Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Politike - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Berisha nuk do t’i njoh rezultatet e hetimit të Prokurorisë për 21 janarin. “Hetimin nuk mund ta bëjnë ata, të cilët do të hetohen. Jo.” – thotë ai në këtë intervistë të mbrëmshme televizive. “Nga Ina Rama?! Çfarë hetimi! Nga Ina Rama ka vetëm prishje të provave intensive shitje të dokumenteve dhe pengesa nga më serioze të hetimit gjatë një viti, – shton më pas dhe pastaj deklaron për herë të parë një avancë të jashtëzakonshme ën paralajmërimet e tij publike të këtyre ditëve. Thotë që familjet e viktimave të 21 janarit do hetohen gjithashtu: “Absolutisht, familjeve të viktimave do t’u garantoj se në përputhje me të gjitha kapacitetet e shtetit ligjor, gjithçka do të hetohet rreth vrasjes së njerëzve të tyre. Është familja e viktimave të Ziverit në mos gaboj, vëllai i tij tha se erdha nga Greqia se do të rrëzojmë Sali Berishën, e kanë të gjitha mediat këtë. Kjo kërkon një hetim. Por këtë hetim nuk mund ta bëjnë ata, të cilët ishin pjesë e këtij puci për të rrëzuar Sali Berishën”. Më poshtë, pjesë nga intervista e mbrëmshme:
Moderatori Peka: Në krah të ambasadorit amerikan, kryeprokurorja pas një viti nga ngjarja e 21 janarit është detyruar, në një farë forme edhe ka pranuar me portretin e saj se po bën një kërkesë të sforcuar për heqjen e imuniteteve të tre deputetëve të PS-së për protestën e dhunshme të 21 janarit. Është komentuar kjo dalje e kryeprokurores nga opozita dhe është lenë të kuptohet se një gjë e tillë është bërë nën presionin e kryeministrit ndaj ambasadorit amerikan. Z. Kryeministër, a është e vërtet që i keni kërkuar ambasadorit Amerikan në takimin që keni pasur para disa ditësh imunitetin e deputeteve të PS?
Berisha: Më 21 janar, unë kryeministri i vendit u gjeta i rrethuar për 5 orë rresht, ndërsa kryeja detyrën time. Ndërtesa u sulmua me hunj, me gurë, me shishe molotov. Një protestë, e cila u parapri nga montimi i një video ku implikohej kryeministri i vendit, pra duhej një pretekst për të sjellë njerëzit tek kryeministria, një protestë, në të cilën kryeministrit të vendit iu dhanë një seri ultimatumesh në parlament dhe jashtë tij nga kryetari i opozitës, se do të kalosh mbi kufomat, se do ta kesh në prag të derës nga zëvendëskryetari i tij dhe me radhë. Një protestë, e cila, në bazë të dhjetëra, për të mos thënë më shumë, informacioneve, njerëzit e sjellë u paguan me euro, sepse do të rrëzojmë Sali Berishën. U mblodhën nga jashtë dhe brenda, me qëllimin do të rrëzojmë Sali Berishën. Kjo është e vërteta, të cilën janë të paktë shqiptarët që nuk e dinë. Skenari i kësaj proteste ishte shumë i studiuar, i bashkërenduar me kryetarin e shtetit. Shqiptarët duhet të dinë një gjë, që Edi Rama pavarësisht nga i gjithë kompartimenti i tij psikologjik, kurrë, nuk do të guxonte të ndërmerrte atë që mori pa mbështetjen e plotë të Bamir Topit, të Ina Ramës dhe lesefer të shefit të shërbimeve dhe të ndonjë tjetri. Pra, në këtë rast atë që ata nuk kalkuluan dhe e llogaritën gabim, se unë e kisha ditë pune dhe se nga zyra nuk do të largohesha. Ata menduan shumë variante, por për fat të keq hesapet i bënë me veten e tyre dhe pikërisht se i bënë hesapet me veten e tyre ato nuk iu dolën.
Peka: Pas ekspertizës së FBI i konsideroni heronj? (gardistët-shën red.)
Kryeministri: Ajo ishte një mbrojtje heroike e institucioneve… Në pati tejkalime të ligjeve? Jam unë i pari që thirra institucionet të hetojnë, nëse pati apo jo tejkalim ligji. Por një gjë është e sigurt. Institucionet e një vendi të lirë kurrë nuk pushtohen. Institucionet e një vendi të lirë janë pushtimi i kushtetutës, nëse i pushton ato, ato janë të garantuara me ligjet kushtetuese të vendit. Ata mbrojtën në një rrebesh të pafund gurësh, shishe molotov, kallëp dinamiti që u hodhën drejt tyre dhe e vërteta është se mbrojtën integritetin e ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Të qëndrosh në ato kushte, siç qëndruan ata, është akt heroik, të bësh gabime ato faje ose përgjegjësi, ato nxirren të gjitha mbi bazë ligjore, por të nesërmen, siç njoftoi zoti Rama, zonja Ina Rama në orën 5 të mëngjesit, kërkoi arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës. Këtu kishte dhe një person që duhej të arrestohej pa tjetër. Kush ishte ky person? Oficeri përgjegjës për evakuimin e kryeministrit nga kryeministria, i cili nuk kishte qenë në fushë-betejë, i cili ka një detyrë, ka rrugën e vet për të nxjerrë kryeministrin jashtë rrezikut. Ndërkohë që, natyrisht, ai ishte projekti i tyre, se i imi ishte tjetër, ata janë të detyruar të bëjnë projekte, siç bëjnë për Presidentin e Republikës, për Kryetaren e Parlamentit, për Kryeministrin, siç bëjnë në të gjithë botën.
Peka: Përgjegjësi që ka për detyrë të evakuojë kryeministrin?
Kryeministri: U lëshua urdhër arresti… I cili nuk kishte qenë me 21 janar këtu… Ka qenë në zyrën e tij, maksimumi që mund të ketë qenë, ka qenë në linjën nga ata kishin planin e tyre për të evakuuar kryeministrin dhe ai u fut në zinxhirin e atyre që duhej arrestuar pa asnjë provë. Kjo zonjë bisedon më Ministrin e Brendshëm dhe i thotë ky si ka mundësi kjo, se me kë do të mbrojmë nesër institucionet…
Kjo i thotë gjëra pa kuptim, jo po të vijnë se unë nuk i arrestoj dhe po të vijnë do t’i mbaj, me një fjalë del qartë skenari, vjen dhe më thotë ministri, i them se ky është një skenar, kjo është faza B, sepse dështuan dje, mendoj se do të fitojnë sot, sot do të humbasin më keq. Thotë se sot po shkoj tek presidenti, i them jo mos shko fare tek presidenti, sepse presidenti nuk është autor i arrestimit të tyre…
Një prokuror pa qenë i çmendur nuk lëshon dot një urdhër të tillë po nuk qe pjesë e këtij skenari dhe pjesë e këtij skenari prokurori nuk mund të jetë kurrë pa presidentin, shumë e thjeshtë kjo. Presidenti në një akt të tillë kur e shikon kur po shkelen normat, akti i parë e shkarkon, mbledh parlamentin, ka mekanizmat e veta.
Shkon ministri i Brendshëm dhe çfarë i thotë, Shkëlqesia e tij Presidenti i Republikës, kujdes ato letrat e tua. Të miat, i thotë ministri, mos ki merak për letrat e mia. Vjen dhe më thotë mua se kishe pasur të drejtë. Takoj përfaqësuesit e trupit diplomatik, u them se kjo është e gjithë situata. Ky është një organizim i këtij zotërisë dhe i them, nuk kam marrë asnjë informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror, në një kohë kur shërbimet e huaja më kishin njoftuar dhe unë dija gjithçka. Këta zotërinj shkojnë dhe takojnë zotin Topi dhe, zoti Topi ju kërkon se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, kjo është e vërteta dhe u nxjerr pikërisht ato teza që kishte organizuar dhe që ju dështuan. Zoti Rama do të vinte të mbante fjalim tek zyra ime, dhe natyrisht qeveria bëhej e pa qenë, dhe pastaj unë po të kisha shpëtuar prej tyre do të thirresha të bëja një marrëveshje mbi dhunën dhe forcën, ose dikush tjetër do të përfaqësonte PD-në, ishte një skenar shumë i studiuar.
Peka: Për të qenë pak i qartë. Z. Topi i ka thënë faktorit ndërkombëtar se kjo situatë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme?
Kryeministri: Absolutisht po, dhe faktori ndërkombëtar ka dalë nga zyra duke thanë se ai zotëria ka të drejtë. Njëri prej tyre të paktën.
Peka: Ai njëri prej tyre, a është ai që shqiptarët mendojnë se është aleati kryesor?
Kryeministri: Shiko, kurrë nuk me ke dëgjuar mua që unë të dekonspiroj, s’është në natyrën time, nuk bëj publike gjëra që nuk duhen bërë.
(…)
Peka: Duke parë gjithashtu edhe sjelljen tuaj politike të jepet përshtypja se nuk jeni i shqetësuar për hetimin. Po tregoni kujdes të madh për t’u treguar qytetarëve se Ina Rama është palë?
Kryeministri: Jo Ina Rama. Këtu nuk kam hequr asgjë nga Bamir Topi. Kjo është ngjarja më e rëndë që nga viti 1924 e deri më sot në këtë kryeqytet, por rrethanat e 1924 me rrethanat 2011 janë të ndryshme si nata me ditën. Cili do të qe ai prokuror që do t’i thoshte vetes prokuror, i cili ka hapur me dhjetëra e dhjetëra çështje duke shpenzuar shumë të mëdha të buxhetit dhe taksapaguesve për shpifje dhe trillime të gazetarëve, me të të cilët bashkëpunon për hetimi, duke hapur çështje dhe nuk hap çështje kur kryeministri i vendit lidhet në një video në një aferë që nuk kishte asnjë lidhje. Cili është ai prokuror që, pas një batërdie dhe ngjarje tragjike lëshon urdhër arresti për të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës së Republikës, t’i jap këto për të të thënë se nuk jam fare i shqetësuar për hetimin, sepse hetimin nuk mund ta bëjnë ata, të cilët do të hetohen. Jo. Një gjë të jeni të sigurt.
Peka: Pra, nuk do të ketë hetim?
Kryeministri: Nga Ina Rama?! Çfarë hetimi! Nga Ina Rama ka vetëm prishje të provave intensive shitje të dokumenteve dhe pengesa nga më serioze të hetimit gjatë një viti.
Peka: Me këtë po thoni se familjeve të viktimave se autorët e vrasësve do të hetohen vetëm kur të kemi një kryeprokuror të ri?
Kryeministri: Absolutisht, familjeve të viktimave do t’u garantoj se në përputhje me të gjitha kapacitetet e shtetit ligjor, gjithçka do të hetohet rreth vrasjes së njerëzve të tyre. Është familja e viktimave të Ziverit në mos gaboj, vëllai i tij tha se erdha nga Greqia se do të rrëzojmë Sali Berishën, e kanë të gjitha mediat këtë. Kjo kërkon një hetim. Por këtë hetim nuk mund ta bëjnë ata, të cilët ishin pjesë e këtij puci për të rrëzuar Sali Berishën.. Por çfarë ka tjetër… Ata nuk mund të pengojnë ecurinë. Ne bëmë zgjedhjet e 8 majit më të mirat e bëra ndonjëherë në këtë vend, shqiptarët folën me 142 mijë vota kundër kësaj minorance dhe kjo ishte një arritje e madhe. Do të vazhdohet. Ata që vendosën dy mandatet, do të mbarojnë këtë mandat, të mandatuar të tjerë do të vijnë dhe ligji do të bëhet. Kaq është e gjithë puna.
(…)
Peka: Tashmë duket se prej një prej fletarresteve që ka firmosur kryeprokurorja natën e 21 janarit kishte të drejtë. Bëhet fjalë për Komandantin e Gardës?
Kryeministri: Plotësisht dakord. Është e vërtetë që u pengua ato ditë për shkak të detyrës, por pastaj s’e pengoi njëri. Erdhi një prokuror amerikan këtu. Kishte një prokuror amerikan dhe prania e tij ishte një nga rrethanat që unë pranova që Ina Rama të vazhdonte. (…)
Peka: Z. Kryeministër më 21 janar 2011-n, ish-komandanti i Gardës ka qenë në zyrën tuaj, apo jo?
Kryeministri: Në zyrën time?! Ka qenë në zyrën time, më ka thënë, nëse mos gaboj, a mund të dalësh në një zyrë dhomë tjetër. I kam thënë: jam shumë mirë, nuk dal, sepse gjuanin tek dritaret. Më ka kërkuar që të dal në dhomë tjetër bashkë me oficerët e mi, nuk di të me këtë thënë gjë tjetër. (…)
Peka: Tashmë opozita po i mëshon idesë se komandanti i Gardës ka marrë urdhër nga kryeministri dhe Ministri i Brendshëm për të hapur zjarr. A është e vërtetë kjo?
Kryeministri: Komandanti i Gardës dhe çdo gardist nuk merr urdhër në asnjë rrethanë, as nga kryeministri, as nga Ministri i Brendshëm. Pse? Garda e Republikës funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë. Ligj, i cili përcakton rigorozisht qëndrimin e anëtarëve të saj, në mbrojtje të ndërtesave të institucioneve kushtetuese dhe të personaliteteve të institucioneve kushtetuese. I ka shumë të qarta. Ligji përcakton qartësisht, po u sulmua objekti, do të shtish në ajër, po u vazhdua do të shtijë në këmbë, po vazhdoi do ta asgjësosh. (…)
Peka: Vazhdon aludimi i mediave pranë opozitës… Pretendohet se Komandanti i Gardës është urdhëruar dhe i është bërë presion nga një prej truprojave tuaj për të hapur zjarr?
Kryeministri: Sa për dijeni truprojat e mia janë vartës së Komandantit të Gardës. Duhet ta dinë qytetarët se Komandanti i Gardës i ka në varësi të gjithanshme truprojat e mia. Nga truprojat e mia nuk është asnjëri gjeneral. Komandanti i Gardës është Gjeneral, kështu që nuk merr urdhra nga asnjë person i vetëm, nuk mund të marrë urdhër nga asnjë person për të përdoruar armën e zjarrit jashtë kushteve ligjore
Peka: Një tjetër çështje që ka të bëjë me akuzat që bëhen ndaj jo vetëm stafit të Gardës, por edhe stafit të kryeministrisë është zhdukja e provave e serverit në kryeministri. Tashmë, pretendohet nga prokuroria se kjo është e vërtetuar edhe nga ekspertiza e FBI. Cila është e vërteta z. Kryeministër?
Kryeministri: Nuk dua të futem në teknikalitete, por meqenëse më bërë këtë pyetje, unë vetëm kaq dua të të them. Ka një raport të dërguar nga kryeministri lidhur me këtë çështje, i cili për ata që dinë ta lexojnë ka të gjithë të vërtetën. Ata që duan ta përdorin politikisht, ai raport aty është dhe ai i nxjerr të gjitha. Së pari, këtu gjithçka është mbi bazën e një rregulli të caktuar, asnjë punonjës si kryeministrisë nuk është përgjegjës për sistemin e kamerave jashtë ndërtese. Punonjësi i kryeministrisë, është përgjegjës për kompjuterët dhe të gjithë sistemin kompjuterit dhe janë dy IT që përgjigjen për këtë. Sidoqoftë kjo është një çështjen hetimi. Por se cili ka qenë raporti i dërguar nga kryeministria, kjo është shumë e thjeshtë dhe është publike. (…)
Peka: Pra, ka raportuar stafi i kryeministrisë se është prekur serveri?
Kryeministri: Stafi i kryeministrisë nuk e ka kompetencën e serverit, por është marrë për t’u kontrolluar, sepse këtu ka disa sisteme kamerash të vjetra, është marrë kompani, e cila ka bërë të gjithë konstatimin dhe ky konstatim i kompanisë, i është dërguar prokurorisë me vulë dhe me firmë nga kryeministria para se ata të vijnë dhe të marrin serverin. Unë kam besim të plotë, në ekspertizën e kompanisë që kishte vendosur sistemi, sikundër ajo që më bën pak përshtypje, rikuperimi, në dijeni time, unë nuk jam ekspert, nga softet gjithçka rikuperohet, megjithëse këtë nuk e marr për të vërtetë absolute, sepse nuk e di.
Peka: Kalojmë tek akuza e fundit për 21 janarin.. Pretendohet se një shofer pranë jush ka dërguar para dhe ka kërkuar që ju të vizitoni familjen e njërës prej viktimave?
Kryeministri: Së pari, ajo që thoni ju, ai zotëri s’ka qenë kurrë shofer pranë meje. Kjo në mënyrë absolute. Unë kam një organikë të shpallur publikisht dhe të njohur, dhe ky zotëri s’ka qenë qoftë edhe një ditë të vetme shofer pranë meje. Së dyti, jo asaj familje, por kurrë as më ka shkuar ndërmend të dërgoj dhe të bej qoftë edhe një gjest të vetëm më pak edhe më shumë sesa ngushëllimet publike. Unë këtë kam gjykuar dhe kam bërë zgjedhjen time. Zgjedhje qartësisht e prerë. Për të vdekurit ngushëllime dhe vetëm ngushëllime, më tutje as edhe një akt të vetëm. Po të doja mund të ndërmerrja disa. Kam gjykuar, detyra ime si kryeministër është të shpreh ngushëllimet publike. Çdo gjë tjetër është trillim manipulim fatkeq me fatkeqësinë (…)
*Marrë me shkurtime nga emisioni Fakt, drejtuar nga Çlirim Peka