Publikuar me : 19.12.2011 Ne :
Politike - 92 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka nisur me një minutë heshtjeje në nder të liderit të revolucionit të kadifenjtë në Çeki, Vaslav Havel.
Më tej, kreu i demokratëve u ndal në takimin me Komisionin e Venecias, në të cilin delegacioni ynë përfaqësohej nga kryeparlametarja Topalli. Berisha u shpreh i kënaqur me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe bashkëpunimin e opozitës në këtë takim. “Është pozitive që opozita ndihet e kënaqur që ka pranuar plotësisht rekomandimet e drejta dhe të bazuara të këtyre institucioneve. Uroj që komisioni i reformës parlamentare të vazhdojë punën me intensitet në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin”, tha Berisha.
Kryeministri njoftoi për shtyrjen e afatit deri në fund të shkurtit të regjistrimit të banesave dhe pasurive të tjera. Sipas Berishës, akti normativ që do të propozohet nga qeveria vjen për shkak të dyndjes së ditëve të fundit në zyrat e regjistrimit. “Deri sot nga ky proces kanë përfituar deri në 14 mijë familje, por zyrat e regjistrimit të pasurive kanë dyndje dhe kthimi i emigrantëve bën të domosdoshme shtyrjen”, tha Berisha.
Më tej, kryeministri foli për situatën energjetike në vend. Sipas tij, mungesa e reshjeve ka bërë që Shqipëria të importojë 17 milionë kilovat/orë, sasia më e madhe e importuar ndonjëherë. “E vërteta është që kuotat e liqeneve kanë qenë në nivele jashtëzakonisht të ulëta dhe për të kapur nivelet optimale jemi shumë larg. Qeveria u detyrua javën që shkoi të miratojë një akt normativ për t’i dhënë garanci KESH-it për një kredi prej 50 milionë dollarësh. Nuk mund të parashikojmë, këto janë punët e Zotit, por ju garantojmë se vendi në ndërprerje energjie nuk do të shkojë”, tha ai.
Pavarësisht kësaj, Berisha u shpreh se ndërhyrjet në buxhet dhe shkurtimet e bëra në qershor, garantojnë jo vetëm mbajtjen në të njëjtin nivel të borxhit publik, por edhe një rëie të lehtë të tij. “Borxhi jo vetëm nuk rritet por do të ketë një rënie të lehtë. Ka qenë 59.7 për qind, mbyllet me 59 për qind. Në nivele plotësisht të kontrollueshme është inflacioni, i cili ishte në nivelin 2.9 perqind në nëntor”, tha Berisha.
G. Ndoja / Redaksia Online