Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Politike - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Buxheti i vitit të ardhshëm ka qenë tema kryesore e mbledhjes së sotme të qeverisë. Kryeministri Berisha u shpreh se në kohën kur në Evropë sundon kriza e thellë e borxheve, qeveria synon që buxhetin ta përqendrojë rritjen e rrogave e pensioneve dhe projektin e Shqipërisë dixhitale në 100-vjetorin e pavarësisë.
“Buxhetin do ta përqendrojmë në realizimin e objektivave, ku prioritet mbetet rritja e rrogave dhe pensioneve. Ekonomia jonë dinamike na e bën të mundur këtë. Nuk ka mënyë më të mirë për të festuar shekullin e dhimbjeve, vuajtjeve dhe sakrificave sesa Shqipëria dixhitale”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, krahas objektivave, qeveria duhet të shohë mundësinë e shkurtimeve operative për buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Shqipëria dixhitale nuk mund të jetë shqipëria e kujtimeve, ndaj ne duhet të investojmë me përparësi në 125 projektet tona, në mënyrë që 100-vjetori ta gjejë këtë vend një shoqëri dixhitale. Përparësi do të ketë infrastruktura. 100-vjetori do të jetë viti vendmitar i një Shqipërie tjetër, i Shqipërisë me një infrastrukturë më moderne. Ne kemi moton “Ne do të bëjmë rrugë” dhe duhet t’i përmbahemi këtij projekti. Ky vit është më i vështiri dhe ne që kemi ndërtuar 9 mijë km rrugë, nuk mund të ndalemi në miljen e fundit. Ju them që kur të mendoni për buxhetin, mendja duhet t’u shkojë te rrugët”, tha Berisha.
Edhe në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri gjeti rastin që të ironizonte sërish librin e pritshëm të kreut të opozitës. “Me historinë le të merren historianët. Politikanët sipas dëshirës, e vetmja që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtime para se të dalin në pension. Kjo po ndodh, është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, është i kësaj gjinie, në prag të pensionit politik”, tha Berisha.
G.N.
Redaksia Online