptare dhe nga jashtë vendit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se burokracia nuk duhet të jetë pengesë për ekselencën, të bëjmë gjithçka për të shtuar numrin e doktorantëve.