Publikuar me : 29.11.2011 Ne :
Politike - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeministri Berisha ka pritur dje në një koktej 45 konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, të cilët në Tiranë për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë.
Berisha i ka falënderuar konsujt për përfaqësimin që ata i bëjnë Shqipërisë dhe imazhit të saj në vendet e tyre, duke i ftuar të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për të arritur qëllimin më madhor, Shqipërinë vend i zhvilluar.
Pasi i ka njohur ata me hapat që ka hedhur vendi gjatë 20 viteve të fundit, dhe veçanërisht gjatë pas 2005-s, Berisha është shprehur se prioriteti kryesor mbetet integrimi në Bashkimin Europian. “Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në performancë”, tha Berisha.
Ai i ka ftuar konsujt të inkurajojnë bizneset e huaja për të investuar në Shqipëri, duke i garantuar për sukses.
“Ne kemi një mundësi të madhe për t’u shndërruar krejtësisht në një vend të energjisë së gjelbër dhe për t’u bërë një superfuqi e vogël e energjisë së gjelbër në rajon. Potencialet e ujërave tanë janë shumë të mëdha. Shqipëria është një Norvegji e vogël në bregdetin e Adriatikut. Ne duhet të ndërtojmë më shumë se 443 hidrocentrale. Kemi nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve, 72 prej tyre janë nën ndërtim, ose janë përfunduar, ose ka filluar puna. Të tjerë po presin investitorë. Prandaj do ta vlerësoja shumë çdo lloj inkurajimi që do të mund t’i jepni bizneseve për t’u bashkuar me Shqipërinë, në këtë përpjekje të madhe për energjinë e rinovueshme. Në Shqipëri po zhvillohet projekti më i madh në Europë përsa i përket hidrocentraleve, i cili është kaskada e Devollit, një investim prej 1 miliardë euro. Por ka shumë e shumë të tjerë. Ne jemi një vend me potencial të madh edhe në energjinë e erës. Kemi licencuar rreth 1600 megavatë dhe 3200 të tjerë janë duke iu nënshtruar studimeve. Kemi po ashtu potenciale të jashtëzakonshme gjeotermike, potenciale në energjinë diellore. Ne jemi të vendosur në një rajon që është gllabërues për energjinë. Ne jemi duke shumëfishuar konjeksionet tona. Ndaj unë besoj se kushdo që investon në Shqipëri në energjinë e gjelbër, ai ose ajo do të ketë një histori suksesi”, tha Berisha.
“Historia ndaj nesh ka qenë si një njerkë e ashpër, nuk ka qenë në anën tonë. Por ne qëndruam në të drejtat tona dhe tani jemi të lirë, kudo që jemi. Jemi të lirë në Shqipëri, jemi të lirë në Kosovë, jemi të lirë në Maqedoni, jemi të lirë në Mal të Zi. Ne shikojmë drejt të ardhmes së përbashkët në Europë. Sot hyjmë në njëqindvjeçarin e shpalljes së pavarësisë sonë. Kjo është një ditë e madhe, një vit i madh, një njëqindvjeçar i madh.
Prandaj le të punojmë sëbashku për të arritur qëllimet tona, le të ngulmojmë sëbashku për të arritur atë çfarë mendojmë se është më e mira për këtë vend’, ka përfunduar Berisha.