Berisha Monarkia, jo ceshtje e mbyllur. Ne ‘97 dominoi parimi “Ju votoni, une numeroj”
Publikuar me : 30.11.2011 Ne :
Politike - 49 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeministri Berisha e ka nisur mbledhjen e qeverisë sot me ngushëllimin për ndarjen nga jeta të pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Duke e cilësuar ditën e sotme si ditën në të cilën shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike, Berisha ngushëlloi familjen mbretërore dhe shpalli të shtunën si ditë zie kombëtare në nderim të Lekës së Parë. “Në ligj përcaktohet detyrimi i përfshirjes në protokollin shtetëror të familjes mbretërore. Ne do ta përcjellim Leka Zogun me nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë”, tha Berisha.
Kryeministri e cilësoi si humbje të madhe për kombin ndarjen nga jeta të Leka Zogut dhe u ndal në disa nga momentet kyçe të jetës së tij.
Berisha vlerësoi kontributin e Lekës së Parë në mbështetjen e e përpjekjes së shqiptarëve për liri e dinjitet.
“Mbreti Leka në të gjithë jetën e tij në mërgim ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjes së shqiptarëve për liri dhe dinjitet, kudo që ndodheshin. Pas hapjes së vendit në 1997 u dekretua nga presidenti i republikës referendumi popullor për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë e përzgjedhjes së tyre. Duhet të them se përzënia e mbretit ose mohimi i të drejtës për kthim ishte një nga veprimet më arbitrare të E. Hoxhës dhe klikës së tij. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria siç u larguan mbretërit e tjerë nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazi-fashiste, por ai qëndroi në të gjithë kohën në anën e koalicionit antifashist. Forcat dhe mbështetësit e tij luftuan me trimëri të udhëhequra nga Abaz Kupi më 7 prill në portin e Durrësit. Më pas vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të luftës. Lufta nacionalçlirimtare mori dhe aspektin e saj vëllavrasës. Kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim: të garantonte me çdo kush Enveri pushtetin. Por legalistët luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët nazifashistë gjatë të gjitha viteve të pushtimit”, tha Berisha.
Kryeministri u ndal në mundësinë që iu dha votuesve shqiptarë për të zgjedhur mes sistemit monarkik dhe atij republikan, në vitin 1997, të cilin e quajti një çështje jo të mbyllur.
“Referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. Në atë referendum dominoi parimi stalinist “ju votoni, numërimin e bëj unë”. Ajo që është reale është që shqiptarët votuan masivisht për mbretin e tyre”, tha Berisha.