Publikuar me : 28.12.2011 Ne :
Politike - 73 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Rezultatet e censusit për banesat janë bërë sot kryefjala e mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Berisha u shpreh se numri i banesave i dalë nga të dhënat e censusit (380 banesa për 1000 banorë) tregon standardin e Shqipërisë si vend i zhvilluar.
“380 banesa për 1000 banorë. Ky është një standard që flet vetë, një standard i një vendi të zhvilluar, më i lartë se disa vende të BE. Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë se ç’kanë ndërtuar banesa për frymë 25 vende anëtarë të OECD-së. Kjo është një arritje historikë për këtë vend që në vitin ‘90 që ishte vendi i dytë më i varfër në botë pas Angolës”, tha Berisha.
Për kreun e qeverisë, kjo arritje është pa diskutim dëshmi e shpirtit punëtor të fortë të shqiptarëve, e shpirtit tyre të sakrificës. “Shumica e këtyre banesave janë ndërtuar me sakrifica mbinjerëzore. Nuk kanë qenë banesa luksi, vetëm një përqindje e vogël i përket borgjezisë së re. Këto janë banesa të burrave dhe grave që kanë punuar nga 16 e 18 orë në ditë”, tha ai, duke gjetur rastin të ritheksojë politikën e “mrekullisë ekonomike” të qeverisë së tij.
“Nuk është e rastit që ky bum i papërmbajtur ka shoqëruar këtë model ekonomik që ka bërë që iniciativa e lirë e qytetarëve të ketë rendimentin më të lartë. Nuk mund të gjeja një lajm më të gëzuar se ky për të mbyllur vitin”, tha ai.
Duke anashkaluar numrin e të pastrehëve, Berisha u shpreh se rezultatet e censusit japin pasqyrën e Shqipërisë së vitit 2011, e cila dëshmon rritjen dhe konsolidimin e klasës së mesme shoqërore.
“Nga viti 2001 në 2011-n, 330 mijë familje janë bërë me më shumë se një banesë. Kjo tregon rritjen e shpejtë dhe konsolidimin e asaj që quhet klasë e mesme e shoqërisë, e cila përbën themelin e sistemit të vlerave dhe demokracisë së çdo vendi. Ja sa i domosdoshëm ishte censusi. Unë jam kryeministër, por këtë e mësova nga censusi. Ky tregues imponon që çdo shqiptar të ketë një mendim tjetër për Shqipërinë”, përfundoi kryeministri. /
G. N. / Redaksia Online