Berisha krenohet me rezultatet e Censusit per banesat. Rama Ne c’vend te BE-se ka ndertime pa leje?
Publikuar me : 28.12.2011 Ne :
Politike - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Lideri i opozitës Edi Rama ka reaguar mbi deklaratën e kryeministrit të vendit Sali Berisha se rezultati i Censusit për banesat tregoi se Shqipëria është një vend i zhvilluar.
Në një kohë kur Berisha shprehet se “380 banesa për 1000 banorë” është një tregues që përcakton Shqipërinë si vend të zhvilluar, Rama mban qëndrimin se në Shqipëri më ka më shumë banesa pa leje se sa me leje. Këtë fakt, kryetari i Partisë Socialiste e konsideron shkatërrim të madh për vendin.
“Në ç’vend të BE janë bërë më shumë ndërtime pa leje se me leje dhe ç’vend normal do pranonte kostot e asaj batërdie mbi pasurinë e përbashkët?”, shkruan Rama në rrjetin social “Tuiter”.
Rezultatet e censusit për banesat janë bërë sot kryefjala e mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Berisha u shpreh se numri i banesave i dalë nga të dhënat e censusit (380 banesa për 1000 banorë) tregon standardin e Shqipërisë si vend i zhvilluar.
“380 banesa për 1000 banorë. Ky është një standard që flet vetë, një standard i një vendi të zhvilluar, më i lartë se disa vende të BE. Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë se ç’kanë ndërtuar banesa për frymë 25 vende anëtarë të OECD-së. Kjo është një arritje historikë për këtë vend që në vitin ‘90 që ishte vendi i dytë më i varfër në botë pas Angolës”, tha Berisha.
Për kreun e qeverisë, kjo arritje është pa diskutim dëshmi e shpirtit punëtor të fortë të shqiptarëve, e shpirtit tyre të sakrificës. “Shumica e këtyre banesave janë ndërtuar me sakrifica mbinjerëzore. Nuk kanë qenë banesa luksi, vetëm një përqindje e vogël i përket borgjezisë së re. Këto janë banesa të burrave dhe grave që kanë punuar nga 16 e 18 orë në ditë”, tha ai, duke gjetur rastin të ritheksojë politikën e “mrekullisë ekonomike” të qeverisë së tij.
“Nuk është e rastit që ky bum i papërmbajtur ka shoqëruar këtë model ekonomik që ka bërë që iniciativa e lirë e qytetarëve të ketë rendimentin më të lartë. Nuk mund të gjeja një lajm më të gëzuar se ky për të mbyllur vitin”, tha ai.
Duke anashkaluar numrin e të pastrehëve, Berisha u shpreh se rezultatet e censusit japin pasqyrën e Shqipërisë së vitit 2011, e cila dëshmon rritjen dhe konsolidimin e klasës së mesme shoqërore.
“Nga viti 2001 në 2011-n, 330 mijë familje janë bërë me më shumë se një banesë. Kjo tregon rritjen e shpejtë dhe konsolidimin e asaj që quhet klasë e mesme e shoqërisë, e cila përbën themelin e sistemit të vlerave dhe demokracisë së çdo vendi. Ja sa i domosdoshëm ishte censusi. Unë jam kryeministër, por këtë e mësova nga censusi. Ky tregues imponon që çdo shqiptar të ketë një mendim tjetër për Shqipërinë”, përfundoi kryeministri. /
G. N. / Redaksia Online