Berisha Evropa ne krize te thelle, kurse ne vazhdojme te rrisim rrogat dhe pensionet
Publikuar me : 26.10.2011 Ne :
Politike - 56 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Buxheti i vitit të ardhshëm ka qenë tema kryesore e mbledhjes së sotme të qeverisë. Kryeministri Berisha u shpreh se në kohën kur në Evropë sundon kriza e thellë e borxheve, qeveria synon që buxhetin ta përqendrojë rritjen e rrogave e pensioneve dhe projektin e Shqipërisë dixhitale në 100-vjetorin e pavarësisë.
“Pavarësisht nga një krizë e egër borxhesh që ka pllakosur Evropën dhe botën, dinamizmi i ekonomisë shqiptare na bën ne të mundur që të qëndrojmë sërish në premtimin tonë, në objektivin tonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, krahas objektivave, qeveria duhet të shohë mundësinë e shkurtimeve operative për buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Shqipëria dixhitale nuk mund të jetë shqipëria e kujtimeve, ndaj ne duhet të investojmë me përparësi në 125 projektet tona, në mënyrë që 100-vjetori ta gjejë këtë vend një shoqëri dixhitale. Përparësi do të ketë infrastruktura. 100-vjetori do të jetë viti vendmitar i një Shqipërie tjetër, i Shqipërisë me një infrastrukturë më moderne. Ne kemi moton “Ne do të bëjmë rrugë” dhe duhet t’i përmbahemi këtij projekti. Ky vit është më i vështiri dhe ne që kemi ndërtuar 9 mijë km rrugë, nuk mund të ndalemi në miljen e fundit. Ju them që kur të mendoni për buxhetin, mendja duhet t’u shkojë te rrugët”, tha Berisha.
Edhe në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri gjeti rastin që të ironizonte sërish librin e pritshëm të kreut të opozitës. “Me historinë le të merren historianët. Politikanët sipas dëshirës, e vetmja që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtime para se të dalin në pension. Kjo po ndodh, është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, është i kësaj gjinie, në prag të pensionit politik”, tha Berisha.
G.N.
Redaksia Online