Publikuar me : 25.10.2011 Ne :
Politike - 51 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Zbulimi i gazetës “Shekulli” se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të nxjerrë sëshpejti në treg një libër me titull “Kurban”, ka ngjallur dhe kuriozitetin e kryeministrit Berisha, i cili duket se ka lexuar shkrimet e ditëve të fundit për këtë çështje. Pas kësaj Berisha është frymëzuar që të reagojë, në një gjini letrare që nuk e kishim parë deri më sot: Vjershë.
Madje, kryetari i Partisë Demokratike ka ironizuar krijimtarinë e re të kundërshtarit të tij politik me librin e Enver Hoxhës me titull “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”. Në akuzat dhe ironitë e kryeministrit, megjithëse 21 vite pas përfundimit të sistemit komunist, ajo kohë dhe zhvillimet e saj paralelizohen nga ai për të sulmuar kundërshtarët politikë. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar Demokrat, Sali Berisha, ndërsa foli për infrastrukturën rrugore, preku në fund të fjalimit të tij dhe librin me titull “Kurban” që do të dalë në treg nga data 10 nëntor me autor kryetarin e Partisë Socialiste.
“Mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri që në të vërtetë meriton titullin “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, e ka gjithnjë një kthim tek libri “Kur lindi partia”, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në bashkinë e Tiranës”, libri rezulton që është i tëri, një vaje për bashkinë e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e bashkisë së Tiranës”,- komentoi Berisha. Sipas kryeministrit, në mënyrën më interesante për ta shndërruar librin, totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. “Libri hapet me epitafin “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e bashkisë, mbeçë”. “Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia sepse më iku bashkia”. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër, ky zotëri. Të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra, “Mbeçë more shokë mbeçë , tek dera e bashkisë, mbeçë”. Këtë zgjodhi ai për epitaf”, – tha ndër të tjera Berisha.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vendosur që të ndajë me publikun detajet e para të librit të tij. Në faqen e tij zyrtare në internet, kryesocialisti ka vendosur kopertinën e librit të ri, për të lajmëruar krijimtarinë e tij më të fundit që pritet të jetë në të gjitha stendat e librave. “Për Tiranën e parë me sytë e protagonistit të 11 vjetëve të historisë së saj; Për Shqipërinë siç është dhe Shqipërinë siç mund të jetë; Për aktorë të jetës politike e publike siç nuk i kemi parë asnjëherë më parë; Dhe për vetveten siç nuk e kemi dëgjuar; Nga 10 nëntori në treg libri i Edi Ramës “Kurbani” ( 11-14 nëntor në Panairin e Librit)”, – thuhet në faqen zyrtare të kryesocialistit Rama. Libri i ri merr shkas nga një kurban i bërë në Bashkinë e Tiranës nga disa simpatizantë të Partisë Demokratike ditën që kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori detyrën dhe u betua përpara këshillit bashkiak. Në një material voluminoz do të paraqiten të gjitha ngjarjet e përjetuara gjatë muajve të fundit nga kryesocialisti, ku nuk do të mungojnë dhe komente të ndryshme për ambasadorët, gazetarë dhe opinionistë.
Vjersha e Berishës
Mbeçë more shokë mbeçë,
tek dera e bashkisë, mbeçë.
Nuk ma ka fajin partia,
fajin ma ka babëzia
sepse më iku bashkia.
Berisha ndërron mendje për Blushin
Që politikanët shqiptarë ndërrojnë shpesh opinionet mbi personalitete të ndryshme të jetës politike, kjo nuk është më një çudi. Ndërsa ka kaluar thuaje një vit nga koha kur kryeministri Berisha ka akuzuar dhe kritikuar ashpër deputetin e Partisë Socialiste, Ben Blushi, gjërat janë kthyer 360 gradë. Papritur, për kreun e qeverisë, deputeti i Qarkut të Korçës vlerësohet për arkivin dhe librat e shumtë që zotëron. Ndërsa komentonte në mbledhjen e grupit librin e ri të kryesocialistit, kreu i mazhorancës ka shprehur mendimin se mos ndoshta, Rama do të rivalizojë Blushin. “Por, është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij, sa kjo dhomë (i referohet sallës së Kuvendit ku bëhen mbledhjes e grupit të PD-së), që edhe po t’i kishte Blushi tre jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin – thotë ai- shkruajnë , – “ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time”,- vlerësoi Sali Berisha. Librat e gjyshit të Ben Blushi kanë qenë pjesë e një debatit të ashpër midis këtij të fundit dhe kryeministrit Berisha gjatë një seance plenare në të cilën diskutohej buxheti. Deputeti socialisti akuzoi kreun e qeverisë se i vidhte librat në shtëpi. “Unë të njoh ty që 30 vjet më parë kur vije në shtëpinë e gjyshit tim, ndjesë pastë dhe vidhje librat. Vije sikur i jepje ilaçet dhe i vidhje librat”, – deklaroi Blushi.
Berisha – Blushi, akuza në parlament
Ben Blushi: Ju merrni borxh, sepse e dini që do të ikni dhe borxhet do t’i lajnë të tjerët. Ju jeni një qeveri që taksoni edhe varfërinë. Shpjegimi është se ju nuk jeni një qeveri e djathtë, por një qeveri që po ikën. Ju keni këtë buxhet, sepse doni një Shqipëri të varfër, një Shqipëri që nuk lexon, sepse, nëse shqiptarët pasurohen dhe, nëse shqiptarët lexojnë, ata nuk do të votojnë asnjëherë Sali Berishën.
Sali Berisha: Blush po të them se ‘dal vivo’ je më dizastër se në libër që nuk lexohesh.
Ben Blushi: Unë të njoh ty që 30 vjet më parë kur vije në shtëpinë e gjyshit tim, ndjesë pastë dhe vidhje librat. Vije sikur i jepje ilaçet dhe i vidhje librat (Berisha qesh).
Sali Berisha: Blush, që kur ishte tre vjeç të kanë mbajtur dorën me allçi. A e dini pse, sepse i vidhje të gjithë komshinjve. E di unë atë punë, të mbanin dorën me allçi që të mos vidhje.
“Shekulli” zbuloi sekretin tremujor të kryesocialistit
Gazeta “Shekulli” ka zbuluar tre ditë më parë se një libër rreth 400 faqe është një nga arsyet e ‘zhdukjes’ pas zgjedhjeve të kreut të opozitës. Libri sapo është dorëzuar në shtypshkronjë. Titulli merr spunto nga therja e dashit në derën e Bashkisë. Në të, zbardhen bisedat me ambasadorët, me Nanon e Berishën, deri te Kadare e figura të tjera publike. “Shekulli” ka arritur të nxjerrë nga brenda asaj shtëpie surprizën që botuesja Arlinda Dudaj po përgatit për Panairin e Librit. Kryetari i opozitës ka shkruar një libër voluminoz që është dorëzuar para pak kohësh në Shtëpinë Botuese Dudaj. Ky libër titullohet “KURBAN”. Merr spunto nga therja e dashit në derën e Bashkisë së Tiranës dhe përmban ndodhi e detaje të panjohura për publikun të shtrira në 11 vjet. Recensionimin e librit Edi Rama ia ka besuar Pirro Mishës dhe Ardian Vehbiut, të cilët së bashku me botuesen janë të vetmit që hëpërhë dinë gjithçka për përmbajtjen.
Botuesja Dudaj tregon për librin e ri të Edi Ramës
Botuesja Arlinda Dudaj ka treguar për “Shekullin” disa të dhëna të para mbi librin e Ramës. Në një intervistë të botuar në numrin e djeshëm të gazetës ajo rrëfen: “E vërteta është se nuk më tha se donte të botonte një libër, po vetëm më çoi një sms ku më thoshte “Ka të ngjarë të kesh një libër nga unë”! Ai donte të shkruante pa asnjë autocensurë dhe si duket nuk donte ta kushtëzonte veten me idenë se çka do të shkruante do të botohej. Kjo ndjehet qartë gjatë leximit. “Kurbani” është një pëshpërimë e shkruar pa pyetur fare se ç’do të mendojnë të tjerët. Është një rrëfim, të drejtohet ty, sikur të ka përballë ulur në karrige… mënyrë tejet origjinale e sakaq përfshirëse, e të tregon gjërat, një nga një, siç i ka parë e përjetuar. Ka shumë emra njerëzish të njohur, politikanë, njerëz të familjes, gazetarë, ambasadorë, personazhe historike, portrete qytetesh e të tjerë, përzier si në një roman. Ka episode të panjohura, ide apo projekte te realizuara dhe jo…”.